Rishikimi i buxhetit 2014, Braçe “kryqëzon” Canin

711
Sigal

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe është treguar i ashpër dje në Komisionin e Ekonomisë gjatë prezantimit të buxhetit të rishikuar 2014, ku ka kërkuar “llogari” për mosrealizimin e planit të shpenzimeve kapitale, rënien e të ardhurave nga akciza, frenimin e procesit të kthimit të detyrimeve të prapambetura si dhe ecurinë e kontrollit mbi koncesionet e markimit të karburanteve dhe pullave fiskale. “Keni mosrealizim të të ardhurave nga akcizave dhe ju ulni parashikimin për këtë zë dhe ia shtoni të ardhurave nga TVSH-ja. Ju duket e drejtë? Pse kanë rënë të ardhurat nga akciza? I keni kontrolluar koncesionarët e ngjyrimit të karburantit dhe vendosjes së pullave fiskale? Kanë dështuar këto dy koncesione? Pse nuk janë realizuar investimet publike, përfshi ato me investim të brendshëm?”, janë disa nga pyetjet që ka shtruar Braçe. Ndërsa ministri i Financave Shkëlqim Cani ka sqaruar se performanca e akcizës është e ulët, ndërsa ajo e TVSH-së është e lartë dhe kjo është arsyeja që është bërë ndryshimi i planifikimit të të ardhurave. Sipas tij, shkaku kryesor i rënies së të ardhurave nga akciza lidhet me tkurrjen e importeve të cigareve. “Niveli i importeve të cigareve është me i ulëti në këto vite. Ne rritëm me 20 lekë akcizën e cigareve në janar dhe në dhjetor u rritën importet e cigareve”, ka pohuar Cani. Cani tha se financat kanë reaguar duke ndryshuar personat në administratën fiskale, që janë përgjegjës për mbledhjen e të ardhurave nga akcizat, me motivacionin e performancës së ulët. Lidhur me dy koncesionet e përmendura nga Braçe, Cani tha se “kemi synuar prishjen e kontratave dhe jemi në negociata me ta për të gjykuar çfarë është bërë keq nga Ministria e Financave dhe çfarë është bërë keq nga koncensionarët”. Ai shtoi se kur të përfundojë procesi do të jepen të dhëna.

Frenimi i kthimit të detyrimeve të prapambetura te biznesi, sipas Canit, ka ardhur nga fakti që po pritet auditi ndërkombëtar, që do të kontrollojë mënyrën sesi janë shlyer ato, një kusht i Fondit Monetar Ndërkombëtar ky. Raporti mbi ecurinë e këtij procesi pritet të bëhet publik në nëntor dhe më pas Cani tha se do përshpejtohet kthimi i detyrimeve të prapambetura. Deri tani janë shlyer rreth 26 miliardë lekë nga 35 miliardë lekë që ishte planifikimi i vitit.

Banka e Shqipërisë

Ideja e rikuperimit të lekëve të vjedhura në Bankën e Shqipërisë nëpërmjet buxhetit, nuk i ka pëlqyer aspak ligjvënësve shqiptarë. Braçe ka qenë i ashpër në refuzimin për dhënien e parave Bankës së Shqipërisë. “Nuk do të ketë asnjë lek për Bankën e Shqipërisë nga buxheti i shtetit. Nëse Bankës së Shqipërisë do t’i duhet të plotësojë paratë, duhet të kursejë siç po bëjmë ne. BSH kërkon para luksi dhe nuk mund të preken paratë e qytetarëve” nënvizoi Braçe. Sipas skemës, Banka e Shqipërisë kërkon që të rikuperojë 713 milionë lekët duke mos e derdhur fitimin që ka për detyrim në buxhetin e shtetit.