Danel CANA/ Greqia i nxjerr jashtë skemave të ndihmës emigrantët shqiptarë

495
Sigal

Kriza ekonomike në Greqi, ka nxitur Parlamentin Europian, BE-në, të mos e braktis Greqinë, por ta përfshijë në paketa ndihmëse për gjithë qytetarët e saj.

Një nga këto paketa është e mbështetur edhe vendimi që mori Parlamenti grek dhe qeveria greke, në mars të këtij viti, për të dhënë një ndihmë ekonomike të gjithë qytetarëve, të cilët kishin mbi 10 vjet që bënin rregullisht deklarimin e pasurisë në zyrat e taksave (ose gr. Forologjiki Dhilosi stin Eforia) dhe të gjithë ata qytetarë që kanë fëmijë nën moshën 18 vjeç, përfitojnë një ndihmë mujore 40 euro në muaj. Si gjithmonë ligjet e qeverisë, ndryshe thuhen dhe ndryshe zbatohen…! Sepse nga rruga e parlamentit ku deklarohet aprovimi i ligjit deri tek dera e zbatuesit që është punonjësi i administratës shtetërore, pëson shumë ndryshime dhe asnjëherë nuk kanë arritur pa ndryshime. Në këtë rast Greqia i nxjerr jashtë skemave të ndihmave emigrantët shqiptarë, të cilët përfitojnë nga këto ndihma, si qytetarë, të cilët bëjnë deklaratën e të ardhurave normalisht si gjithë qytetarët e tjerë grekë, për një periudhë 20 vjeçare. Por kjo statistikë nuk ndikon në mendjen dhe ndërgjegjen e nëpunësit të administratës greke sepse vërtet është qeveria që nxjerr ligjet…, por është dhe “Maliqi” që i zbaton ato ligje dhe për këtë nuk ka kush e kontrollon!
VO : – Nuk kundërshtohet asnjë emigrant tjetër, turk, rumun, bullgar, kinez etj…!!
Të gjithë emigrantët në Zakinthos, të cilët nuk janë jashtë krize, por janë më të vuajturit nga kriza ekonomike për arsyet raciste në radhë të parë, si përjashtimi nga paketat e ndihmës, pushimet e para nga puna, përjashtimi nga asistenca sociale me pretekst shkuarjen sikur edhe një ditë të vetme në atdheun e tij.
Nuk është hera e parë një shprehje kaq e hapur raciste për shtetin grek… Por ajo që është dhe mbetet pa përgjigje për ne emigrantët shqiptarë është se: Përse mbas 20 vjet emigrimi të rregullt në Greqi, të trajtohemi si “delja e zezë”!?
Duhet të mësojnë të gjithë jo vetëm shqiptarët, por edhe europianët se ndërprerja e asistencës sociale, “Tamio anergjias”, e cila jepet nga zyrat e OAED-it, në bazë të kritereve të punës së kryer nga emigranti, ndërpritet në rastet e daljes së emigrantit jashtë Greqisë.
Dokumenti bazë që vërteton daljen e emigrantit jashtë Greqisë është pasaporta, vulat e hyrjes dhe daljes në pikën kufitare me Shqipërinë, e cila është e vetmja pikë që vendos vula! Është e pamundur t’i ndërpritet kjo asistencë një emigranti tjetër, si: Bullgaria, Rumania, Italia, të cilat kanë mjaft emigrantë, por që nuk marrin vula në pasaportë dhe lëvizja e tyre është e lirë!
Këtë hollësi nuk e përmend “ligji”, një ligj i aprovuar më 1967, doli në skenë më 2005 dhe nuk jam i sigurt nëse është ri/aprovuar më nga Parlamenti grek!
E kemi përmendur shumë herë të tjera se emigrantët shqiptarë janë të përjashtuar gjithmonë nga skemat e ndihmës, të shkollimit, të punësimit që akordohen nga BE-ja për emigrantët, me pretekstin e vetëm : “Iste Alvani”!..(jeni shqiptar!).
Kjo të nderuar lexues është Greqia kapriçoze…apo kapriçoja greke…quajeni si të doni, por nuk është e moralshme të thuhet se: Greqia i ka integruar emigrantët…! Siç thuhet rëndom nga dikush që kërkon t’i bëj qejfin, vetes dhe të tjerëve…! Mirë është që të dëgjohet zëri origjinal i emigrantit dhe për këtë jemi ne që i vuajmë ekstremitetet që nga ligjërimi me dokumente, i cili ka shkatërruar dhe po shkatërron përditë shumë e shumë familje shqiptare, duke e ndarë mbas 20 vjetësh fëmijën nga prindi, me pretekstin e papunësisë! Duke vazhduar me shkollimin në gjuhën amtare, e cila është një “vrimë e zezë” dhe po gëlltit gjithë masën e emigrantëve drejt ç’kombëtarizimit dhe duke vazhduar pastaj me paketat e ndihmave, të cilat jepen në bazë të prejardhjes kombëtare dhe jo si qytetar i denjë i këtij shteti europian. Në cilin vend të botës ndodh që Babai, i cili ka tërhequr familjen para 20 vjetësh në një vend emigrimi është ai që ishte baza e marrjes së dokumentit edhe për të gjithë familjarët e tjerë…dhe mbas 20 vjetësh mbetet i papunë dhe i hiqet e drejta e qëndrimit?! Ku ndodh kjo të më thotë dikush që e di, sepse është jashtë çdo logjike njerëzore!
Përveçse në Greqi! Ku ndodh që një femër e martuar me një emigrant, mbetet shtatzënë dhe nuk i lejohet qëndrimi jashtë afatit kohor të pasaportës (75 ditë) sepse kaq njeh Greqia jo 90 ditë si gjithë Europa! Kur shkuam për një rast të tillë në polici na u përgjigjën: – Ligji Europian e përmban që t’i jepet shtyrje në këtë rast gruas, duke paraqitur arsye shëndetësore me vërtetimin e mjekut, por ne kemi “rekomandim nga lart!” për të mos lejuar raste të tilla dhe aq më tepër për shqiptarët, të cilët nuk lënë mënyrë pa përdorur për të thyer afatet! Kjo ishte përgjigja e drejtorit të policisë në Zakynthos. Është detyra e mekanizmave të shtetit tonë që ka në Greqi për t’i zgjidhur dhe ndaluar këto fenomene. Por shteti shqiptar nuk ka dalë nga gjumi letargjik akoma për këto çështje, të cilat aq më keq i konsideron si çështje të dorës së fundit.