Matura 2013, rezultatet për provimin e lëndëve me zgjedhje nën nivelin mesatar

798
Sigal

MASH/Publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Rezultatet e provimeve me zgjedhje

Përfundon korrigjimi i testeve të lëndëve me zgjedhje. Ministria e Arsimit ka publikuar gjatë ditës së djeshme rezultatet për rreth 50 mijë maturantët e përfshirë në provimin e lëndëve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2013. Rezultatet e plota të arritura nga secili maturant do t’i gjeni të detajuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit. Maturantët mund t’i gjejnë notat që kanë marrë, duke gjetur në listë ID-në e tyre, ku përbri tyre janë shënuar në mënyrë të detajuar nota e përshkallëzuar e lëndës së parë me zgjedhje Z1 dhe nota e përshkallëzuar e lëndës së dytë me zgjedhje Z2, me të cilat kandidati është vlerësuar në provimin e lëndëve me zgjedhje. Me sy të lirë kupton që niveli i arritur në provimet me zgjedhje nuk është ashtu siç është pritur, apo përfolur. Duket qartë se mbizotërojnë notat nën mesataren, kryesisht 5, 6 dhe 7. Vërehet një numër i madh notash ngelëse, madje ka maturantë të cilët kanë ngelur në të dyja lëndët që kanë zgjedhur. Dhjetat absolute numërohen me gishtat e dorës.  Sipas MASH, çdo test ka kaluar minimalisht në duart e dy korrigjuesve, dhe në rastet kur mes tyre ka pasur diferenca në vendosjen e pikëve, testi është korrigjuar nga një vlerësues i tretë. Ka edhe nga ata maturantë që nuk do ta gjejnë veten e tyre në listë. Kjo pasi testet e tyre janë klasifikuara si të dyshuara për kopje, dhe do t’u nënshtrohen verifikimeve nga një komision ekspertësh. Ky komision do të japë edhe vlerësimet përkatëse nëse maturantit do t’i njihet rezultati ose jo. Ngelësit do të vijnë në vjeshtë, për të cilët është bërë një udhëzim i veçantë. Pasi të japin provimet, më pas atyre u jepet e drejta për të kandiduar me formularin A3, ose për ato degë që ngelen pa plotësuar dhe këta mund të futen në lojë, së bashku me të tjerët. Pas rezultateve të provimeve me zgjedhje, maturantët tashmë i kanë të gjitha elementet për të llogaritur pikët e marra me anë të formulës për Maturën 2013. Gjithashtu duhet thënë që hapi i radhës për maturantët është plotësimi i formularit A2.

Formula e llogaritjes së pikëve

Formula e llogaritjes së pikëve, të cilën duhet ta përdorë çdo maturant, është: ((D1 + D2 + M) x k1 + (T1 + T2) x k2) x 100 = X (në varësi të rezultatit që del). Sipas kësaj formule, M = mesatarja e katër viteve të gjimnazit, D1 = provim i detyruar i Letërsisë, D2 = provim i detyruar i Matematikës, T1 = provimi me zgjedhje 1, T2 = provimi me zgjedhje 2, k1 = koeficienti sipas shkollës së kryer dhe k2 = koeficienti sipas provimeve me zgjedhje. Me këtë formulë nxënësit mësojnë sa pikë kanë përpara se të plotësojnë formularin A2 me anë të të cilit do të zgjedhin preferencat.

Formulari A2

Sipas Ndriçim Mehmetit, Përgjegjësi i Sektorit të Monitorimit dhe Vlerësimit të Cilësisë në MASH, “po bëhet gati infrastruktura, që ne e kemi nga vjet një eksperiencë shumë të mirë, ta bëjmë online, të lajmërojmë studentët dhe të fillojnë të aplikojnë siç edhe e bëmë atëherë me  qarqe të ndryshme për t’i dhënë mundësi gjithsecilit që të ketë akses në zgjedhjen e degëve ku ata duan të ndjekin studimet. Vetë maturanti ka mësuar nga eksperienca, pasi A1 dhe A1Z u bënë online, kandidati i vjetshëm e di, do të jetë e njëjta formulë, vetëm se tashmë ti i ke të gjitha programet e studimit të cilat u zbardhën nga vendimi i Këshillit të Ministrave dhe do hidhen këto të gjitha në program, që ti të kesh mundësi të futesh. Do të ketë dhe ca udhëzues të veçantë, të cilët dalin zakonisht te faqja e AKP-së dhe do operohet me to”.

 Ministria e Arsimit: Maturantët do t’i marrin diplomat të mërkurën

Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Provimeve deklarojnë se nga e mërkura diplomat do të jenë në duart e maturantëve të cilët duan të studiojnë jashtë shtetit. Sipas drejtorit të përgjithshëm të politikave parauniversitare në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu, është bërë gjithçka që rezultatet e provimeve të dalin brenda afateve të përcaktuara në rregullore . “Duke patur parasysh që janë një numër rreth 500 apo 600 maturantë që kërkojnë të aplikojnë për në Gjermani, ne kemi sforcuar gjithë procesin. Sot është data 10, diplomat janë të printuara dhe sot maturantët do të shkojnë nëpër shkollat e tyre të marrin certifikatat e maturës. Diploma është printuar paraprakisht, por nuk shpërndahet diploma pa patur certifikatën. Diploma është printuar duke ditur që X nxënës ka aplikuar për Gjermani ose për jashtë shtetit, por nuk e di nëse ai X nxënës rezulton kalues ose jo. Ai e merr diplomën në qoftë se është kalues. Çdokush që ka nevojë të marrë këto dy dokumenta të çojë në shkollë këto deri në 12 të natës dhe nesër jemi në gatishmëri ne dhe Ministria e Jashtme për të bërë legalizimin e dokumenteve që ato kërkojnë të çojnë të enjten dhe të premten në ambasadën Gjermane”,  tha Fatmir Vejsiu.   Rreth 50 mijë maturant i janë nënshtruar 4 provimeve të detyrueshme atë të Gjuhë-Letërsisë dhe 2 me zgjedhje. Ndërsa për studentët që duan të studiojnë jashtë shtetit, duhet të jenë të pajisur me certifikatën e notave ose diplomë brenda afateve që përcaktojnë universitetet e huaja.