Inceneratorët ‘gëlltitin’ 12 mln E, mbetjet mbytin vendin

291
Sigal

Qeveria harxhoi 12 mln euro për inceneratorët, vendi “përmbytet” nga mbeturinat

Për menaxhimin e mbetjeve në 4-mujorin e parë, impiante të përpunimit të mbetjeve që po ndërtohen me kontrata PPP

Qeveria financoi menaxhimin e mbetjeve urbane me 1,5 miliardë lekë ose rreth 12 milionë euro në katër muajt e parë të vitit, teksa shumica e fondeve shkuan për ndërtimin e inceneratorëve (impiante të përpunimit të mbetjeve që po ndërtohen me kontrata PPP dhe menaxhohen nga privatët).

Në të njëjtën kohë, qyteti më i madh turistik në vend, Durrësi, dhe zonat rreth tij, janë përmbytur nga mbeturinat në kulmin e sezonit turistik, duke e thyer keq imazhin e turizmit në vend.

Burimet zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës , të azhornuara në raportin 4-mujor të monitorimit të buxhetit tregojnë se, nga fondet  totale të shpenzuara rreth, 512 milionë lekë ishin shpenzime korente dhe shkuan për të financuar projektin “Ndërtimi i inceneratorit të Tiranës”.

Buxheti i investimeve kapitale me financim të brendshëm është 2,064,272 lekë për të gjithë vitin dhe realizimi financiar në periudhën  janar-prill ishte 905,715,000 lekë, ose 44% e shumës vjetore.

Ministria e Infrastrukturës ka sqaruar se këto fonde, kanë shkuar për financimin e projekteve koncesionare si, ndërtimi i Inceneratorit të Fierit, ndërtimi i Inceneratorit të Elbasanit, mbyllja dhe rehabilitimi i vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta Eko- Park Durrës, ndërtimi i vend-depozimit Bushat, faza II dhe punime shtesë të impiantit të trajtimit të ujërave dhe shtresave të landfillit Bajkaj.

Ministria e Infrastrukturës ka sqaruar se, nga 12 milionë eurot janë mbështetur me fonde rimbursimi i TVSH-së për projektet me financim të huaj nga donatorët.

Buxheti i investimeve kapitale për menaxhimin e mbetjeve me financim të huaj është 1,050,000,000 lekë dhe realizimi për 4-mujorin e parë 2021 ishte 89,876,000 lekë ose 8,5% e realizuar,  ku financim ka pasur vetëm në projektin “Sistemi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Qarkun Vlorë”, me fondet e disbursuara nga kreditë dhe grantet e huaja.

Pavarësisht situatës së pandemisë që ngadalësoi shumicën e projekteve në ekonomi në vitin 2020, menaxhimi i mbetjeve ishin nga projektet më të financuara gjatë vitit të kaluar me fonde buxhetore.

Inceneratori i Fierit vitin e kaluar u financua me 752,770,000 lekë dhe Inceneratori i Elbasanit me 582,720,000 lekë.