Matura shtetërore, si do të zhvillohen provimet, detajet e reja

399
Sigal

Ndryshon struktura dhe kohëzgjatja e provimeve të Maturës Shtetërore.

Me gjithë masat e marra në mbrojtje nga COVID19, Ministria e Arsimit ka vendosur të shkurtojë kohëqëndrimin e nxënësve në klasa, duke reduktuar orët me 30 minuta. Për të vetmen maturë, i gjithë testi do të hartohet vetëm me pyetje me alternativa, ku nxënësit do të kenë mesatarisht 2 minuta kohë për të qarkuar përgjigjen e duhur. Kjo metodologji testimi shmang edhe korrigjimet e dyfishta të vlerësuesve, pasi korrigjimi i testeve bëhet elektronikisht.

RISITË E MATURËS

Në videon e radhës, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore ka zbuluar një ditë më parë të tjera detaje mbi mënyrën sesi do zhvillohen provimet, por edhe gjërat që nuk do të përfshihen në të.

“Testi i Maturës Shtetërore do të bazohet vetëm në pyetje me alternativa. Kohëzgjatja e tij do të jetë dy orë dhe në total numri i pyetjeve do të jetë 60. Është llogaritur që pyetjet me alternativa duan më pak kohë se pyetjet me zhvillim.

Prandaj ka një kohëzgjatje deri në 2 orë dhe jo 2 orë e gjysmë. Janë hequr pyetjet ese nga pjesa e gjuhës së huaj dhe gjuhës shqipe.

Nxënësi do të përzgjedhë përgjigjen dhe nuk do ta shkruajë atë”. Por, a mjaftojnë 120 minuta për t’iu dhënë përgjigje 60 pyetjeve me alternativa?! Sipas Vrapit, po.

“Nga përvoja që ka Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe pilotimi që është bërë, gjykohet se të gjitha pyetjet mund të bëhen brenda këtij orari. Patjetër, ka pyetje që duan më pak kohë sesa 1 minutë, sikurse ka edhe pyetje që mund të duan 1-2 minuta. Prandaj, iu bëj me dije të gjithë maturantëve që koha është e mjaftueshme që ata të mbyllin testin brenda orarit”, shton drejtoresha e Qendrës që ndërmjetëson maturantët me universitetet.

Maturantët mund të shfrytëzojnë ditët përpara rikthimit në shkollë për të shqyrtuar programet orientuese të rishikuara, duke hequr temat e zhvilluara nga muaji mars. Ato gjenden lehtësisht në faqen e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë.

GUIDË PËR MËSIMIN NË KLASË

Maturantët do të rikthehen në shkollë më 18 maj, vetëm me maska. Ata do të qëndrojnë për tri javë për të bërë përsëritjen për tri lëndët e provimeve me detyrim:

Gjuhë e Huaj, Gjuhë Shqipe e Letërsi dhe Matematikë.

Zyrat Arsimore Vendore, ndërkohë që po bëjnë listimin e nxënësve nëpër shkolla, po sigurohen që më parë të informojnë maturantët me rregullat që duhet të zbatojnë nga hyrja në derën e shkollës, në oborr e deri te ulja në klasa.

Ndonëse do të kenë më shumë se dhjetë javë pa u parë, të rinjtë nuk do të lejohen të takohen, e madje duhet të respektojnë distancën prej 2 metrash, për të ruajtur veten dhe shokët. Shkolla do të kujdeset që të adresojë në vendin e duhur çdo maturant.

Në çdo derë klase do të afishohet lista me emrat e nxënësve bashkë me numrin e bankës ku do të ulen, të cilat janë vendosur paraprakisht larg njëratjetrës.