Një portë e madhe për Beratin

675
Sigal

Qyteti i gurtë ka tani portalin e tij turistik në internet. Ja si “shkohet” në Berat!

 Do të mjaftonte një klik i thjeshtë kompjuteri që të të sjellë afër qytetin e Beratit.  Prej pak ditësh qyteti i gurtë ka për herë të parë faqen e tij turistike në internet. Mjafton të hysh në web-sitin www.visitberat.al dhe gjithçka do të të vijë në ekranin e kompjuterit tënd.  Kjo risi është mundësuar nga Qendra “Open Doors” me mbështetjen financiare të Fondacionit ABC. Promovimi i vlerave të shumëllojta turistike të qarkut te Beratit, si dhe qëllimi për një njohje më të mirë të tregjeve lokale aktuale dhe potenciale turistike janë në qendër të kësaj faqe web-site i të cilit i kishte munguar prej kohësh qytetit. “Impakti i kësaj nisme-thotë Kryetari i Bashkisë së qytetit, Fadil Nasufi- do të jetë i ndjeshëm për tregun turistik të qytetit dhe atë të huaj. Sipas zotit Nasufi, “një faqe e tillë, do të thotë që anët e njohura dhe të panjohura të qytetit të jenë tani lehtësisht të aksesueshme përmes marketimit dhe promovimit të resurseve turistike lokale. Web-siti www.visitberat.al ofron informacion të plotë e profesional në dy gjuhë, shqip e anglisht, mbi të gjitha resurset potenciale turistike të qarkut të Beratit, ato natyrore, kulturore, arkeologjike, artizanatin, kulinarinë e prodhimin vendas,turizmin e aventurës dhe atë rural. Ky portal i drejtohet turistit të huaj që dëshiron ta njohë traditat kulturore të këtij  qyteti mitik, pejsazhet e mrekullueshme të kanioneve të tij, dokumentet e krishtërimit të lashtë, etj. Por, ky portal  i drejtohet edhe turistit vendas që shkon nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra apo Vlora , por  t’u njohur më thellë me natyrën, artin kulinar, verën e dashur, ullinjtë e shijshëm, muzeumet plot vepra të rralla arti, etj, etj. Dhe për të gjitha këto, do të mjaftojë vetëm një  klikim i thjeshtë  në www.visitberat.al. Portali do t’u shërbejë edhe atyre mijëra shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Europë të cilët do të mund t’ua servirin qytetin e tyre miqve dhe të njohurve europianë si një krenari me vete. Dhe kështu, qyteti i gurtë do të udhëtojë në rrugët e tij të informatikës për të mbërritur në Romë apo Athinë, në Berlin apo në Nju Jork, në Boston apo në Toronto, kudo ku ka shqiptarë apo turistë që duan të njohin fillimisht, e më pas të mbërrijnë në qytetin 4 mijë vjeçar.

Një blog interaktiv është pjesë e këtij portali ku turistët e interesuar arrijnë të komunikojnë direkt për marrjen e informacionit të bollshëm turistik e utilitar. Blogu-thonë ekspertët e “Open Doors” do të shërbejë si një arkiv për shkrimin e eksperiencave të turistëve qofshin ata të huaj apo vendas.

Duket pra se tani të “shkosh” në Berat është shumë e thjeshtë. Sepse përpara se të nisësh një aventurë turistike në qytetin e mistereve dhe të historikut të tij mjafton ta vizitosh atë fillimisht përmes ekranit të vogël, atje ku do të të shfaqen edhe kodikët e qytetit edhe manastiret, rrugicat e Kalasë apo ushqimi i veçantë i njerëzve të urtë dhe qytetdashës të Beratit……Qendra “Open Doors” ka për synim promovimin e pasurisë shpirtërore e kulturore të Shqiptarëve jashtë trojeve të tyre.