Fillim i mbarë…

817
Sigal

Analizat e punës mësimore-edukative, në drejtoritë e shkollave dhe në shkallë rrethi, Zyra Arsimore e rrethit Bulqizë, i përfundoi brenda muajit korrik, duke përcaktuar detyra e objektiva të reja, për vitin shkollor 2014-2015. Organizimi i mirë i punës dhe ndjekja me përkushtim e detyrave, si nga stafi i zyrës arsimore ashtu edhe nga mësuesit e shkollave, mbylli me sukses fushatën për përgatitjen e shkollave për mësim. U kryen shumë punë: U lyen shkollat e klasat, u ngritën apo rifreskuan ambiente e terrene sportive, u sistemuan bazat materiale dhe orenditë shkollore, etj.. Bashkëpunimi i drejtorive të shkollave me këshillat e komunave Shupenzë, Gjoricë, Zerqan dhe Bashkinë Bulqizë, i dha frytet e veta. Shkollave të reja të Bllacës e Tërnovës iu shtuan edhe ato të Gjurasit dhe Topojanit në Komunën Shupenzë. Shkollat e reja u pajisën me mjetet e nevojshme mësimore për zhvillimin normal të mësimit. Vështirësitë e terrenit të vështirë malor, për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në Gjuras, u përballuan nën kujdesin e pakursyer të deputetit Përparim Spahiu. Në gëzimin e nxënësve dhe banorëve të fshatit, për inaugurimin e kësaj shkolle, mori pjesë edhe zv. Ministria e Arsimit dhe Sporteve, Znj. Nora Malaj. Shkolla e Homeshit dhe ajo e Trebishtit, në muajin maj, festuan respektivisht 120 dhe 100 vjetorin e çeljes së tyre. Në këtë kuadër, drejtoritë e shkollave dhe mësuesit, i pritën festat me veprimtari të shumta shkencore, kulturore, artistike e sportive, në mjedise mbresëlënëse dhe shpresëdhënëse. Kësisoj, fillimi i vitit të ri shkollor, i gjeti këto shkolla më të kompletuara se çdo herë. Kontributi nga komunitetet qe i konsiderueshëm.

Rihapja e shkollës profesionale të minierave

Më 15 shtator, në Bulqizë filluan mësimet edhe 32 nxënës në shkollën profesionale të minierave. Rihapja e kësaj shkolle qe e mirëpritur nga banorët e kësaj zone, të cilët prej dekadash e kanë të lidhur jetën e tyre me minierën e kromit. Shumë djem dhe vajza të Bulqizës dhe jo vetëm, mbaruan shkollat e larta dhe u diplomuan si inxhinierë (Gjeologjie, shpimi, pasurimi, etj.), duke mbajtur mbi shpatulla peshën e prodhimit të kromit dhe perspektivën e minierës. Vitet ikin dhe koha bën të vetën. Gjenerata e viteve të para të shkollës po i afrohet pensionit. Një brez minatorësh, zjarrmtarësh, inxhinierësh, bashkë me shumë punëtorë të kualifikuar, do të lënë punën. Ky boshllëk duhet të rimbushet. Përvoja e grumbulluar nuk duhet humbur. E kush më mirë se inxhinierët dhe punonjësit e kualifikuar si: Jorgo Kola, Hamza Gura, Zija Ndrukaj, Sefedin Shabani, Fadil Cani, Nezir Lica, Sulejman Alia, Medat Zogu, Bukurosh Koçi, Selim Daci, etj., mund të kontribuojnë me përvojën e tyre? Me optimizmin që e karakterizon drejtoreshën e Zyrës Arsimore Bulqizë, Znj. Bedrie Manjani, na thotë se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e të gjitha problemeve që do t’i dalin Shkollës Profesionale të Minierave dhe stafit të saj, për realizimin me sukses të programeve dhe objektivave.

Shkollat në Bulqizë

Në rrethin e Bulqizës filluan mësimet 6 shkolla të mesme me 1118 nxënës, 20 shkolla 9-vjeçare e 38 shkolla fillore me 6926 nxënës, 20 kopshte me 800 fëmijë. Në terrenin e hapur dhe të vështirë të këtij rrethi; që nga Martaneshi, Okshtuni, Trebishti, Topojani e Gjurasi, do të japin kontributin e tyre modest, 472 mësues. Në ditët e para të hapjes të shkollës u shpërnda dora e fundit e librit shkollor për të gjitha ciklet. Paranjoftimi për vendet e shitjes së librave krijoi lehtësi në shpërndarje duke eleminuar ndonjë vonesë që u konstatua, për ndonjë shkollë të largët, në vitin paraardhës. Mirë punuan për shpëndarjen e librit shkollor drejtoritë e shkollave si: “Xhevdet Doda”e “ Shefqet Tançi” në qytetin e Bulqizës, Shupenzë, Ostren i Math, Valikardhë, etj., përkatësisht, me drejtorë: Lindita Kaja, Irena Biba, Arjan Kaja, Bardhosh Koçi, Rami Lami.

Planet mësimore

Hartimi i planeve mësimore në përshtatje të plotë me programet dhe udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, është ndjekur me përparësi nga Zyra Arsimore e rrethit. Kujdes po bëhet për efikasitetin e punës në departamente, sipas lëndëve të ndryshme, për përhapjen e përvojës së përparuar, si brenda dhe jashtë këtyre departamenteve. Edukimi fiziko-sportiv në shkollë, këtë vit do të zbatohet sipas një programi të ri, pasqyruar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, në “ Platformën e edukimit fiziko-sportiv në sistemin arsimor parauniversitar”. Kjo platformë synon përgatitjen fizike, argëtimin e nxënësve, mbrojtjen dhe riaftësimin e shëndetit, rritjen e rezultateve sportive, dashurinë për shokun e kundërshtarin, rritjen e ndjenjës së humanizmit e të kolektivitetit, etj. Realizimi i këtyre objektivave, si pjesë e reformës arsimore, kërkon mendim, energji, gjithëpërfshirje të mësuesve të edukimit fizik, të dashamirësve të sportit, të sportistëve të vjetër e të rinj, që me kënaqësi, konstatojmë se nuk mungojnë në këtë zonë; si në qytet edhe në fshat. Përmendim këtu vajzat skiatore të Klenjës dhe mësuesin e apasionuar Fadil Alia, djemtë e Shupenzës, kampion të rrethit në futboll e volejboll, me mësues Gëzim Mata, Shega Alliu e Maliq Dumani, shkollat Zogje e Zerqan, për lojërat popullore, me mësues Shukri Xheleka e Mehdi Ceka, shkolla Gjoricë, volejboll-vajza, me mësues Fadil Cami e Fehmi Lika, shkollat e qytetit Bulqizë e Fushë-Bulqizë, për ngjitjet malore, me mësues Jashar Shehu e Ilir Disha, shkollat Tuçep e Ostren, për mundje të lirë, shembulli i mësuesit të Gjoricës, Aleksandër Dumani, për organizimin e mjaft ndeshjeve sportive me nxënësit dhe të rinjtë e Shupenzës, Gjoricës, Viçishtit, Homeshit, etj. Për realizimin e këtyre objektivave, është me shumë vlera bashkërendimi i veprimtarive me simpatizantët e sporteve dhe ndihma e biznesmenëve, siç qe rasti për organizimin e përvjetorit të shkollës së Homeshit, ku nuk mungoi ndihma e pakursyer e zotërinjve Luan Manjani, Luan Turja, Baftjar Rusi, Genc Turja e Hajri Cami. Një shembull për t’u përgëzuar, përgjithësuar e ndjekur. Të gëzon fakti se stafi i Drejtorisë së Zyrës Arsimore Bulqizë, është i ri në moshë e në mendime, të papërtuar, të përgjegjshëm e të vendosur për realizimin e detyrave në kuadrin e reformave arsimore e sportive. Fillimi është i mbarë. Urojmë suksese!

Zabit Lleshi

Mehdi Dema