Udhëzimi i MASR, nxjerr jashtë përdorimit ‘Regjistrin mësimor’ dhe i kthen mësuesit në ‘staticien’ të INSTAT

1483
Sigal

Vazhdojnë tenderat, mbas pesë vjetëve të daljes së udhëzimit, që ktheu regjistrat në arshiva;  çfarë kanë monitoruar tërë ato drejtori ?

 Udhëzimi i Ministres së Arsimit Nr. 34, datë 11.09.2015,  nxjerr jashtë përdorimit “Regjistrin mësimor”dhe i kthen mësuesit në “staticienë” të INSTAT

Asije Hoxha

Mësuesit plotësojnë evidenca të ndryshme për çdo nxënës me forma të reja të notës. Ministria e Arsimit me këtë udhëzim arriti të shkatërrojë përfundimisht reformën e nisur në arsimin parauniversitar nga viti 2004.

Udhëzimi i ministres ka nxjerrë jashtë përdorimit regjistrin e klasës. Mësuesit plotësojnë evidenca të ndryshme për çdo nxënës me forma të reja të notës. Pyet një nxënës për notën dhe të përgjigjet: “Mora 6”, në gjuhë shqipe; mora “Arritje të pakënaqshme”, në matematikë; mora C+ në kimi; mora “Arritje që kanë nevojë për përmirësim”, në histori etj.

Ministria e Arsimit me këtë udhëzim, arriti të shkatërrojë përfundimisht reformën e nisur në arsimin parauniversitar nga viti 2004.

Gjatë viteve të demokracisë kanë ndryshuar dy herë programet dhe tekstet shkollore, të cilat i zunë frymën arsimit shqiptar. Janë nxjerrë me thasë urdhëra dhe udhëzime të ministrave, që më shumë kanë prishur, sesa i kanë dhënë një zhvillim të hovshëm arsimit parauniversitar sipas parametrave të arsimit evropian!

Nga analfabetë institucionalë nga viti në vit, u degradua arsimi sa që u arrit edhe në shkatërrimin e plotë të disa cilësive tradicionale trashëguar nga e kaluara. Sapo e kanë gërvishtur marrjen e një reforme, pa një strategji dhe platformë të re kombëtare në përshtatje me kërkesat e një shoqërie demokratike; pa një lidhje bashkërenduese programe- mësimore –tekste – udhëzime- urdhëra! Ndërhyrja arriti deri në nënvlerësimin e notës me numër rendor, duke e zëvendësuar me vlerësime të reja.

 

 

Regjistri ka qenë si një rregullator gjatë procesit mësimor.

Në Udhëzimin Nr. 34 të ministres, regjistri ka dalë jashtë përdorimit dhe përdoret si arshivë për të regjistruar vlerësimet e nxënësve në fund të çdo tremujori, dhe në fund të vitit.

Shkëputim disa nene nga Udhëzimi nr 34.

Neni 2. Vlerësimi për të nxënë i nxënësit kryhet nëpërmjet:

  1. Vlerësim i vazhduar; b. Vlerësim me test/detyrë përmbledhëse c. Vlerësim të portofolit të nxënësit.

Neni 6. Vlerësimi i të nxënit të nxënësit kryet nëpërmjet:

  1. Vlerësim periodik, b. Vlerësim përfundimtar.

Neni 3. Shënimet në evidencë mund të mbahen me notë, simbole, komente referuar niveleve të arritjes.

Shkëputim edhe disa udhëzime nga programi mësimor Lënda: Gjuhë shqipe, Shkalla: II, Klasat IV dhe V Kapitulli (fq. 46-47) për vlerësimin e nxënësit.

“…Llojet e vlerësimit: Vlerësimi diagnostikues zakonisht kryhet në fillim të vitit shkollor ose para zhvillimit të një grupi orësh… Vlerësimi i vazhdueshëm është një proces, që ndodh gjatë gjithë kohës në klasë…Vlerësimi përmbledhës kryhet më shpesh në fund të një grupi orësh, për të përcaktuar çfarë është mësuar mbas një periudhe kohe dhe shoqërohet me notë… mësuesi parashtron peshën e vlerësimit me notë të grupit, në tërësi, dhe të secilit nxënës, në veçanti…

I.

  1. Në programet mësimore 2014 -2018, vlerësimi me notë është taksative për të gjitha llojet e temave mësimore. Duke u nisur nga ky vlerësim edhe ndërtimi metodik i tekstit mësimor realizohet në funksion të këtij vlerësimi. Në udhëzim rekomandohen disa lloje vlerësimi

Mësuesja ndodhet përballë dy alternativave: 1. Vlerësimi vetëm me notë sipas kërkesës në program. 2. Vlerësimi me notë, simbol, dhe me komente sipas udhëzimit Nr. 34!

Fëmijët për moshën e tyre, vlerësimet me përshkrim, me notë, me simbol janë të shumta dhe të pakuptueshme! As prindërit nuk kanë durim t’i dëgjojnë, kur realiteti i përparimit të fëmijës lë për të dëshiruar.

  1. Në programin mësimor lexojmë tri lloje vlerësimi: a.Vlerësim diagnostikues; b.Vlerësim i vazhdueshëm;c. Vlerësim përmbledhës

Në Udhëzimin Nr. 34 lexojmë pesë lloje vlerësimi a. Vlerësim i vazhduar, b. Vlerësim me test /detyrë përmbledhëse, c. Vlerësim me portofol, e. Vlerësim periodik, f. Vlerësim përfundimtar.

Nuk kemi një linjë të plotë për llojet e vlerësimit në udhëzim me programin mësimor.

III. Sa efektive dhe me përdorshmëri në shkolla janë nenet e udhëzimit Nr. 34? Nene që ia kanë zili dhe punonjësit e INSTAT!

Shkëputim një fragment nga neni 3.

“Për vlerësimin e vazhduar, mësuesi mban shënime në evidenca për çdo nxënës, lidhur me arritjen e rezultateve të të nxënit. Udhëzimi shoqërohet dhe me formatin dhe kërkesat e evidencës, bashkangjitur këtij udhëzimi. Evidenca përmban:

Titulli: “Evidenca tremujore për vlerësimet e nxënësve për kurrikulën me kompetenca në arsimin bazë  – Klasa ..Tremujori. Emër -Mbiemër..Muajt -Datat.. Komente..”

Si duhet ta praktikojë mësuesi evidencën?

Evidenca është e paplotësuar në kërkesa. Çfarë duhet të kuptojë mësuesja me kolonën komenti!? Kërkesat janë thjesht informuese për nxënësin. Sa e realizueshme është kjo edhe nga ana praktike e plotësimit të evidencës për 200-300 nxënës? Tashmë është i njohur fenomeni i përkthimit të metodikave mësimore nga vende të ndryshme, që nuk i përshtaten përmbajtjes së teksteve tona shkollore! Mbase dhe ky udhëzim është thjesht një përkthim!

  1. Sa kohë i duhet mësuesit për të organizuar një formë mësimi dhe vlerësimi sipas këtij udhëzimi?

Në portalin e MASR si shkëmbim experience, jepen përvoja të disa mësuesve.

Lexojmë nga portali, si e realizon një mësuese nga Fieri, portofolin e nxënësit?!

Në udhëzimin Nr. 34 lexojmë: Portofoli i nxënësit përmban:

  1. Punë dhe detyra të pavarura, të kryera në klasë dhe jashtë saj; b. Projekte individuale ose në grup; c. Detyra dhe kontribute të nxënësit, të cilat janë dëshmi e talentit e hulumtimeve praktike, e punëve tematike (me shkrim-audovizuale etj.) d. Vetëvlerësimet e nxënësit;
  2. Reflektime të prindit ndaj ecurisë së fëmijës.

Mësuesja nga Fieri jo vetëm që pasuron llojet që përmban portofoli, por shton edhe disa vlerësime që janë të domosdoshme. Konkretisht:

  1. Fletë vetëvlerësimi ku shprehen opinione dhe mendime të nxënësve për punimet individuale, për shokun/ shoqen, për punët e përbashkëta në grup etj.
  2. Diktime, teste dhe detyra kontrolli të kryera nga mësuesi, drejtoria e shkollës apo DAR/ZA –ja.
  3. Përderisa portofoli është individual dhe demonstron procesin e të nxënit duhet të ketë një autobiografi të nxënësit. Për ciklin e mesëm të ulët duhet të jetë e strukturuar në formën e një CV-je të thjeshtë profesionale.

Sipas portofolit të kësaj mësuese kemi një pasurim dhe plotësim të udhëzimit të ministres. Nga 5 lloje tematike për vlerësim, mësuesja pasuron përmbajtjen dhe portofolin me kërkesa shtesë, si një autobiografi në formën e një CV-je, diktime për të përgatitur nxënësit për detyra kontrolli nga drejtoria e shkollës etj.

 

  1. Lexojmë nga neni 7 i Udhëzimit: Vlerësimi i nxënësit në klasat I-III.

“Vlerësimi i nxënësit bëhet me përshkrim dhe realizohet me pesë shkallë vlerësimi: Shkalla 1. “Arritje të pakënaqshme, kur nxënësi nuk përmbush kërkesat bazë të të nxënit..” Shkalla 2. “Arritje që kanë nevojë për përmirësim”. ..Shkalla 3. “Arritje të kënaqshme”… Shkalla 4. “ Arritje shumë të kënaqshme”.. .Shkalla 5. “Arritje të shkëlqyera”…

Vlerësimet janë të një niveli të ulët përshkrimor. A mundet që nxënësi i ciklit fillor të kuptojë dhe të dallojë vlerësimet ndërtuar me të njëjtën temë: “Arritje të pakënaqshme”..

A ka kohë të tepërt mësuesja që të zbërthejë vlerësimin me përshkrim pa kuptim, sipas udhëzimit?

Këtë e bën mësuesja nga Miloti në portalin e MASR.  Mësuesja rendit pesë nivele (me të drejtë dhe jo shkallë sipas udhëzimit) duke i shtuar udhëzimit dhe kuptimësinë e plotë të përshkrimit dhe duke e konvertuar me notë,si: “Niveli i parë: Nuk i përmbush rezultatet e të nxënit, ka boshllëqe dhe mangësi dhe përkon me vlerësimin: “Arritje të pakënaqshme’” (Nota 4).(krahaso me Shkallën e parë të vlerësimit në udhëzim: “Arritje të pakënaqshme kur nxënësi nuk përmbush kërkesat bazë të të nxënit..) etj.

Sa kohë i është dashur kësaj mësuese për të realizuar saktë kërkesat e udhëzimit për klasën e 1,2, 3 të arsimit fillor? Orë të tëra! Por a mund të realizojnë mësuesit këto kërkesa të tejskajshme për çdo nxënës. Kini parasysh se një mësuese e ciklit të ulët, jep disa lëndë. Shumë mësues për këto klasa përdorin simbole, që mendojnë se janë më të thjeshta dhe praktike për moshën e nxënësve.

Për të vërtetuar ngarkesën e mësueses dhe shndërrimin e orës mësimore në grumbullim me shënime për çdo nxënës sipas kërkesave të Udhëzimit, po vazhdojmë me analizën e mësueses nga Miloti:

Lënda: Gjuhë shqipe 3

210 orë mësimore në një vit mësimor dhe 210/3=70+ – orë mësimore në një periudhë tremujore.

Periudha e parë shtator-dhjetor të vitit mësimor 2018-2019

27 tema mësimore =6 vlerësime.

72 tema mësimore =?=>zbatohet rregulla e treshit dhe del 72.6:27=16 vlerësime për një periudhë tremujore.

Portofoli i nxënësit në klasën e tretë të arsimit fillor

15% e 16 vlerësimeve. Dalin 2.4 afërsisht, 2 detyra shtëpie.

30% e 16 vlerësimeve. Dalin 4.8 afërsisht 5 vlerësime nga ku kemi 1 detyrë klase dhe 4 përgjigje me gojë.

25% e 16 vlerësimeve. Dalin 4 vlerësime ku kemi 3 punime te ndryshme  dhe 1 projekt.

30% e 16 vlerësimeve. Dalin 4.8 afërsisht 5 vlerësime nga ku kemi 4 detyra kontrolli apo detyra përmbledhëse dhe 1 test për periudhën tremujore.

Siç e shohim kemi 16 vlerësime gjithsej, vazhdon kalkulimi i mësueses, të cilat duhet të shënohen në evidencë ditore duke e përshkruar çdo detyrë me koment, sipas nivelit të arritjes. Këtij kalkulimi të saktë për t’u praktikuar nga mësues të tjerë, zbeh udhëzimin e ministres që është skematik dhe i papraktikueshëm nga mësuesit.

Me këto kërkesa mësuesi duhet të merret disa orë në ditë mbas procesit mësimor, mbas kohës së përgatitjes së ditarit, mbas stdudimit të një literature ose dokumenti për të pasuruar temën mësimore. Duke u marrë mësuesi me të gjitha këto procese, që i përkasin profesionit të tij, a i lind koha për t’u marrë me tërë këto vlerësime për 200- nxënës për secilën lëndë?

  1. Lexojmë nga Neni 8 i udhëzimit të ministres:

Vlerësimi periodik kryhet në fund të një periudhe tremujore. Dhe jepet në tre nota të veçanta.

Për vlerësimin e vazhduar, për vlerësimin përmbledhës, për vlerësimin e portofolit.

Këto vlerësime konvertohen në notë dhe hidhen në regjistër.

Lexojmë nga neni 9

“a. Vlerësimi i vazhduar, përbën 45% të vlerësimit përfundimtar. b. Vlerësim me test detyrë përmbledhëse 30%. c. Vlerësim i portofolit të nxënësit 25%

Neni 9 vazhdon:

Hapat për njësimin e notës përfundimtare janë:

  1. Përcaktohet nota vjetore e vlerësimit të vazhduar (NVv) pas konvertimit të simboleve në nota.
  2. Përcaktohet nota vjetore e testit/ detyrës përmbledhëse. (NTp).c. Përcaktohet nota vjetore e portofolit të nxënësit (NVp).d. Shumëzohet secila prej notave me përqindjen përkatëse.
  3. Mblidhen këto prodhime dhe shuma rrumbullakoset me numër të plotë (p.sh 8,8 ≈ 9)
  4. Formula klasa IV – V: nota përfundimtare = (NVV  x 0,45) + (NTP x 0, 3) + (NVP x 0.25)
  5. Formula klasa VI – IX: nota përfundimtare = (NVV  x 0,4) + (NTP x 0, 4) + (NVP x 0.2)

Mësuesi kthehet në kalkulues të përqindjeve, të cilat tashmë kanë arritur shkallën më të lartë të një pune të pallogaritur dhe të parealizueshme të mësuesit!(shih figura 2) Me tërë këto tema mësimore dhe lloje të vlerësimeve, padyshim që mësuesi do të kalojë në vlerësime formale. Në kohën e monizmit ishte vetëm vlerësimi me notë nga 1-10, dhe bëhej vlerësim ditor, ku mësuesja kombinonte vlerësimin për të nxënë me vlerësimin e të nxënit. Duke u mbështetur në këto dy vlerësime, mësuesja realizonte vlerësimin përfundimtar.

 

 Udhëzimi vazhdon

 

Fëmijët për moshën e tyre vlerësimet me përshkrim, me notë, me simbol janë të shumta dhe të pakuptueshme! Pyet një nxënës për notën të përgjigjet: “Mora  6 në gjuhë shqipe, mora “Arritje të pakënaqshme”, në matematikë. Mora C+ në kimi,. “Mësuesit vazhdojnë të plotësojnë evidenca me këto vlerësime, që as prindërit nuk kanë durim t’i dëgjojnë kur realiteti i përparimit të fëmijës lë për të dëshiruar. Regjistri i klasës vazhdon formalisht të përdoret vetëm për mungesat dhe temat mësimore! Regjistri ka qenë dokumenti më i rëndësishëm për zhvillimin normal dhe me kompetencë të orës mësimore. Regjistri ka qenë si një rregullator gjatë procesit mësimor.

Në Udhëzimin Nr. 34 të ministres, regjistri ka dalë jashtë përdorimit dhe përdoret si arshivë për të regjistruar vlerësimet e nxënësve në fund të çdo tremujori, dhe në fund të vitit.

Lind pyetja, do të vazhdojë të jetë në fuqi Udhëzimi i ministres, që sa vjen dhe është kthyer në një përdorim formal, ku mësuesit duke mos arritur të zbatojnë udhëzimet pambarim bëjnë vlerësim fiktiv?

Do të vazhdohet që nxënësit brenda një dite të marrin vlerësime të ndryshme për lëndë të ndryshme dhe nga mësues të lëndëve të ndryshme!

Lind pyetja, do t’i kthehet regjistrit vlera e dikurshme sa praktike aq edhe productive, duke e pasuruar atë me disa kërkesa vlerësimi?

 

Për zbatimin dhe realizimin me sukses të këtij Udhëzimi, Ministrja ngarkon: “Sekretari i përgjithshëm, Drejtoria e Arsimit parauniversitar në MAS, Instituti i Zhvillimit të Arsimit, Agjensia kombëtare e Provimeve, Inspektoriati Shtetëror, Njësitë arsimore vendore dhe shkollat.” Mbas pesë vjetëve të daljes së këtij udhëzimi, çfarë kanë monitoruar tërë ato drejtori dhe si e drejtojmë pyetjen, cili është mendimi i institucioneve të mësipërme!?

Formalizmi ka mbushur evidencat, për regjistrat vazhdojnë tenderat, megjithëse janë kthyer në arshiva që përdoren vetëm në fund të tremujorit dhe të vitit!

 

 

 

 

 

 

*******************************************