Si u ‘gllabëruan’ nga Zoto, Gugallja dhe Mërtiri, 430 mln euro për 3 inceneratorët me një vendim fantazmë. Edhe pse kanë përfituar milion euro nga afera e inceneratorëve, kompanitë dytësore të bosëve të plehrave nuk janë sekuestruar nga SPAK dhe vijojnë aktivitetin e tyre lirisht. “Zoto Consulting” ka përfituar rreth 750 milion lekë nga kompanitë, që zotërojnë koncesionet e landfilleve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, ndërsa zyra e konsulencës “Consulting SE Partneres”, me aksionere Stela Gugallja, ka përfituar 700 milionë lekë të vjetra
Si u ‘gllabëruan’ 430 mln euro për 3 inceneratorët me një vendim fantazmë, përfituan Zoto, Gugallja dhe Mërtiri
430 mln euro për 3 inceneratorët me një vendim fantazmë. Tabaku tregon si përfituan Zoto, Gugallja dhe Mërtiri. Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka folur sërish për aferën e inceneratorëve duke shenjëstruar Qeverinë. Tabakau ka përsëritur faktin se e gjithë alibia e shumicës socialiste për 3 inceneratorët me vlerë 430 mln euro rrotullohej rreth një vendimi që kishte shpallur emergjencën mjedisore në Shqipëri.
“Një vendim që kryeministri e valëviti në Komision Hetimor e që më pas u bë publike në një shkrim të BIRN ku kuptohej qartë nuliteti i këtij vendimi që do të thotë në fakt mosekzistenca e tij.
Pikërisht për këtë vendim të marrë në shkurt 2014 i bëra një kërkesë zyrtare si deputete Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit.
Mirëpo çuditërisht në përgjigjen e saj Ministria shprehet se një vendim i tillë i kësaj date nuk ekziston në protokollin e ministrisë”,- shkruan Tabaku në rrjete sociale.
Kjo do të thotë,- shkruan më tej Tabaku, se 430 mln euro nga taksat e shqiptarëve janë dhënë me një vendim, që nuk ekziston as në protokollin e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit pra një vendim praktikisht inekzistent.
“Përgjigja e ministrisë do të thotë që janë dhënë 430 mln euro për 3 inceneratorët në favor të Gugalljas, Zotos dhe Mërtirit që në fakt fshehin pas tyre politikanët dhe ministrat e qeveritarët sot.
Ndaj është jetike për SPAK që të bashkojë të 3 çështjet në 1 të vetme, që të nisë një hetim të thelluar pasuror për çdo individ të përfshirë në vjedhjen e shekullit.
Raporti i opozitës të cilit i është bashkangjitur dhe një kallëzim i madh penal e sqaron mjaft mirë skemën se si qeveria Rama ka angazhuar gjithë resurset qeveritare për vjedhjen e shekullit me vlerë 430 mln euro.
Çdo ditë që kalon buxheti i shtetit i paguan 90 mijë euro/ditë inceneratorit, ndërkohë që vendi është në një krizë të thellë ekonomike dhe jo vetëm.
Koha që drejtësia të veprojë pasi Shqipëria luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar duhet ta ketë prioritet. Koha që SPAK mos të trembet nga sulmet politike, përfundon reagimin Tabaku.

“Bosët e Plehrave” vijojnë t’i shijojnë milionat, prej muajsh qëndrojnë në arrati. Kompanitë dytësore nuk sekuestrohen nga SPAK
Edhe pse kanë përfituar mbi 1 milion euro nga afera e inceneratorëve, kompanitë dytësore të bosëve të plehrave Klodian Zotos dhe Stela Gugalljas, nuk janë sekuestruar nga SPAK dhe vijojnë aktivitetin e tyre lirisht. “Zoto Consulting” ka përfituar rreth 750 milion lekë nga kompanitë, që zotërojnë koncesionet e landfilleve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, ndërsa zyra e konsulencës “Consulting SE Partneres”, me aksionere Stela Gugallja, ka përfituar 700 milionë lekë të vjetra.
Disa kompani në pronësi të “bosëve të plehrave” Stela Gugallja dhe Klodian Zoto i kanë shpëtuar hetimit të SPAK-ut, megjithëse rezultojnë si përfituese të qindra miliona lekëve nga afera e inceneratorëve. Në dhjetor 2021 dhe prill 2022, Prokuroria Speciale vendosi nën sekuestro kompanitë “Albtek Energy” të Stela Gugalljas dhe “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos, të cilat zotërojnë kontratat koncesionare të inceneratorëve në Elbasan dhe Fier.
Megjithatë, të paktën 4 kompani të tjera, të lidhura ngushtë me aferën e inceneratorëve dhe ku janë aksionerë Gugallja dhe Zoto, vijojnë të jenë aktive. Kompania “Zoto Consulting” është ende e pashqetësuar nga hetimet e SPAK-ut. Zyra e konsulencës e Klodian Zotos rezulton se ka përfituar mbi 750 milionë lekë të vjetra ose rreth 700 mijë euro nga kompanitë, që zotërojnë koncesionet e landfilleve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Zyra e konsulencës “Consulting SE Partneres”, e zotëruar në 80 përqind nga Stela Gugallja, vijon të jetë e paprekur nga hetimet e Prokurorisë Speciale. Kjo zyrë rezulton të ketë përfituar rreth 700 milionë lekë të vjetra nga impiantet e mbetjeve në Fier dhe Tiranë. Kompania “E.R One Albania” është e përfshirë në veprimtarinë financiare të koncesionarëve të mbetjeve urbane. Stela Gugallja zotëron 40 përqind të aksioneve të saj dhe administrator është Mirel Mërtiri, i konsideruar edhe si “njeriu-hije” i inceneratorëve. Kompania vijon aktivitetin e saj lirisht.
Po ashtu, edhe kompania “C.G.C”, në pronësi të Klodian Zotos dhe administrator Mirel Mërtirin, vijon të jetë aktive dhe pa asnjë penalitet. Kjo kompani fitoi licencë gazi në vitin 2017 dhe e humbi në dhjetor të vitit të kaluar, kohë kur klani i inceneratorëve u ekspozua shumë publikisht.
Ndërkohë, Gugallja, Zoto e Mërtiri janë aksionerë në të paktën edhe 4 kompani të tjera, të cilat, megjithëse nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me inceneratorët, janë krijuar gjatë lulëzimit të aferës gjigante financiare. Në të gjitha këto kompani, “Bosët e Plehrave” vijojnë t’i shijojnë aksionet të pashqetësuar, ndërkohë që prej muajsh qëndrojnë në arrati.




















