Mësuesit e minoritetit – letër Nikollës: Gjuha greke të jetë provim me zgjedhje

604
Sigal

Letra e dytë për ministren e Arsimit dhe Sportit. Kërkohen  tekste në gjuhën greke dhe rishikim i toponimeve

SARANDË- Brenda një afati kohor të katër muajve, shoqatat e mësuesve të minoritetit etnik grek në Shqipëri, i drejtohen me një letër të dytë ministres së Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë, zj. Lindita Nikolla. Këtë e bën të ditur për “Telegraf” njëri nga tre pjesëmarrësit dhe firmëtarët e letrës, drejtuar ministres më 23 Janar 2014, Kryetari i Shoqatës së Arsimtarëve Minoritarë të Delvinës, z. Panajot Boli. Në prononcimin e z.Boli theksohet fakti se tre shoqatat e mësuesve të minoritetit etnik grek në Shqipëri, ajo e Sarandës, Delvinës dhe Gjirokastrës, pasi janë mbledhur dhe diskutuar në një takim të përbashkët në qytetin e Gjirokastrës, kanë hartuar dhe një letër të dytë të përbashkët drejtuar Ministres së Arsimit shqiptar, kjo e diktuar pas moskthimit të përgjigjes së letrës së parë kësaj ministrie në muajin Tetor 2013, fati i së cilës nuk dihet nëse ka mbërritur deri në duart e ministres apo jo. Arsyetimi që sillet në letrën e dytë dhe shkak i subjektit të saj, është shqetësimi për jo vetëm mungesën e teksteve shkollore të arsimit parauniversitar në gjuhën greke, por edhe ato që janë në qarkullim, janë jashtë standardeve dhe kërkesave të përzgjedhjes së altertekstit. Dhe duke parë këtë gjendje shqetësuese që është krijuar në shkollat e pakicës kombëtare greke në Shqipëri (sidomos në jug të vendit), tre shoqatat e arsimtarëve minoritarë, në një emërues të përbashkët, i janë drejtuar ministres së MAS, për normalizim të situatës, duke i vënë në dukje ato më shqetësueset dhe më të zgjidhshmet, ku veçohen tri pika:

1-Këtë vit mësimor, më keq se asnjëherë tjetër, shkollat tona janë pa libra për lëndët që zhvillohen në gjuhën amtare. Me gjithë premtimet nga ana e shtëpisë botuese shtetërore se tekstet do vijnë në Nëntor, Dhjetor, apo fillim viti, akoma situata mbetet ajo e fillimvitit të ri shkollor, me shumë pak libra, dhe ato me cilësi të dobët. Ne kishim një seri me libra të gjuhës greke shumë të mire, të miratuar nga MAS, brenda të gjitha standardeve që ajo kërkon, të cilat ishin vlerësuar edhe nga organizma ndërkombëtare. Për çudi, dhe pa asnjë arsye, ato hiqen nga qarkullimi dhe zëvendësohen me libra që nuk u përgjigjen  shumë prej kërkesave të altertekstit, as asaj më elementare, të jenë brenda programit të MAS.

2-Në Udhëzimin Nr.60, dt. 26-12-2013 “Për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore”, hiqet nga provimi lënda e gjuhës greke si lëndë me zgjedhje, ndërsa ne kemi propozuar të kundërtën, që ajo për fëmijët tanë të jetë provim i detyruar, siç është gjuha amtare për fëmijët shqiptarë.

3-Problem shqetësues për fëmijët dhe mësuesit tanë janë tekstet dhe programet e Historisë dhe Gjeografisë së Shqipërisë, përsa i përket përmbajtjes së tyre. Kërkojmë që fëmijët tanë të mos zhvillojnë tema, të cilat krijojnë keqkuptime dhe tensione në marrëdhëniet midis dy popujve.

Me këto tri pika kryesore, Shoqata e Mësuesve Minoritarë, e firmosur nga kreu i Sarandës, Vangjel Baxhaqi, i Delvinës Panajot Boli dhe i Gjirokastrës Pandeli Papa, kërkohet që ministrja të ndërhyjë në mënyrë të menjëhershme për stabilizim të situatës që edhe fëmijët minoritarë të shkollohen dhe të ndihen të barabartë me gjithë moshatarët e tyre në Shqipëri

Po si është situate në të vërtetë? Për këtë Panajot Boli, kreu i shoqatës së Delvinës, sjell një panoramë të gjendjes dhe pasi e quan si vitin më të vështirë në shkollat e tyre në këto 23 vite të demokracisë, thotë se nga 101 tekste (tituj librash) që duhet të vijnë në shkollat minoritare sipas programit mësimor të MAS, nga të cilat 66 për arsimin e detyruar dhe 35 për arsimin e mesëm, deri në momentin e tanishëm kanë ardhur vetëm 14 tituj, dhe nga këto 14 tituj , vetëm 8 prej tyre kanë ardhur për të gjithë nxënësit, ndërsa për 6 të tjerat në më pak se gjysmat e nxënësve për nevojat e shkollave. Pra në këtë situatë është i pamundur zhvillimi normal i procesit mësimor në këto shkolla. Z.Boli nënvizon se arsimin shqiptar nuk e ka gjetur asgjë e keqe nga bashkëpunimi midis dy vendeve dhe zhvillimi i seminareve në Greqi dhe këto kultura kanë ecur paralelisht dhe kanë ndërtuar ura të bashkëpunimit dhe ekuilibrave në rajon. Këtu po sjell edhe një shembull se si një pedagog nga Selaniku, në një vizitë në Shqipëri dhe pasi vizitoi shkollat tona, bëri çudi me tekstin e Fizika 7 dhe e mori për ta adoptuar edhe në Greqi, aq i pëlqeu cilësia. Ndërkohë që Universiteti i Janinës do të botojë 24 tekste, 12 për mësuesit dhe 12 tekste me materiale ndihmëse për lëndë të ndryshme, kjo në bashkëpunim me shoqatën e arsimtarëve minoritarë. Pra, një kontribut  dhe një shkëmbim përvojash  dhe integrim për arsimin shqiptar në tërësi. Por, problemi më i mprehtë që nuk ka gjetur zgjidhje, është a i teksteve të Historisë dhe Gjeografisë. Më herët akoma, kjo i është bërë prezent edhe ish-kryeministrit Berisha në një takim në Delvinë, i cili pasi iu bë prezent kjo çështje, nënvizoi domosdoshmërinë e pastrimit të këtyre teksteve, “por ajo që na pengon për ta bërë këtë, tha ish kryeministri Berisha, është mentaliteti ballkanas dhe këtë mentalitet po ta kishte Franca, Gjermania, apo vendet e tjera të zhvilluara europiane, nuk do kishim kurrë një Europë të bashkuar”. Akoma fëmijët e këtij komuniteti do ti ushqejmë me këto helme?- pyet z.Boli, teksa prononcohet për “Telegraf” në lidhje me situatën e shkollave të minoritetit etnik grek në jug të Shqipërisë.