Besnik NALLBANI/ (Mos)Vlerësimi dhe (mos)motivimi i arsimtarëve nga ministria e arsimit

747
Sigal

Rastisa në një bisedë me 5 punonjës të arsimit,vitet e punës së të cilëve ishin së bashku mbi 200 vjet (secili mbi 40 vjet punë) Në bisedë e sipër, pyeta nëse ndonjëri prej tyre mbante ndonjë titull, meqenëse pothuajse të gjithë ishin figura të njohura në opinionin e gjerë të kryeqytetit. Sigurisht, në këto raste asnjëri prej tyre nuk mund të fliste  për vetveten, por biseda u zhvillua për vlerësimin e arsimtarëve në përgjithësi, pra në shkallë  Republike.

Mendimi unanim i të gjithëve ishte se arsimtarët kanë vite (që nga periudha 1992-1996) që nuk marrin tituj, apo më saktë nuk u akordohen tituj. Para 1996 siç duket u dhanë me tepri, madje kryesisht të një krahu sipas preferencave të partisë në pushtet dhe më pas çdo gjë u shua…
Është fare e papranueshme, kur kudo flitet që arsimi është prioritet i çdo qeverie, e ndërkohë që, për vlerësimet konkrete në këtë sektor kaq të rëndësishëm nuk ka asnjë motivim.
Vallë në të gjithë këtë armatë që numëron me qindra e mijëra arsimtarë, që gjithë jetën ia përkushtojnë mësimit dhe edukimit të brezave të rinj, të mos ketë dhënie titujsh e dekorime?!
Për momentin m’u kujtuan vargjet e Kadaresë :

Dhe ato presin makinën tjetër
Atje në rrugë,atje në shi
Ato të urtat gjer në dhembje
Të thjeshtat gjer në madhështi
Pluhuri i shkumësit vello e bardhë
U bie mbi supe e i trondit.
…………………………………………….

Vazhdimisht dëgjojmë që në sferën e  kulturës jepen tituj “Mjeshtër” apo “Mjeshtër i Madh” dhe vetvetiu të lind pyetja e thjeshtë : Si ka mundësi që asnjë mësuesi apo drejtuesi për vite me radhë të mos i akordohen këta tituj?! Përse kjo kategori kaq e rëndësishme të privohet  nga titujt? Përse kjo neglizhencë apo mos vëmendje totale për këtë sektor kaq të rëndësishëm dhe jetik nga drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Arsimit dhe vetë qeveritë. Mos vallë edhe dhënia e titujve ka efekte financiare dhe duhet të kursejmë…?! Kur realisht titujt nuk shoqërohen me vlera monetare ?!
Procedura e dhënies së titujve është e njëjtë për të gjithë  sektorët, e jo vetëm për njerëzit e artit, ku siç duket Ministria e Kulturës zë vendin e parë, madje, shpesh shquhet edhe për një zell të veçantë, kur këta tituj propozohen e më pas dekretohen pa kritere të rrepta, duke ua ulur edhe vlerën reale të tyre kur bëhen me tepri… Nga ana tjetër Ministria e Arsimit bën të kundërtën, madje më të keqen, që për vite me radhë e ka mbyllur këtë kapitull…
A është e drejtë që këto propozime për vlerësimin dhe dekorimin e mësuesve të jenë atribut i dëshirës apo mos dëshirës së personave të veçantë që drejtojnë këto ministri dhe që ndërrohen herë pas here, kur njerëzit në  bazë e fillojnë dhe mbarojnë gjithë karrierën e tyre profesionale në këtë sektor kaq të rëndësishëm. A ka kuptim që për ndonjë individ kujtohen t’i japin këto tituj vetëm pas vdekjes ?!
U nxita të bëja këtë shkrim edhe nga fakti se në këtë bisedë të rastësishme ishte edhe z.Jorgo Papingji, një mësues dhe drejtues i suksesshëm i arsimit, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi tërësisht arsimit,në të gjithë kategoritë e shkollave, si në arsimin bazë dhe të mesëm,si në qytet dhe në fshat dhe ku gjithmonë ka qenë model për mësuesit dhe drejtuesit kolegë. Me të drejtë Ministria e Kulturës e propozoi për titullin “Mjeshtër i Madh” në sferën e kulturës, ku ai ka kontribute të veçanta e të merituara dhe kur ky titull iu akordua nga Presidenti i Republikës, por më shumë mund e djersë, më shumë vlera e kontribute profesionale e shoqërore ky person ka ne sferën e arsimit dhe që fatkeqësisht nuk u kujtua njeri…
E mora këtë shembull për të vërtetuar pohimin se, Ministria e Arsimit “e ka harruar” jo Jorgon, por një nga detyrat e saj: stimulimin dhe vlerësimin e shumë  Jorgove, në fshatra e qytete, që realisht ndërtojnë themelet dhe vënë tullat për arsimimin e brezave të rinj dhe mbajnë më këmbë  “godinën” që quhet Ministria e Arsimit dhe  Sportit”
Mendoj se ministrja e re, e cila vjen drejtpërsëdrejti nga baza, si mësuese dhe drejtuese e shkollës, nuk do të harrojë kolegët e saj e do të dije t’i stimulojë e vlerësoje këta njerëz te thjeshtë, punëtorë të arsimit, duke e konsideruar këtë një problem “jo të vogël e të parëndësishëm”, siç kanë bërë paraardhësit e saj, por si një vlerësim real të shkollës  dhe arsimit në tërësi.