Letër e hapur/ Prof. Dr. Vangjel Kici: Ja projekti që nxjerr Shqipërinë nga kriza e naftës dhe gazit me vendburimin e ri pranë Përmetit. Qeveria të vlerësojë studimin.

250
Sigal

 

  • Shqipëria ka perspektiva shumë të mëdha për naftë dhe gaz.
  • -Zbulojmë një vendburim të ri nafte dhe gazi, në gëlqerorët e mbuluar nga flishi, në strukturën antiklinale të Bodarit (pranë Përmetit).
  • – Për vënien në punë të parave të popullit le të marrim shembull nga Norvegjia.
  • – Këtu shpimi i pusit të kërkimit mund të bëhet nga një kompani private, me pagesë nga shteti, por pa Marrëveshje Hidrokarbure.

Kriza e naftës dhe e gazit në botë mund të vazhdojë gjatë. Prandaj duhen marrë masa urgjente. Grupi ynë i gjeologëve ka këtë propozim:

E sigurojmë qeverinë, se brenda një muaji mund të zbulojmë një vendburim të ri nafte dhe gazi, në gëlqerorët e mbuluar nga flishi, në strukturën antiklinale të Bodarit (pranë Përmetit). Struktura është e përgatitur me punime komplekse gjeologo-gjeofizike. Kjo strukturë është e gjatë mbi 60 km! Ky vendburim i pritshëm nafte dhe gazi është i cekët dhe i madh. Gëlqerorët ndodhen rreth thellësisë 1300 m. Vendburimi i pritshëm mund të përgatitet shpejt për shfrytëzim, sepse struktura është relativisht e cekët. Pra, fillimisht nevojiten investime nga shteti, duke vënë në punë edhe paratë e popullit. Për vënien në punë të parave të popullit le të marrim shembull nga Norvegjia. Këtu shpimi i pusit të kërkimit mund të bëhet nga një kompani private, me pagesë nga shteti, por pa Marrëveshje Hidrokarbure. Për vazhdimin e mëtejshëm të punimeve le të krijohet Kompania Shqiptare Shtetërore e Naftës. Ky vendburim i pritshëm të mos privatizohet, por të jetë pronë shtetërore. Vendburimi pritet të jetë afërisht sa të gjitha vendburimet e naftës, të zbuluara në gëlqerorët, të marra së bashku!! Kjo kërkon që t’i anulohet (shfuqizohet) Marrëveshja Hidrokarbure kompanisë Shell Upstream Albania për Bllokun 4. Kjo kompani, gjatë shumë viteve, nuk ka kryer ose ka kryer fare pak punime kërkimi në terrenin e Bllokut 4. Ajo ka shkelur me të dyja këmbët Marrëveshjen Hidrokarbure, dhe Ligjin e Naftës në Shqipëri. Prandaj, ky anulim mund të bëhet shumë lehtë dhe pa probleme, po të dojë qeveria!!

Mendojmë se Shqipëria duhet t’a shfrytëzojë këtë krizë globale, kur çmimi i naftës dhe i gazit në tregun botëror është shumë i lartë. Këtë e theksojmë, sepse Shqipëria ka perspektiva shumë të mëdha për naftë dhe gaz. Prandaj, Shqipëria duhet t’a shtetëzojë naftën dhe gazin (fillimisht përjashtuar vendburimet e dhëna me koncesione). Duke zbuluar edhe vendburime të tjera, për shembull në Velçë (në jug të Gorisht-Koculit), dhe sidomos në Brezin Ofiolitik të Mirditës, ku pritet të zbulohen vendburime gjigante. Shqipëria do të bëhej eksportues relativisht i fuqishëm nafte dhe gazi, dhe shteti do të kishte të ardhura shumë të mëdha. Për këtë propozim kërkojmë mbështetjen e të gjithë naftëtarëve, dhe të gjithë popullit shqiptar.