Mbetësit, ja datat e provimeve të vjeshtës për maturantët dhe nxënësit e 9-vjeçares

787
Sigal

MASH/Publikohet udhëzimi i sesionit të dytë për Provimet e Lirimit dhe të Maturës Shtetërore 2013

Ministria e Arsimit ka shpallur datat për provimet e vjeshtës, për ata nxënës që kanë rezultuar mbetës në provimet Lirimit dhe të Maturës Shtetërore. MASH ka vendosur datat për maturantët dhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare që rezultuan mbetës në provimet e Maturës Shtetërore dhe ato të Lirimit. Ndërkohë ka një numër të konsiderueshëm maturantësh, të cilët kanë më shumë se një provim për të dhënë në sezonin e vjeshtës. Sezoni i Vjeshtës, sipas MASH, u rikthye sërish për t’u dhënë maturantëve mbetës një shans të dytë.

Udhëzimi i plotë

Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit nr. 69, datë 27.06.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 1013, datë 10.12.2010 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP)”, udhëzoi:

Provimet e sesionit të dytë të provimeve të lirimit 2013, të zhvillohen në datat si më poshtë:

a. Gjuha Shqipe dhe Letërsia, 03 shtator 2013

b. Matematika, 05 shtator 2013

Në sesionin e dytë, Provimet e Lirimit të fillojnë në orën 10:00. Procedurat e hartimit të testeve përcaktohen në “Rregulloren për Provimet e Lirimit në Republikën e Shqipërisë” nr.154, datë 11.01.2013. Provimet e lirimit zgjasin 2 orë e 30 minuta.

Provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2013, zhvillohen në datat:

Gjuha Shqipe dhe Letërsia  17 shtator 2013

Matematika   19 shtator 2013

Provimet me Zgjedhje  21 shtator 2013

Në  sesionin e dytë, provimet e Maturës Shtetërore të fillojnë në orën 09:00. Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat 13 kërkesa të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 kërkesa të jenë me zhvillim dhe të vlerësohen me 37 pikë. Provimet e lëndëve të detyruara të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Procedurat e hartimit të testeve përcaktohen në “Rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore në Republikën e Shqipërisë” nr. 818, datë 06.02.2013. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 10 pikë, kurse 20 pyetje të jenë me zhvillim dhe të vlerësohen me 30 pikë. Provimet e lëndëve me zgjedhje të zgjasin 3 orë. Maturantët që kanë vetëm një provim me zgjedhje do të hyjnë në orën 10.00.

Në provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2013 kanë të drejtë të marrin pjesë:

a)         maturantët/kandidatët që rezultuan mbetës në një ose me shumë provime në sesionin e parë të maturës shtetërore 2013;

b)         maturantë që rezultuan mbetës në vitin shkollor 2012-2013 dhe i shlyejnë provimet shkollore në datat 4 dhe 6 shtator 2013;

c)         kandidatët që kane përfunduar shkollën e mesme para vitit 2013, por nuk kanë shlyer detyrimet e maturës shtetërore dhe për arsye të ndryshme, nuk kanë plotësuar formularin A1Z.

d)         kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm të ngritur në MASH.

Për maturantët e pikave a,b është i vlefshëm formulari A1 për dhënien e provimeve të sesionit të dytë. Kandidatët e pikave  c,d, që do të japin provimet në sesionin e dytë, të regjistrohen në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm ose në shkollën që i cakton DAR/ZA e vendbanimit. Për këtë kategori plotësimi i formularit A1Z do të bëhet nga data 2 deri 11 shtator 2013. Drejtori i shkollës të dërgojë zyrtarisht në DAR/ZA listën e kandidatëve që do të marrin pjesë në provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2013, në datën 12 shtator 2013. Drejtori i DAR/ZA-së dërgon këtë listë në AKP në datën 12 shtator 2013.

Administrimi i provimeve

Provimet të zhvillohen të përqendruara në Drejtoritë Arsimore Rajonale. ZA Tropojë, ZA Lushnjë dhe ZA Sarandë i zhvillojnë provimet në qytetet e tyre. ZA Delvinë i zhvillon provimet në qytetin e Sarandës. Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe drejtoritë e shkollave marrin masa për njoftimin e maturantëve/kandidatëve për datat, mjedisin dhe orën kur do zhvillohen provimet e sesionit të dytë. Drejtori i DAR-së, brenda datës 9 shtator 2013, njofton zyrtarisht AKP-në për mjedisin ku do të zhvillohen provimet e sesionit të dytë. Në DAR-të ku rezulton se numri i maturantëve/kandidatëve është më  i madh se 500, mund të përdoren 2 mjedise. Administrimi dhe zhvillimi i provimeve të sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2013, të bazohet në “Rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore në Republikën e Shqipërisë” nr. 8l8, datë 06.02.2013.

Hartimi dhe vlerësimi i testeve të provimeve të sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2013

Procedurat e hartimit të testeve të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje në sesionin e dytë, përcaktohen nga AKP. Pas zhvillimit të çdo provimi të sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2013, testet e maturantëve/kandidatëve të dërgohen nën masa të rrepta sigurie në godinën e AKP-së. Vlerësimi i testeve të Maturës Shtetërore 2013, të ndjekë procedurat e përcaktuara në rregulloren e Maturës Shtetërore 2013.

Punonjësit që angazhohen jashtë kohës normale të punës në procesin e administrimit dhe të vlerësimit të provimeve të  Maturës Shtetërore 2013, të paguhen sipas akteve nënligjore në fuqi. Shpenzimet e udhëtimit, hotelit dhe ushqimit të specialistëve të përfshirë në këtë proces të mbulohen nga institucionet përkatëse.