Ish-ushtaraku Sali Myftari: Sot kemi vetëm ushtri kazermë

644
Sigal

BERAT/ Festohet 70-vjetori i formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionale – Çlirimtare

Më rastin e 70-vjetorit të formimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, Kryesia e Komitetit të Veteranëve në bashkëpunim më Shoqatën e Ushtarakëve ka organizuar një mbledhje jubilare në Shtëpinë e ish-Ushtarakëve të Beratit. Partia Komuniste krijoi, edukoi dhe kaliti Ushtrinë Popullore në zjarrin e betejave të Luftës Nacionale – Çlirimtare nga njësit e vogla partizane në Brigada, divizione e korporata, kjo ka qenë motoja e këtij takimi, ku merrnin pjesë shumë ish-ushtarakë, komandantë divizioni dhe brigade, njëkohësisht dhe ish-ushtarakë të njësive të ndryshme të Ushtrisë Shqiptare.

Homazhet

Dje në ditën e shënuar të Ushtrisë Shqiptare u bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve, ku në emër të ushtrisë u vendosën kurora me lule për dëshmorët e rënë në betejat për çlirimin e vendit. Pas ceremonisë në varrezat e dëshmorëve veteranët dhe ish-ushtarakët kanë organizuar një takim në ish-Shtëpinë e Ushtarakëve të Beratit. Në këtë takim ish-ushtarakët e lartë që kanë pasur detyra si komandantë të divizionit, brigadave dhe të njësive të tjera ushtarake kanë treguar betejat e tyre gjatë një kohe të gjatë të detyrave për mbrojtjen e territorit shqiptar. “Ne jemi krenarë për detyrën që kemi kryer për mbrojtjen e territorit të vendit tonë”, është shprehur Kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve të Beratit, Vladimir Mema, njëkohësisht komandanti i divizionit të Gjirokastrës. “Ushtarakët vijnë në këtë ditë shumë të shënuar dhe kujtojnë arritjet që kanë patur gjatë karrierës së tyre. Të gjithë ushtarakët ndihen krenarë, si ata që kanë qenë në kohën e luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazisto-fashistë dhe ata që luftuan me tradhtarët ballistë e zogistë. Ne ushtarakët jemi krenarë se kemi kryer një misione të rëndësishme në mbrojtje të interesave të vendit”,- tha Mema. Kryetari veteranëve të Qarkut Berat, Oran Frashëri në këtë takim është shprehur se të gjithë ishin mbledhur në këtë ditë për të treguar vlerat e Ushtrisë Shqiptare në çlirimin e vendit.

Prononcimi

Për këtë datë të shënuar “Telegraf” i mori një prononcim ish-ushtarakut Sali Myftarit, i cili tha: “Zhvillimi i Ushtrisë erdhi si rezultat i qelizave të para të ushtrisë, çetave partizane, batalioneve partizane, grupet partizane që pa dyshim përbënin thelbin e Ushtrisë Nacionale – Çlirimtare. Pas konferencës së Labinotit ishte momenti që ushtria të merrte formën e saj në krijimin e shtabit të përgjithshëm, ku komandanti i saj u zgjodh Spiro Moisiu dhe komisar politik Enver Hoxha. Kjo konferencë u mblodh nga data 4 – 10 korrik 1943 dhe vinte si rezultat i konferencës së Pezës në luftën pa kompromis ndaj pushtuesve të huajë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ballist- zogistë. Në këto mbledhje u mor një vendim që ushtria të organizohet në garnizone luftarake me qëllim kryesor strategjinë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Ushtria Nacionale – Çlirimtare e nisi aktivitetin e saj pothuaj nga zero, por ajo u armatos në fushën e betejës me të gjitha llojet e armatimeve në të gjitha degët e saj përbërëse për të arritur fitoren. Pas kësaj ne do të shikonim një ushtri të organizuar në formacione të mëdha luftarake si në brigada sulmuese, divizione dhe kompani. Kongresi i Përmetit vendosi gradat në ushtri dhe i dha një shtyrje të mëtejshme Luftës Nacionale – Çlirimtare në të gjitha territorin e Shqipërisë dhe kjo bëri që Shqipëria jo vetëm të njihej nga fuqitë e mëdha Sovjeto – Aglo – Amerikane, por dhe të pohohej prej tyre se Shqipëria ishte nga më të vetmit vend në Europë që pa ndihmën e askujt, por arriti të çliroj vendin. Më pas u krijuan degët e Ushtrisë Shqiptare si atë të ndërlidhjes, aviacionit, artilerisë, aviacionit dhe shumë degë të tjerë të rëndësishëm të Ushtrisë Shqiptare deri në kohën kur ushtria jonë të kthehej në një ushtri kazerme, të cilën e kemi ne sot”, tha Myftari.