- – Në 1990 në Shqipëri kishte 1.5 milion fëmijë të moshës shkollore ose 29.5 % të popullsisë dhe 225 mijë të moshuar të moshës mbi 65vjeç ose 7.4% të popullsisë.
- -Sot numri fëmijëve është përgjysmuar në 445 mijë fëmijë ose 16 % e popullsisë ku ndërkaq numri i pensionistëve është 700 mijë ose 25 % e popullsisë.
- – Sot kemi rreth 31 mijë të moshuar që për shkaqe të natyrave të ndryshme biologjike, sociale apo sinkretike jetojnë të vetmuar.
- – Ndërkaq janë 91 mijë të moshuar që kanë nevoja për kujdes social permanent.
- – Padyshim po kalon koha e familjes së gjërë që dikur mbante të bashkuar tre breza.
- – Jemi nga vendet me ritme më të larta të procesit të plakjes.
- – Anëtarët e familjes gjithnjë e më shumë jo domosdoshmërisht janë tërësisht të varur dhe të kushtëzuar nga struktura e familjes biologjike.
- Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Tema e familjes në shoqërinë shqiptare, pavarësisht veçorive të kohës postmoderne, vazhdon të jetë temë me interes të madh individual dhe social për qytetarët, sociologët, politikanët dhe debatin shoqëror publik. Familja shqiptare ka tre dekada që ndodhet në valët e një procesi të gjërë ndryshimesh në formë, strukturë, role e përgjegjësi sociale. Ajo nuk mund t’i shpëtonte reflektimeve dhe ndryshimeve të determinuara nga koha dhe mënyrat moderne të organizimit të jetës urbane, në funksionet thelbësore. Sidomos në ndryshimin dukshëm të paradigmave tradicionale për shkak të ndikimeve të modernitetit, zhvillimit të arsimit, teknologjisë dhe medias. Gjysëm shekulli më parë filozofi dhe Lordi Britanik Bertrand Rusell parashikoi se “Dështimi i familjes për të na ofruar kënaqësi themelore është një nga shkaqet e thella të pakënaqësive të kohës sonë”.
-Flitet shumë për familjen. Si do ta përkufizonit ju atë?
Në fakt, familja nuk është vetëm vendi ku njeriu ha, pi dhe riprodhohet. Ajo është hallka sociale ku lidhet jeta private, sociale dhe intime e njeriut. Në fakt vlera e familjes sot është më e madhe se kurrë, sepse shoqëria shqiptare ka hyrë në një fazë të ndërlikuar të ekzistencës së saj, dhe padyshim shëndeti i familjes është reflektim edhe i shëndetit të shoqërisë. Nga njëra anë ajo është përmirësuar, modernizuar, demokratizuar duke luftuar për të kapëxyer paradigmat tradicionale të paternalizmit, patriarkalizmit, e maskilizmit. Nga ana tjetër ajo ka pësuar edhe ruptura, procese e metamorfoza që kanë cënuar rolin, shëndetin dhe funksionet ontologjike të saj. Duke e diagnostikuar në tërësi atë që po ndodh, mund të themi se në përpjekjen për demokratizim ajo po përballet me shumë shqetësime ekzistenciale, që vijnë nga përzjera e tipologjisë arkaike me acidet e modernitetit, që burojnë brenda apo që vijnë si sulme sociale nga jashtë. Prandaj është e domosdoshme që në ndërtimin e politikave sociale për familjen e kohës së sotme, gjërat duhen parë në koherencë me ndryshimet e shpejta dhe të shpeshta, që po ndodhin në marrëdhëniet midis burrave dhe grave, prindërve dhe fëmijëve, familjes dhe shoqërisë. Problemet e familjes sot nevojitet të bëhen pjesë, madje të kenë vend qëndror në politikat e partive, kurrikulat shkollore, institucionet fetare, sepse beteja për rindërtimin, forcimin dhe konsolidimin demokratik të shoqërisë nuk mund të realizohen pa konsolidimin e familjes, pa vendosjen e drejtësisë familjare, e cila nuk është marrëdhënie pronësie, por marrëdhënie e njerëzve, që rrinë me njëri tjetrin në familje mbi bazën e vullnetit të tyre të lirë.
-Demokratizimi i familjes po sjell edhe probleme. Cilat janë ato në këndvështrimin tuaj?
Demokratizimi i familjes shqiptare po shoqërohet me probleme sociale të vjetra dhe të reja. Megjithë ndryshimet që kanë ndodhur dhe që nuk mund të mohohen, demokratizimi i familjes shqiptare është akoma një hapësirë sociale e dominuar në shumë raste nga marrëdhënie pushteti me natyrë gjinore, moshore apo breznore, që shfaqen në dukuritë e paternalizmit, maskilizmit, autoritarizmit etj., të cilat janë pengesa për ta bërë familjen solide, funksionuese, të drejtë, bërthamë kryesore të ngrohtësisë dhe drejtësisë sociale. Nuk është e vështirë të konstatohet që ashtu sikurse shoqëria shqiptare edhe familja është përfshirë, edhe pse me pak vonesë, mbase dhe në mënyrë graduale e jo shumë të ndjeshme në rrugën e kalimit nga modeli autoritar në atë barazimtar në marrëdhëniet burrë-grua apo prind – fëmijë. Padyshim po kalon koha e familjes së gjërë që dikur mbante të bashkuar tre breza. Nuk kërkon shumë studime për të evidentuar tendencën thelbësore sociale të shprehur në faktin që familja tradicionale edhe në Shqipëri po tkurret. Nuk e kthejmë dot pas. Kështu që shumë norma e zakone të familjes tradicionale po ndryshojnë. Momentalisht jemi në moment tranzicioni dhe për pasojë struktura e familjes shqiptare është në përgjithësi diverse dhe e përzierë. Në periudhën e tranzicionit janë të pranishme disa tipologji të familjes nga ajo tradicionale, tek familja bërthamore (nukleare), dinastike, monofamilja e forma të tjera të përzjera si produkt i postmodernitetit social. Është tendencë e dukshme fakti që anëtarët e familjes gjithnjë e më shumë jo domosdoshmërisht janë tërësisht të varur dhe të kushtëzuar nga struktura e familjes biologjike. Përkundrazi në familjen e sotme, sikurse shkruan sociologu Edgar Morin “ Anëtarët e saj nuk janë më të varur në mënyrë të pakushtëzuar nga institucioni kolektiv; ata nuk ndihen më të lidhur në mënyrë përfundimtare, edhe mund të shkëputen me anë të një vendimi individual. (Edgar Morin, “Rruga për të ardhmen e njerëzimit”, f 361) Tranzicioni i kalimit drejt familjes moderne, një prirje dominante dhe e pakthyeshme, ka bërë që shoqëria jonë të jetë e përbërë nga familje që strukturalisht dhe funksionalisht janë të suksesshme, ashtu sikurse kemi edhe familje që po “shkërmoqen” për arsye të natyrave të ndryshme. Shqetësimi është i integruar social dhe individual. Sepse vlerat e familjeve të sukseshme janë jo vetëm për familjen por dhe për shoqërinë, ndërsa karakteristikat e familjeve të dështuara përveçse përbëjnë tragjedi personale janë edhe shqetësim i zgjeruar me kosto dhe në përmasa sociale.
-Po ju vetë a jeni për modernizimin e familjes larg traditës së familjes fis shqiptare?
Personalisht jam përkrahës i vendosur i modernizimit të familjes shqiptare. Qoftë edhe me problematikat dilematike të tranzicionit. Por ndërkaq jam kundër qëndrimit të njëanshëm, që idolatrizon pa kushte anën e ndritur të familjes bërthamore dhe nihilimin e disa vlerave historike të “familjes etike” apo tradicionale shqiptare. Sepse edhe në shoqërinë tonë shpesh herë për modë apo nën presionin e kohës është krijuar miti për superioritetin absolut të familjes bërthamore duke e kthyer atë në një paradigmë metafizike e mekaniciste si forma superiore e vetme e familjes moderne. Tepërimet në këtë rast jo vetëm janë të dëmshme, por dhe të shtyjnë drejt konkluzioneve të nxituara e jo realiste. “Ideja se një formë e familjes është e vetmja që zgjidh sfidat e modernitetit, nuk është krejt realiste” – thotë sociologia Patricia Hill Collins (Kuvendime sociologjike, f 52) Situata e familjes shqiptare është një tjetër konfirmim i të vërtetës sociologjike, që tashmë është globalisht i vërtetuar se modeli neoliberal i kapitalizmit në raport me familjen, strukturën dhe rolin social ka qënë dikotomik. Paradoksalisht ai ka ndikuar në të njëjtën kohë pozitivisht në drejtim të demokratizimit të brendshëm në lidhjet dhe marrëdhëniet gjinore duke dhënë dimensionin koherent në përputhje me kërkesat e jetës postmoderne. Nga ana tjetër ka dëmtuar shumë aspekte strukturore e funksionale të saj, duke u shoqëruar me një varg patologjish sikurse janë dhuna e zgjeruar në të gjitha format e saj shoqëruar shpesh me krime dhe vrasje, dobësimi i dimensionit kulturor dhe edukativ, zbehja e cipës emocionale të komunikimit, mungesa e parimeve adekuate të prindërimit, paqëndrueshmëria e lidhjeve martesore, shtimi i numurit të divorceve deri në nivelin 25% të martesave si rezultat i paqëndrueshmërisë së martesave, mungesës së funksionimit dhe nevojave të “ristrukturimit” për shkak të zgjidhjes së gabuar, mëndjelehtësisë, konflikteve, dhunës, mungesës së tolerancës etj. Fryma e individualizmit ka kapur edhe familjen shqiptare. Shpesh çiftet duke patur synime të personalizuara për suksesin apo karrierën (që është e natyrshme), duke i kthyer ato në qëllim në vetvete dëmtojnë frymën e kohezionit bashkëshortor. Rrjedhimit edhe funksionimin normal të familjes.
-Margjinalizimi i të moshuarve është një tjetër dukuri sociale në zgjerim. …Mendimi juaj?
Një dukuri komplekse, që lidhet me ndryshimin thelbësor të strukturës së familjes etike apo tradicionale, shtimit të familjeve bërthamore e dinastike, zgjerimit të emigracionit, plakjes së akseleruar të popullsisë (jemi nga vendet me ritme më të larta të procesit të plakjes) që po shoqërohet me shtim demografik të popullsisë së moshuar deri në kufijtë e “shoqërisë me flokë të bardhë”. Sa për ilustrim: Në 1990 në Shqipëri kishte 1.5 milion fëmijë të moshës shkollore ose 29.5 % të popullsisë dhe 225 mijë të moshuar të moshës mbi 65vjeç ose 7.4% të popullsisë. Sot numri i fëmijëve është përgjysmuar në 445 mijë fëmijë ose 16 % e popullsisë. Ndërkaq numri i pensionistëve është 700 mijë ose 25 % e popullsisë. Shpesh për shkak të natyrës turbokapitaliste të jetës shoqërore familja nuk i ka gjithnjë kushtet për kujdes permanent ndaj të moshuarve. Por në jo pak raste në këtë situatë ndikon fakti që “Shpërbërja e familjes së madhe i ndau brezat. Brezat e rinj nuk kanë më vend në banesat e tyre dhe ndonjëherë as në zemrat e tyre”. (E Morin, po aty f 378). Kjo situatë sociale, që po vjen duke u agravuar në Shqipëri kërkon politika dhe organizime të reja për të përballuar sfidat e plakjes së popullsisë dhe prishjen e balancave demografike midis moshave. Duke qënë se ka një tendencë të dobësimit të “indit lidhës” me familjen biologjike, atëherë duhen politika, që forcojnë “indin lidhës” të tyre me shoqërinë dhe institucionet specifike komunitare, shëndetësore, kulturore dhe formave alternative të shërbimit social të personalizuar. Situata është jo e mirë. Sot kemi rreth 31 mijë të moshuar që për shkaqe të natyrave të ndryshme biologjike, sociale apo sinkretike jetojnë të vetmuar. Ndërkaq janë 91 mijë ata që kanë nevoja për kujdes social permanent.
-Si përfundim?
Si përfundim, mendoj se duke bërë një diagnostikim të problemeve dhe turbulencave sociale me të cilat përballet shoqëria shqiptare, duket se në instancë të fundit shumica e tyre gjënden të koncentruara, të akumuluara dhe ekzistente në një masë të konsiderueshme në gjirin e familjes shqiptare. Aty janë konfliktet bashkëshortore dhe neglizhenca në marrëdhëniet prind-fëmijë, shoqëruar me dobësimin e parimeve të prindërimit, cënimi i solidaritetit material dhe emocional, krimin fizik, verbal, emocional e seksual, vrasjet dhe vetëvrasjet e të rinjve dhe sidomos adoleshentëve, shoqëruar me nuancë të dëshpërimit, ftohtësisë, pesimizmit, që shoqërohen edhe me varfërinë apo mungesa të tjera thelbësore për familjen. Konkluzioni i përgjithshëm, sipas mendimit tim është që në këto kushte është e domosdoshme që familja qoftë si institucion i jetës private apo i sigurisë morale, si strukturë themelore kryesore dhe si institucion publik i autoritetit social (krahas shkollës, shtetit, institucioneve fetare), duhet të mbështetet pa kushte, duke e vendosur atë seriozisht dhe sinqerisht në QËNDËR të POLITIKAVE SOCIALE. Pra, duhet të ndërmerren politika sociale komplekse dhe gjithëpërfshirëse, bazuar në shumë faktorë materialë, kulturorë, shpirtërorë, emocionalë e socialë dhe të lidhura me shumë aktorë që kanë role e përgjegjësi të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, duke ridimensionuar konceptin e zgjeruar etatist për rolin ekskluziv të shtetit. Sepse sikurse thotë sociologu dhe ekonomisti Paul Collier “Ne duhet të pranojmë realitetin se paternalizmi social ka dështuar. Shteti nuk mund të zëvendësojë familjen” (Paul Collier, “E ardhmja e kapitalizmit”, f 239).
Cilat do të ishin disa masa preventive strategjike dhe operative që do të shërbenin për forcimin dhe konsolidimin e familjes duke e vlerësuar atë si qendër që transmeton vlerat e qytetërimit tonë, si kultivuese e shijeve dhe moralit, si mjet i akumulimit dhe shpërndarjes së trashëgimisë pozitive?
Në këto kushte imperative janë:
-Megjithë problemet e cekura më lart, e sigurtë është që “ideologjia e adhurimit” të familjes është vlerë morale konstante dhe kapital social i pandryshuar i shoqërisë sonë. Në këtë kontekst duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur familjen, sepse kujdesi për të nuk është kurrë i tepërt.
-Një kulturë e zgjeruar, e transmetuar përmes shkollës, medias dhe shoqërisë civile sidomos tek të rinjtë, për të krijuar koncept koherent për vlerën e martesën si lidhje me përgjegjësi dhe familjen si institucion i jetës intime e sociale.
-Një politikë më adekuate e institucioneve publike, shoqatave të shoqërisë civile për mbështetjen e familjeve, që përjetojnë varfëri apo janë në situatë të stresuara sociale. Një rishikim i skemave të mbështetjes financiare dhe mbrojtjes sociale nga skemat jokontributive do të ishte një mbështetje me vlerë për familjet e varfëra.
-Për përmirësimin e strukturës demografike të popullsisë, bonusi i bebes ishte diçka, por duhen politika financiare mbështetëse më të gjëra, afatshkurtra e afatmesme për nxitjen e shtimit të numrit të fëmijëve, dhe gjithashtu më gjithpërfshirëse për familjet e reja.
-Politikat sociale publike, institucionet e përkujdesit social duhet të përmirësojnë masat preventivuese të parandalimit. Kjo do të thotë që ato duhet të korrigjojnë objektivat dhe stilin e “futjes në lojë” për të parandaluar prishjen e familjes dhe traumën e fëmijëve. Më shumë struktura duhen për këshillime informale për të ndihmuar familjet e reja dhe ato në nevojë.
-Zgjerimi i rrjetit të shërbimeve sociale, shëndetësore e arsimore është një tjetër konditë ‘sine qua non’ për të ndihmuar funksionimin e familjes dhe mbrojtjen e saj nga rreziqet destruktive. Më shumë çerdhe, kopshte, struktura të shërbimeve polivalente, qëndra këshillimi psiko social, struktura të shpërndarjes së njohurive në nivel komunitar, etj., janë me shumë rëndësi për të mbrojtur dhe shëndoshur familjen. Sepse sipas meje sot nevojat për kopshte e çerdhe përbëjnë një domosdoshmëri më të madhe besoj, sesa kërkesat e niveleve të tjera të arsimimit.
– Në kushtet e plakjes së popullsisë dhe rrudhjes së familjes tradicionale duhet shtuar kujdesi për të moshuarit. Ka një formulë universal: Kur shoqëria plaket, institucionet e përkujdesit duhet të rinovohen.
-Mbështetje të diferencuara për të motivuar çiftet e reja për martesë dhe njëkohësisht për të demotivuar emigracionin, i cili gjithashtu ka peshën e vet sociale në destruktimin e familjeve që jetojnë për një kohë të gjatë në distancë bashkëshortore.
Dhe në përfundim, unë besoj se duhet kundërshtuar energjikisht politikisht, kulturalisht e qytetarisht koncepti semplist për familjen, që e konsideron atë një “institucion pasiv” apo akoma më keq ideja që e konsideron atë një strukturë reaksionare, penguese për progresin individual. Këto ide regresive e antihumane po i vënë kazmën martesës. Por lavdi Zotit që këto ide janë larg kulturës dhe traditave të shoqërisë dhe familjes tonë. Ne nuk kemi nevojë për familje të përçara, pa kohezion e unitet, por për familje të qeta, proaktive dhe me thelb të spikatur human.