Bizneset paguajnë, rruga dytësor e Tiranës e mjerushme

400
Sigal

 

‘Konfindustria’, duke marrë shkak nga shqetësimet e bizneseve, kërkon marrjen e masave sa më  të shpejta për përmirësimin e rrugës dytësore të Zonës Industriale të Tiranës, në  autostradën Durrës-Tiranë. Në  zonën industriale në fjalë, janë  përqëndruar më shumë se 70% e njësive industriale të kryeqytetit.

“Rruga në të dy anët e autostradës Tiranë -Durrës është  në gjëndje mjaft të dëmtuar, duke krijuar vështirësi të shumta në qarkullimin e mjeteve, dëmtimin e tyre, rritjen e papranueshme të kostove dhe sidomos, përbën një rrezik të  lartë edhe për aksidente dhe sigurinë e jetës.

Gjithashtu, ngarkesa e lartë e qarkullimit të  mjeteve në zone, përbën  një  ngarkesë të ndjeshme edhe për dëmtimin e mjedisit për Tiranën, edhe kështu në gjendje të rënduar dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar të lejuar.

‘Konfindustria’, duke marrë  shkak nga shembulli i mësipërm, por edhe nga gjendja e vështirë e infrastrukturës rrugore, në  pothuaj të gjitha akset e tjera të  rëndësishme kombëtare, vlerëson se, skema e sotme e menaxhimit të mirëmbajtjes  të  sistemit rrugor, është e dështuar.

Këtu përfshihet edhe projekti përkatës i financuar me kredi nga Banka Botërore. Pavarësisht, se financimet e mirëmbajtjes së  sistemit rrugor i kushtojnë  mjaft shtrenjtë buxhetit të  shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, cilësia e shërbimit është mjaft e ulët, me shenja të qarta të shpërdorimit, subjektivizmit dhe korrupsionit”,  shkruhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.