Dritëro Agolli: Lufta ishte e rreptë, Tragjeditë kishin shumë ngjyra…

154
NDËSHKIMI
Anonimi
1.
Batalioni kishte kohë që vërtitej cak më cak nëpër atë krahinë dhe partizanët ishin bërë si të shtëpisë me njerëzit e fshatrave. Fshatarët i njihnin me emër pothu- ajse të gjithë partizanët që nga i madhi e gjer tek i vogli, se ishin shpërndarë nëpër shtëpira dhe jetonin bashkë.Edhe në shtëpinë e madhe të Qerim Shagut rrinin tre partizanë. Njeri prej tyre, Sefer Nezha, ishte më i moshuar, rreth tridhjetë vjetësh, kurse dy të tjerët, Sadiku dhe Aleksandri ishin fare të rinj, sa ende nuk kishin filluar të pinin as duhan. Prandaj Sefer Nezha atyre iu dukej burrë i madh dhe i thoshin xhaxha. Dhe vërtet, për ta Seferi ishte si xhaxha, i donte dhe në përpjekje me gjermanët i këshillonte të mos hidheshin si të marrë, të mos ngri- heshin në këmbë, por të ruheshin prapa shkëmbenjve dhe hendekëve, kur të qëllonin me pushkë. “Trim është ai që di të ruhet dhe di ta vërvitë armikun për ta mundur”,
– iu thoshte shpesh para ndonjë luftimi.
Por Sefer Nezha çuditej me Qerim Shagun, të zotin e shtëpisë.Ai shpesh i rrinte ftohtë dhe herë-herë e vështronte me vëmendje të përqëndruar, sikur donte diçka të zbulonte në fytyrën e Sefer Nezhës.U kishte thënë edhe Sadikut dhe Aleksandrit për këtë qëndrim të habitshëm të Qerim Shagut ndaj tij.Ata kishin qeshur dhe i ishin përgjigjur, se i zoti i shtëpisë vërtet e ka vështrimin të rreptë.
– Mbase i jemi mërzitur! – kishte thënë Sefer Nezha.
– S’ma merr mendja! Ai është fisnik dhe mikpritës! – ia
kishte prerë Aleksandri.
– Nuk duhen gjykuar njerëzit nga pamja e jashtme! – e kishte përforcuar mendimin Sadiku.
Një ditë në shtëpinë e Qerim Shagut, ku rrinin të tre partizanët, erdhi një mik i largët, një burrë mbi të dyzetat, i thinjur dhe i ligur në fytyrë dhe me një kapele të vjetër me strehë.Që në pamjen e parë ai të jepte përshtypjen e një njeriu të vuajtur, e një njeriu që kishte bërë një jetë plot mundime. Këtë nuk e tregonte vetëm fytyra e ligur me kocka të dala në të dy anët e hundës, aq sa dukeshin si të bardha përmes lëkurës së tendosur; e tregonte edhe trupi i tij i dobësuar, kërcinjtë e hollë të këmbëve dhe kupat e gjunjëve që ia ngrinin pantallonat si gunga. Duke e parë këtë njeri çuditeshe se si mund të ecte dhe se si mund t’i shtynte këto kocka të mbështjella me lëkurë.
Qerim Shagu, i kuq në fytyrë, me një hundë në fund si çomagë dhe me vetulla me qime të gjata, kur e takoi në oborr në fillim nuk e njohu dhe fërkoi sytë me dorë.As kur ai buzëqeshi dhe i dolën dhëmbët e bardhë, duke e treguar akoma më të dobësuar, nuk e njohu. Vetëm kur ia dëgjoi zërin e trashë, që nuk i shkonte fare pamjes kockë e lëkurë, Qerim Shagu iu hodh në qafë dhe e futi të tërin në gjoksin e tij të gjerë:
– Sa ditë e sa net duhej të rridhnin! Ku je, more Islam Bylykbashi! – thirri Qerim Shagu pa e lëshuar nga gjoksi.
– Më kujtoje të vdekur, Qerim! Po ja, që jam i gjallë! – qeshi Islami, kur doli nga gjoksi i madh i Qerimit.
Duke e mbajtur për krahu nëpër oborr, Qerimi e shpuri mikun në odë pranë zjarrit, se ishte fund vjeshte dhe bënte ftohtë. Frynte dhe një erë me lagështirë që para- lajmëronte një dimër të egër. Dimri i ashpër ndihej edhe nga patat e egra që kishin filluar të fluturonin varg njëra pas tjetrës në dy degë që bashkoheshin dhe formonin një gërshërë.
E shoqja e Qerim Shagut, si u përshëndosh me të ardhurin, solli një krah dru të trasha dhe i vuri në oxhak.Flaka që i ndriste fytyrën Islamit e tregonte akoma më të dobët dhe më të rraskapitur. Qerimi e vështronte fshehu- razi dhe mendonte për vuajtjet që do të kishte hequr ky njeri i ngjallur përsëri dhe i sjellë në këtë botë të trazuar.
– E shoh që ke hequr shumë! – tha Qerimi.
Islam Bylykbashi zbuloi dhëmbët, që flaka u jepte një ngjyrë të trëndafiltë.
– Vajta në atë botë dhe u ktheva përsëri! – tha ai me vështrim në flakën që lëpinte faqet e zeza të oxhakut.
– Të liruan, apo ike? – pyeti Qerimi.
– Para se të më merrnin dhe të më pushkatonin, ika nga burgu me një shok tjetër nga Vlora.
– Breh! – bëri Qerim Shagu.
Islam Bylykbashi kishte qenë mësues në këtë fshat të Llëngës dhe bashkë me mësimin në shkollë përhapte idetë e patriotizmit, i lidhur ngushtë me ilegalët dhe parti- zanët.Madje kishte marrë pjesë në njësitet partizane për të prerë shtyllat e telefonave dhe për të çarmatosur postat e xhandarmërisë në gjithë krahinën.Ai kishte njohur edhe një xhandar me emrin Lefter Nezha, që i kishte ndihmuar njësitet partizane edhe në hapjen e depove me misër dhe grurë të pasanikëve për t’ua shpërndarë fshatarëve të varfër. Por ky xhandari, me sa duket, ishte i lidhur me italianët dhe e kishte kallzuar Islam Bylykbashin. Dhe një ditë erdhën italianët bashkë me Lefter Nezhën, e gjetën Islamin të papërgatitur dhe të pambrojtur, dhe e morën me vete.Që atëherë ai nuk e harroi fytyrën e këtij xhandari me një hundë si të shqiponjës që i zbriste nga fundi i ballit të gjerë dhe binte mbi buzët e holla dhe të zbehta. Këtë xhandar, sa ishin italianët, ai e pa edhe në burg tek hynte nëpër qelitë për të njohur ndonjerin nga të burgosurit dhe për t’u dhënë fashistëve fakte të tjera.
Pastaj, pas kapitullimit të Italisë, në kohën e gjermanëve, ai nuk e pa më.
Islam Bylykbashi provoi edhe të rrahurat e gjerma- nëve, duke kaluar përmes një skëterre të vërtetë.Dhe tani ai kishte dalë kockë e lëkurë dhe kishte ardhur në zonën e lirë për t’u lidhur përsëri me partizanët, pasi të rrinte disa ditë në shtëpinë e Qerim Shagut për të marrë pak shëndet dhe për ta harruar disi skëterrën.
Ngrohtësia që përhapej nga oxhaku dhe që djersinte xhamat e odës filloi të nanuriste Islam Bylykbashin dhe t’ia rëndonte kapakët e syve të futur në zgavrtat e mëdha.Ai mezi e mbante kokën, që tanimë ishte bërë si një kafkë e vërtetë.Prandaj Qerim Shagu urdhëroi të shoqen t’i shtronte dyshekun në odën e sipërme pranë asaj të tre partizanëve.Këtë donte edhe Islam Bylykbashi.
– Të hash pak bukë! – i tha Qerimi.
Por ai tundi kokën në shenjë mohimi, e tundi me mundim, sikur nuk kishte fuqi të fliste, dhe u ngrit me vështirësi, duke u mbështetur me duar në truall për t’u dhënë forcë gjunjëve.
2.
Islam Bylykbashi u zgjua vonë, kur ishte errësuar gjithçka.U zgjua se dëgjoi këngë.I shtrirë në kurriz ai mbante vesh këngën i përmalluar.Në skëterrën ku kishte qenë, kishte dëgjuar vetëm sharje dhe zëra të egër.Kënga atje i dukej si një ëndërr e largët.Tani dëshironte që ajo të mos mbaronte kurrë.Po cilët këndojnë, vallë? – mendonte ai i shtrirë, i mbështjellë nga errësira. Dhe përtonte të ngrihej dhe ta linte këtë shtrat të ngrohtë që i dukej si parajsë e harruar prej kohësh dhe e ardhur papritur. Megjithatë, ai u ngrit ngadalë, u vesh dhe zbriti me kujdes shkallët e drunjta…
Kur hapi derën e odës së zjarrit, atje ku kishte qenë para disa orëve, pa sofrën e madhe sa një lëmë me shtatë a tetë burra dhe në mes tyre të tre partizanët. Qëndroi për një çast i mbështetur në anët e derës, sikur të kishte frikë të ndërpriste këngën dhe mbajti vesh me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë. Burrat kthyen kokën nga ai dhe kur panë fytyrën me faqe të futura brenda në gropat e kockave, e ndërprenë përnjëherësh këngën. Ky njeri atyre iu duk si mehit i sapo dalë nga varri dhe i frikshëm.
– Këndoni, këndoni! – tha ai me zërin e trashë, duke qëndruar në këmbë i mbështetur pas derës.
Burrat u ngritën të gjithë nga sofra, e zunë për dore dhe ai u ul pranë Qerim Shagut përballë tre partizanëve. Drita e llambës prej vajguri e varur mbi oxhak binte drejtpërdrejt në fytyrat e tre partizanëve të ulur rreth so- frës. Qerim Shagu iu kthye atyre dhe iu tha se ky ishte Islam Bylykbashi, i handakosuri nëpër burgje, mësuesi me famë i këtyre anëve, për të cilin u kishte folur gjerë e gjatë. Dhe partizanët e vështronin me një nderim të madh, duke mos ia vënë re fytyrën e ligur tërë gropa kockash. Për atë mbushën gotat dhe ngritën shëndetet njeri pas tjetrit.
– Hajde, o mësues, hajde! – tundi kokën njeri nga bur- rat me emrin Malo.
– Ja, kështu, o Malkë, u takuam prapë! – qeshi mësuesi dhe ngriti gotën.
Ai i ndali sytë në të tre partizanët. Në fillim i vështroi dy të rinjtë, Sadikun dhe Aleksandrin, me fytyra të njoma, si nxënës shkolle, me push nëpër faqe dhe në vendin e mustaqeve mbi buzë. Ata buzëqeshnin nga ky vështrim, sikur të guduliseshin lehtë-lehtë. Sadiku kishte flokë të verdhë të dendur, të ngritur përpjetë dhe të pashtruar, ndërsa Aleksandri të zez dhe të drejtë, të ngjitur për dër- rasën e kokës nga që e ngjishte shumë kapelën.
– Nga ç’anë jeni? – i pyeti Islami ata të dy.
– Unë jam nga Sinica e Devollit! – tha Aleksandri.
– Hëm! Të jesh shëndoshë!
– Unë jam nga Gora! – tha Sadiku.
– Hëm! Kam pasur në burg dy nga Gora! – tha Islami i menduar.
Pastaj ai i ndali sytë në fytyrën e Sefer Nezhës.I ndali dhe u vrenjt i tëri. Vetullat i ranë poshtë dhe balli iu rrudh, siç rrudhet një pellg me ujë të pastër kur fryn një erë e lehtë. Ai vështronte hundën e Sefer Nezhës si të shqiponjës, që zbriste nga fundi i ballit, vështroi fytyrën trekëndëshe me mjekër të mprehtë dhe buzë të holla e të zbehta dhe psherëtiu thellë. Pas psherëtimës e shtrëngoi me dorë ballin, pasi filloi t’i therë nga një dhembje e papritur. Sefer Nezha e vuri re ndryshimin e fytyrës së mësuesit dhe priti që ta pyeste siç pyeti dy shokët e tjerë. Por mësuesi aty për aty nuk pyeti. Ktheu kokën nga Qerim Shagu dhe i tha të këndonte, se kishte dëshirë të dëgjonte dhe të nxirrte mallin. Qerim Shagu i bëri shenjë Malkës dhe ia mori këngës:
Ke dy-tre vjet në komitet, Bir Gani, medet, medet! Atje mbi Zërvackë
Na ndeze dyfek
Bir Gani, medet-medet! Hasmi bamb me topa, Ti bamb me dyfek,
Bir Gani, medet-medet!…
E gjithë oda zjente nga zërat e shtruar të atyre që bënin iso dhe të Malkës që ia merrte bashkë me të Qerimit që ia kthente. Edhe gjuha e ndritur e llambës së vajgurit nga këta tinguj lëkundej në të dy anët e qelqit, sikur merrte pjesë në këngën e përmallshme. Islam Bylykbashi e ndjeu thellë këtë këngë dhe dalnga-dalë, në fillim u përlot pakëz dhe pastaj filloi të qajë, duke i mbledhur lotët në shami. Nuk ishte vetëm shkaku që e ndjente këngën, por edhe dobësia e madhe fizike ishte një arsye që e bënte të qante.Atij tani të gjitha fijet e nervave i ishin dobësuar.
– Ka hequr, i gjori! – i tha Malkës ngadalë Qerim Shagu.
– Hajde, o mësues, hajde! – bëri Malka.
Sadiku dhe Aleksandri e vështronin dhe iu vinte zor që ai qante. Kurse Sefer Nezha e kishte mbështetur faqen në dorën e mbledhur në grusht dhe rrinte i ngrysur. Ç’pati ky me mua? Pse s’më pyeti nga jam dhe si e kam emrin?Ç’mendon për mua? – tha me vete Sefer Nezha në sofër përballë Islam Bylykbashit që qante.
Heshtjen e rëndë e theu vetë Islam Bylykbashi. Ai u kërkoi ndjesë burrave rreth sofrës dhe iu tha se kënga gjithmonë e ka prekur thellë, por sonte e kishte përmallu- ar më shumë se herë tjetër nga që kishte kohë pa dëgjuar të këndohej në një odë si kjo mes shokësh e miqsh. Pastaj ai e vështroi përsëri me vëmendje të madhe Sefer Nezhën, duke u vrenjtur edhe këtë herë.Nga gjendja shpirtërore e përmalluar, ai kaloi në një zymtësi të hapur, që nuk mund ta fshihte.Ai lëkundej ta tregonte shkakun e kësaj zymtësie se nuk donte të prishte atmosferën e gëzuar të këngës.Këtë shkak edhe mund t’ia tregonte mënjanë Qerim Shagut, kur të mbaronte darka.Por ai nuk mund ta përmbante veten.Ndonjëherë të përmbash veten duhet të kesh edhe shëndet të mirë dhe të jesh i fortë fizikisht.
Papritur i ngriti vetullat me vështrim nga Sefer Nezha dhe pyeti:
– Po ti nga je?
Sefer Nezha e hoqi dorën nga faqja dhe e vështroi i vrenjtur:
– Nga Labëria!
– Po emrin?
– Sefer Nezha – u përgjigj ftohtë Seferi.
Islam Bylykbashi qeshi hidhur.Tjetri e vuri re këtë hidhëtirë.
– Pse qesh? – pyeti.
– Nuk ka në Labëri mbiemra Nezha! – tha Islam By- lykbashi.
– Ja që ka! – tha Sefer Nezha, duke lëvizur buzët e holla me përbuzje.
Burrat rreth sofrës dhe dy partizanët vështruan njeri- tjetrin pa kuptuar se ç’ishin këto pyetje dhe përgjigje në formën e një gjyqi.
– Ke qenë xhandar para se të dilje partizan? – pyeti
Islam Bylykbashi drejtpërsëdrejti.
Sefer Nezha u vonua të japë përgjigje.U skuq dhe lëvizi supin e djathtë.Nxori kutinë dhe filloi të dredhë një cigare. Të gjithë vështronin gishtrinjtë e tij në letrën e hollë që dridheshin. Si e drodhi, i ngriti sytë drejt në fytyrën e Islam Bylykbashit:
– Kam qenë!
Të dy partizanët e rinj prenë frymën, se e vërteta që vinte nga kjo përgjigje ishte për ta e papritur. Ata nuk e kishin ditur që xhaxhai, siç i thoshin, të kishte qenë xhan- dar.Ndërsa burrave të tjerë kjo nuk u bëri përshtypje, pasi plot njerëz që kishin qenë xhandarë, kishin dalë malit partizanë dhe ishin bërë bile edhe komandantë.Atyre më shumë u bëri përshtypje këmbëngulja e Islam Bylykbashit për ta pyetur me hollësi Sefer Nezhën duke dyshuar në këtë njeri.
– Pse më pyet? – tha pas heshtjes Sefer Nezha.
– Hem! Kam njohur një xhandar Nezha.Po ai e kishte emrin Lefter Nezha. Ju shembëlleni me të si dy pika uji. Ai më pati ardhur edhe në burg, pastaj u zhduk dhe s’e pashë më.Papritur në këtë sofër më doli përpara.Ju këtej nga kjo anë e keni kryer shërbimin e xhandarmërisë? – pyeti ai përnjëherësh.
– Nuk e kam kryer këtej! – u përgjigj Sefer Nezha.
– Çudi, çudi! – bëri Islam Bylykbashi.
Burrat filluan ta vështronin me vërejtje të madhe Sefer Nezhën.Në kokën e tij tani përfytyronin kapelën e xhandarit. Qerim Shagu bile u përkul mbi sofër për ta parë më mirë dhe duke e vështruar, s’u besoi syve të vet. “Vërtet qënka ai, ai xhandar Nezha që bëri sikur u hodh nga ana jonë dhe u shërbente italianëve!Ai i tëri, ai që mori bashkë me italianët mësuesin, Islam Bylykbashin!”- mendoi me vete i zoti i shtëpisë. Edhe Malka me habi të njëjtën gjë mendonte.
Sefer Nezha rrinte si në gjëmba. Kishte mbetur i vet- muar mes vështrimeve të njerëzve. E ndjente veten të huaj në këtë sofër, të huaj ndaj fshatarëve dhe të huaj ndaj dy partizanëve të rinj me shpirt të paplagosur kurrë në jetën e tyre. “Nga u shfaq ky njeri, që vetëm me fytyrën e tij të fut frikën? Nga erdhi ky njeri i harruar prej kohësh këtu mes maleve ku ka qëndruar ky batalion i përzhitur mes zjarrit të armëve dhe mes ftohtësisë së dëborërave dhe akujve?” – mendonte Sefer Nezha me sy tek gjuha e hollë e llambës lëkundej mbi oxhakun e Qerim Shagut.
Sigal