Fermerët, çmimi i shtrenjtë nafta rikthen gomerët në bujqësi

216
Sigal

Ndërprerja e subvencioneve për fermerët shqiptarë dhe projekti i qeverisë për vreshtarinë u kthyen në mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës në komisionin parlamentar të ekonomisë. Deputetët e opozitës Edmond Spaho dhe Dashamir Shehu i kërkuan qeverisë që të nxisë dhe përkrahë prodhimin vendas. Ndërprerja e subvencioneve për fermerët u konfirmua edhe nga vetë përfaqësuesi i qeverisë në komision, Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Gjatë shqyrtimit nen për nen të projektligjit “Për vreshtarinë dhe Verën”, relatorja e draftit Pranvera Resulaj propozoi disa ndryshime. Pas diskutimeve, mazhoranca në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës miratoi projektligjin, i cili pritet të marrë votëbesimin e Kuvendit në seancë plenare. Ndërkohë rritja e çmimit të naftës, rikthen përdorimin e mjeteve primitive në punimin e tokës në zonat e Elbasanit. Fermerët e Funarit kanë rikthyer parmendat dhe kafshët në punimin e tokës për të mbjellat e stinës, pasi nuk përballojnë dot kostot e përdorimit të mekanikës bujqësore. Nga ana tjetër, prodhimet e tyre mbeten pa shitur për shkak të rrugës së amortizuar.Deri para disa dekadash këto pamje ishin të zakonshme në zonat rurale të Shqipërisë, ku bujqësia vijonte të ishte primitive për shkak të mungesës së mekanikës. Por, sot në vitin 2022, këto pamje janë rikthyer të shpeshta në zonat rurale shqiptare, ku për shkak të rritjes së çmimeve, fermerët po ripërdorin parmendat dhe kafshët për të punuar tokën. Të tillë janë fermerët e zonës turistike të Funarit, të cilët nuk mund të përballojnë dot kostot e punimit të tokës me mjete bujqësore, ndaj kanë nxjerrë nga magazinat parmendat e dikurshme, për të përgatitur arën për të mbjellat e stinës. Në këto kushte, të rinjtë kanë braktisur fshatin, pasi ndonëse pjesë e zonave turistike, Funari është lënë në mëshirë të fatit dhe pa investime nga pushteti lokal dhe ai qendror, ku problem kryesor për banorët dhe jo vetëm, është amortizimi i rrugës.Rruga penalizon sipërmarrësit të investojnë në zonë, ndërsa fermerët e kanë të pamundur të nxjerrin prodhimet e tyre në tregjet e qytetit. Premtimet për rikonstruksionin e rrugës kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme nga pushteti lokal, por deri më sot, gjithçka ka mbetur në letër. Viteve të fundit, ka filluar shkatërrimi apo asgjësimi i tokave bujqësore. Përveç kostove të naftës, fermerët po lënë tokat djerr, jo se  nuk kanë dëshirë për t’i punuar, por shkak është  se kostoja e  lartë e proceseve duke mos justifikuar prodhimin.