“Tërmeti” ndërtimor i qeverisë “Rama” do të shembë 252 objekte në Himarë- Ksamil

623
Sigal

SARANDË/ Në muajin shtator nis aksioni. Pronarët e tyre votuan PS me shpresën e legalizimit falas, por e kundërta po ndodh

Frika nga valët sizmike të parashikuara nga sizmologët e qeverisë “Rama” në ardhje, ka mbërthyer jo pak, por 250 biznese dhe familje, përgjatë vijës bregdetare joniane Llogara-Ksamil, pasi në muajin shtator do të shemben nga tërmeti ndërtimor i paralajmëruar. Të gjitha objektet janë ndërtuar në sipërfaqen e ashtuquajtur “vija e parë”, sipërfaqe që mbrohet ligjërisht nga shteti si e paprekshme dhe aq më keq edhe ndërtim pa leje duke shpërfillur shtetin dhe ligjin. Përkatësisht vija bregdetare e bregdetit të poshtëm dhe të sipërm, Llogara – Ksamil përfshihet nga katër njësi vendore: Bashkia Himarë, Komuna Lukovë, Bashkia Sarandë dhe Komuna e Ksamilit, ku tri nga këto njësi qeverisen nga socialistët dhe vetëm njëra, Lukova, nga kandidati i pavarur, por mjaftë problematike me qeverinë Berisha për “Çështjen Kakomea” dhe në të katërta këto njësi vendore zgjedhjen e 23 Qershorit nxorën fitues PS-në, ku një votë të konsiderueshme dhe kontribut maksimal dhanë edhe pronarët e këtyre objekteve nisur nga premtimi i liderit të së majtës për legalizim falas, por tanimë i ka mbërthyer ankthi i shembjes së biznesit dhe banesave të tyre, përforcuar edhe nga takimi i kryeministrit në ardhje, z.Rama me drejtues të njësive vendore të vijës bregdetare.

Situatë e tensionuar

Pritet një reagim dhe një situatë e tensionuar, sipas investigimit të “Telegraf” me pronarë të këtyre objekteve, pasi e quajtën veten të mashtruar, por një pjesë tjetër e popullsisë së kësaj zone mirëpret nismën e zotit Rama dhe vendosjen e forcës së ligjit dhe respektimin e shtetit. Burime nga INUKU, bënë të ditur për “Telegraf” se në bazë të axhornimit të muajit tetor 2012, kohë kur u fol për herë të parë për pastrimin e vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje, kanë evidentuar plot 252 objekte pa leje. Nga këto 95 i përkasin Bashkisë së Himarës, 65 Komunës së Lukovës, 53 Bashkisë së Himarës dhe 44 Komunës Ksamil dhe 5 objekte zonës turistike të Berdeneshit, zonë që gjeografikisht futet në Komunës Aliko ndërsa regjistrin e gjendjes civile e ka Bashkia e Sarandës. Por, shton shefi i INUKU-t të jugut Zenel Seitaj, koha nga tetori i vitit të kaluar e deri tani, duke përfituar edhe nga tranzicioni elektoral i 23 Qershorit, natyrisht numri i ndërtimeve pa leje është shtuar. Shumica nga këto janë prishur, por kur bëhet fjalë për vijën e parë bregdetare, kuptohet nga buza e ujit deri 100 m vijë ajrore zonë e paprekshme.

Lejet provizore

Meqenëse është zonë turistike, njësitë vendore japin leje provizore gjatë sezonit turistik për ndërtime me konstruksion metalik, kashtore etj.. Me mbarimin e sezonit, kontraktuesit janë të detyruar ta rikthejnë sipërfaqen e përdorur në gjendjen fillestare. Por problemi qëndron tek objektet e betonta, që janë të destinuara t’i nënshtrohen goditjeve shkatërruese të fadromave dhe çekiçëve të qeverisë së re në ardhje.