Abaz Hoxha: Si e çliruam Dibrën nga nazistët gjerman

234
Sigal

Shpartallimi i forcave gjermane dhe mercenare në Maqellarë dhe malin e Korabit.

Çlirimi i Dibrës /Pjesë nga libri “Në dallgët e trazuara të jetës”

Mbas një përpjekje të ashpër në kushte rrethimi të plotë nga forcat gjermane dhe mercenare në grykën e Sinës, kaluam Drinin e Zi dhe ju drejtuam Peshkopisë, të cilën e riçliruam pa ndonjë rezistencë të madhe Them riçliruam mbasi atë e kishte çliruar më parë brigada e pare, por mbasi forcat e saj ishin futur thellë në drejtim të Dibrës atë e kishin ripushtuar forcat gjermane dhe reaksionare.

Gjatë 20 ditëve të para të gushtit 1944, komanda gjermane zhvilloi veprime luftarake në të gjithë frontin kundër brigadës sonë të 5-të. e njëkohësisht grumbulloi edhe forca të reja në thellësi. Ajo mendonte që të kthente drejtimin e goditjes kryesore nga Maqellara në malin e Korabit, për të na marrë krahët. Ky plan i tyre u zbulua, nëpërmjet zbuluesve tanë në prapavijat e armikut, sikurse edhe përqëndrimi i forcave të tij kryesore në Strugë nën komandën e oficerave gjermane dhe të Xhem Gostivarit dhe, u morën masat për përmbysjen e planeve të tij. Mbështetur në imformacionet e grumbulluara shtabi i brigadës iu dha këtë urdhër të gjithë batalioneve:

“Grushtet e rënda që hëngrën okupatori dhe reaksioni në qarkun e Peshkopisë dhe të Dibrës prej forcave të Divizionit të 1-rë, suksesi i madh politik, që korri brigada e jonë në ndihmën që dha për krijimin e brigadës së 18 dhe afrimin e forcave tona në drejtim të Dibrës, bënë që armiku dhe reaksioni të jetojnë ditë të hidhura dhe të presin nga çasti në çast shpërthimin e sulmit tonë. Për evitimin e këtij sulmi dhe për rimëkëmbjen e reaksionit në qarkun e Dibrës, janë përqëndruar prej Maqellarës në malet mbi Dibër,  në mal të Inoskës dhe të Korabit, disa forca armike jo më shumë se 1000-1200 vetë, të përbërë prej gjermanësh, xhandarësh e mercenarësh.

Megjithëse armiku ka në përdorim armë të rënda dhe pozicione të favorshme, morali i tij është shumë i ulët…Duke marrë parasysh përbërjen e armikut, moralin e tij dhe suksesin e madh politik dhe ushtarak, që korri brigada jonë, me thyerjen e forcave armike të përqëndruara, urdhërohen të gjitha shtabet e batalioneve të veprojnë si më poshtë:…

Dhe mbasi përcaktonte detyrat e batalioneve të tjera batalionit tonë iu caktua si detyrë që në bashkëpunim me një batalion të brigadës kosovare, që do të zinte vendin e batalionit tonë të 5-të, të studionin mundësinë e rrethimit të forcave armike të përqëndruara në katundin Allajberg e tej këtij katundi. Për herë të parë në historinë luftarake të brigadës sonë u përdorën sinjalet, që jepnin orientimet e sulmit ose tërheqjes nëpërmjet shënjave të revolverëve. Kështu u dhanë këto shënja:

Ngjyra e bardhë tregonte drejtimin e armikut, e gjelbëra, pozitat ku kemi mbërjtur ne, e gjelbër e kuqe tregonte se duhej filluar sulmi dhe ngjyra e bardhë e kuqe jepte sinjalin e tërheqjes. Të gjitha këto shenja duhej të hidheshin në drejtim të armikut.

Më 20 dhe 21 gusht armiku grumbulloi në malin e Korabit forcat e përqëndruara në Strugë dhe një pjesë të forcave që zhvillonin deri atëherë luftime në Maqellarë. Me sulme të përsëritura ai mundi të kapë më 21 dhe 22 gusht disa lartësi në malin e Korabit duke krijuar kështu një pykë në mes të forcave të batalioneve të 3-të dhe të 4-t, të cilët mbronin të gjitha lartësitë veriore dhe veri- perëndimore të malit Korab. Komanda gjermane, duke futur në luftë të gjitha forcat e saj kryesore, që ishin përqëndruar në fshehtësi në pyjet e fshatit Zhivornicë, parashikonte të fillonte mësymjen kryesore më 23 gusht nga mali i Korabit për në Peshkopi, duke synuar që, pasi të pushtonte Peshkopinë, të godiste nga shpina dhe përpara forcat tona dhe, në rajonin e Maqellarës, t’i rrethonte dhe t’i asgjësonte pjesë-pjesë.

Kjo zonë përfshinte rajonin në këndin më verilindor të kufijve të Shqipërisë, nga mali Jenica /piramida Nr.9/dhe në veri deri në katundin Zimur dhe lartësia 2405m.Vendi në këtë zonë ishte i zhveshur dhe shkëmbor me lartësi të mëdha dhe përrenj të thellë. Këto karakteristika të terrenit dhe sidomos fakti që lartësitë 1340, 1333 metra, katundi Cerjan dhe lartësitë 2345 ndodheshin në duart e armikut, krijuan vështirësi të mëdha për forcat tona që për të asgjësuar pykëzimin e rrezikshëm të armikut për forcat e brigadës, duhej të goditnin armikun nëpër shkëmbinj dhe nga poshtë lart.

Komanda e brigadës vendosi t’i paraprinte sulmit armik, që natën e 22 gushtit të hidhte në sulm në drejtim të Korabit forcat kryesore të tij ato të 4 batalioneve,të 2-të,3-të,4-t dhe 5-të, kurse në drejtim të Maqellarës të vazhdonte mësymjen batalioni ynë. Sulmi u caktua të kryhej në orën 22.00 të datës 22 gusht I menjëhershëm në të gjithë frontin, që nga Drini gjer në malin eKorabit, por ai u zhvillua më parë, në orën 18.00 nga dy skuadra të kompanisë së katërt të batalionit të 4-t, të cilat me inisiativën e tyre, nën mbështetjen e zjarrit të mortajave, sulmuan dhe me një sulm të befasishëm i muarën armikut lartësinë 2678 metra. Pas tyre të gjitha forcat e batalionit të katërt e të tretë, në fshehtësi dhe midis gërxheve dhe terrenit të thepisur u hodhën të gjitha në sulm. Forcat gjermane dhe mercenare, të cilat nuk e prisnin një sulm të menjëhershëm në të gjithë faqen perëndimore dhe jugperëndimore të malit Korab, u hutuan dhe, që në fillim, pasi humbën drejtimin, u çorganizuan dhe filluan të tërhiqeshin në panik.

Ditën tjetër, më 23 gusht, partizanët e tre batalioneve u dolën në krahë, i vunë ato përpara gjer në katundin Zhivornicë. Ata lanë në fushën e betejës 75 të vrarë dhe 50 robër, bashkë me prapavijën e tij duke përfshirë edhe kazanet me gjellë të ngrohtë. Edhe batalioni ynë që vepronte në zonën e Maqellarës sulmoi rrufeshëm dhe pasi kapëm në katundin Allajberg një bateri artilerie të armikut, vazhduam t’i ndiqnim ata që po tërhiqeshin në panik në drejtim të Dibrës.

Pas kësaj disfate komandanti i forcave gjermane vrau veten. Të detyruar dhe të goditur rëndë nga forcat tona në Maqellarë dhe malin e Korabit, armiku hoqi dorë përfundimisht nga sulmi mbi Peshkopinë duke tërhequr të gjitha forcat e tij për t’I përqëndruar në mbrojtje të qytetit të Dibrës. Shumë mercenarë të Xhem Gostivarit dhe Halil Alisë, pasi kuptuan rrugën e tradhëtisë që ndiqnin udhëheqësit e tyre, u larguan nga ata dhe u kthyen në fshatrat e tyre.

Pas këtyre goditjeve, situata politike dhe ushtarake e forcave tona u bë shumë e favorshme, prandaj u vendos që dy batalione të brigadës së 5-të dhe dy batalione të brigadës së 18, që sapo ishte krijuar në ato krahina, në mbrëmjen e 2 shtatorit të sulmonin qytetin e Dibrës. Përleshja u zhvillua shumë e ashpër dhe forcat gjermane u detyruan të tërhiqen nga qyteti në drejtim të Strugës. Në mëngjezin e datës 3 shtator forcat tona hynë në Dibër të pritura me dashuri nga i gjithë populli. Në luftën e Korabit, për herë të parë kompania e katërt e batalionit të 4-t përdori sinjalet me raketa për të raportuar marrjen e lartësisë 2678 metra. Dita e 23 gushtit, dita e shpartallimit të forcave armike në Korab, do të festohej më vonë nga populli i Dibrës si dita e çlirimit nga armiqtë dhe veglat e tyre. Pas kësaj fitoreje të madhe, Andrea Varfi, që ndodhej në Sllatinë të Dibrës i entusiazmuar dhe frymëzuar nga heroizmi partisan shkroi hymnin e brigadës së 5-të, i cili me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare do të bëhej më vonë hymni i ushtrisë sonë, duke i ndërruar vetëm vargun: ”Brigada e pestë heroike” në “Ushtria jonë heroike”.