Ilmi Qazimi: A keni gjak shqiptari, zotërinj politikanë?!

291
Sigal

 

  • Për Kryeministrin tonë një godinë betoni për të strehuar makina është më i rëndësishëm se sa Monumenti i Pavarësisë.
  • Kemi tridhjetë vjet që qeveritë tona kapitaliste, për të cilat kemi votuar duket se po ndërtojnë, por më shumë po prishin.
  • – Edi Rama, me kompleksitetin e vet i vuri qysqinë, kazmën, drapërin dhe dinamitin atdhetarisë, shqiptarisë

 

Kemi tridhjetë vjet që qeveritë tona kapitaliste për të cilat kemi votuar duket se po ndërtojnë, por më shumë po prishin. Më shumë po shkatërrojnë. Motivet janë : “të bëhemi si Europa e si bota”, por intelektualët e mirëfilltë dhe shqiptarët e vërtetë e njohin që kjo është një strategji antikomuniste. Në pamje e në realitet zbatohet si strategji e taktikë e stërholluar antishqiptare. Burimi i ndërtimit dhe kompozimit kaq efikas të kësaj manovre është në Amerikë, kuptohet fare mirë, por hasëll-hasëll, fajin nuk na i ka ajo! Fajin për tërë këtë shkatërrim vdekjeprurës për kombin, traditat, për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, për gjuhën etj, na e kanë vetëm qeveritë tona. Fajin e kemi nga brenda! O na hëngërt tënja! Saktësisht, kryetarët e këtyre qeverive! Sepse ata në vend që të mendonin për t’i shërbyer sa më mirë Shqipërisë, kanë qenë e janë shërbetorët më të zellshëm të kapitalit të huaj. Kuptohet se nuk është e lehtë që të drejtosh një shtet të vogël kur ke ujqër përqark. Detyrohesh të bësh aleancë me dikë më të fortë, edhe pse gjithnjë i vogli do të jetojë nën hijen e të madhit. Por ama, ruaje qoftë edhe një pikë gjak shqiptari, mor zuzar! – kështu e meritojnë t’u themi zëlartë kryetarëve tanë. Ne kemi edhe një zakon tjetër që i bindemi verbërisht “Njëshit”, veçse tani po shohim se njëshat tanë paskan qenë “zero shqiptar” e të shkëlyer si”puthadorës amerikan”. Më kujtohet thënia e një shkencëtari amerikan ushtarak objektiv, i qëndrueshëm në bindjet dhe përvojën e tij, kur shkruante aty rreth vitit 1996, afërsisht këto fjalë: “gabimi më i madh i shqiptarëve është se vdesin për Amerikën!”

Revanshi antikomunist i Sali Berishës dhe …

I pari dhe më i rrezikshmi fajtor deri në armik për ne, është dhe mbetet Sali Berisha, si krimineli më i pangopur me këto prishje, vandalizma, djegie, përmbysje, vrasje, në të gjitha fushat e jetës: ekonomike, ideologjike, politike, psikologjike, demografike, gjeografike deri edhe gjuhësore. E të tërë këto të organizuara në mënyrë kriminale antishqiptare. Asgjësimi i ushtrisë dhe armatimit të saj për 24 orë është vepër e tij dhe gjeneralëve të errësirës emëruar prej tij. Asgjësimi fatal i diplomacisë shqiptare, sepse ajo ka qenë komuniste, është vepër e tij. Të gjithë kujtojmë prishjet, shkatërrimet, vjedhjet dhe plaçkitjet e gjithë fabrikave, uzinave, magazinave, mapove, etj. ngase ato ishin komuniste! Po ashtu  me urdhër të tij iu vu zjarri sa e sa pyjeve,  iu vu sopata e sharra sa e sa plantacioneve me pemë frutore si në Shkodër, Vlorë, e gjetiu…Në kohën e tij lulëzuan edhe sulmet e furishme kundër gjuhës shqipe të njësuar zyrtare, sepse ajo ishte vepër e komunistëve!?? Bëmat e tij vajtën deri në zhvarrosje eshtrash të komunistëve! Vepra makabre të rrallëndodhura! Dhe atij nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, madje kërkon përsëri pushtet partiak e shtetëror! Ai, për krimet që janë kryer me urdhër të tij me, por kryesisht pa firmë të tij, edhe burgun e ka pak

Pastaj e ka fajin liberali i skajshëm Fatos Nano. Ai me dëshirë apo me frikë, me zgjuarësi apo  mponim, pasi i solli jo pak dëme popullit të vet, duke shkelur keqas në biografinë e pastër atdhetare të trungut të tij familjar, u tërhoq me shumë rrufjanllëk nga politika. Kryeministrat e tjerë të ndërmjetmë( Meksi, Fino, Majko, Meta) janë thjesht kalimtarë dhe nuk kanë vulë të mirëfilltë shkatërrimtare. Ata që provuan postin e presidentit të Republikës, lanë pak gjurmë, se aq iu jep ligji, veç Metës, Topit e Nishanit që dhanë dekorata më shumë për tradhëtarët se sa për heronjtë e dëshmorët.

…Vrulli antishqiptar i Edi Ramës

Ndërkohë që Edi Rama, me aftësitë e tij të spikatura në shumë fusha, me kompleksitetin e vet kalorsiak euforik të paparë, sa erdhi në karrigen kryeministrore,  i vuri qysqinë, kazmën, drapërin dhe dinamitin atdhetarisë, shqiptarisë dhe ecurisë specifike të zhvillimit kapitalist shqiptar. Ai u zhyt me dëshirë në llagëmin e thellë e të ndotur antikombëtar për t’i kthyer shqiptarët në qytetarë të botës duke braktisur tërë çka të mirë që gjeti: pasuri të mëdha njerëzore, ekonomike mbi e nëntokësore, gjallëri dhe vitalitet kombëtar të ngulitur në gjakun e shpirtin shqiptar me mite, punë, ideale që buronin nga historia shumëvjeçare dhe veçanërisht nga gjaku i freskët i derdhur i 28 mijëve bij e bijave gjatë  Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si dhe tabani i traditave shekullore të ekzistencës në këtë copë truall të begatë të globit.

Triumfalisht ai na tha se ardhja e tij do të ishte një rilindje! Qe një lloj megallomanie dhe pabesueshmërie, por populli, nga që shpreson për më mirë, është si tufa e deleve. Dhe ja ku jemi tani pas afër dhjetë vitesh qeverisjeje të tij ku, gropën që ‘kish krijuar’ Saliu, ky e mbushi me koncensione e borxhe të paimagjinuara. Jemi “krenarisht” shtet i fuqishëm pa ushtri, thuajse krejt pa bujqësi, pa blegtori, pa arsim të organizuar, pa rini, me traditë kulturore të dëmtuar, me gjuhën shqipe të sulmuar, por ama edhe me nismë për t’u bërë plaçkë turistike e botës. Po ashtu “krenarisht” kemi “partneritet (!?) të supersuksesshëm” me superfuqinë imperialiste, SHBA kemi siguruar “vende drejtuese” në organizma me rëndësi (?!) botërore si Këshilli i Sigurimit i OKB, e gjetiu. Ehuuu, ku kemi arritur! Njëherazi kemi realizuar edhe boshatisje masive të mëmëdheut tonë nga rinia, e cila joshet të jetojë nëpër botë dhe largohet e deziluzionuar nga vatani i lindjes, nga varret e të parëve!

Këto vite kemi gjithkund trotuare, mure, sheshe të betonuara. Kemi vila e resorte buzë detit e në male. Kemi buste tradhëtarësh e armiqsh që patën përlyer duart më gjakun e qytetarëve të pafajshëm, e tani po vlerësohen si heronj. Kemi akte vandale të shpeshta e skandaloze si objekte të fesë dhe ato të kulturës dhe dekoracionit historik shqiptar ku më e rënda është dëmtimi dhe përdhosja e Varrezave të Dëshmorëve në Korçë. Diçka jashtë traditës njerëzore ndaj të varrosurve! Po ashtu kemi shumë pak ose aspak fonde për mirëmbajtjen e objekteve që përbëjnë simbole të historisë sonë kombëtare, sepse lekët shkojnë për paga të larta e bonuse të shumta për deputetët e ministrat. Nuk kemi më as bustin e Enver Hoxhës, as të Qemal Stafës, as Bardhok Bibës, as të Tom Kolës, Muhamet Gjolleshës e Shyqyri Ishmit, Pesë Heronjtë e Mirditës në Shkodër,etj, që kanë qenë e mbeten heronj deri në mite kombëtare. Janë rehabilituar ata që dëshiron kryministri,si : emri dhe busti i Mit’hat Frashërit, Alush Leshanakut, Ahmet Zogut dhe gruas së tij austriake, etj.

Nuk interesohet kush për bustin-liliput të Ismail Qemalit në kryeqytet, por më armiqësisht akoma: sakatohet deri në shkatërrim barbarisht grupi skulptural i Sheshit të Flamurit në Vlorë! Simboli kombëtar me peshën më të madhe pas Monumentit (ekuestër) të Skënderbeut. Sepse u dashka një terminal pikërisht aty ku u ngrit Flamuri kuq e zi dhe u deklamua Shqipëria shtet i Pavarur! Kjo do të thotë se për kryeministrin tonë një godinë betoni për të strehuar makina është më i rëndësishëm se sa Monumenti i Pavarësisë! Atij i shërben më shumë një ‘kompleks arkitekturor’ i tillë që të mbajë emrin e kohës së tij dhe jo Sheshi i Flamurit! Por sado modern të jetë kjo vepër e Edi Ramës, nuk është asfare i barazvlefshëm me Monumentin madhështor të Shehit të Flamurit! Ky veprim është krim i rëndë që nuk mund të imagjinohej kurrë! Këto ndodhin gjatë qeverisjes së z.Edi Rama, ku edhe disa nga kryetarët e bashkive natyrshëm, janë të detyruar që të ulin kokën e të bëjnë ato që ka dëshirë kryetari i madh, e të mos mendojnë ndryshe.

Zoti Kryeministër ! A keni gjak shqiptari ju? Vallë a e ke menduar, se ashtu si të vuri aty populli (dhe mbështetja e huaj antishqiptare) ashtu edhe të heqin e pastaj të katandisesh keq e më keq! Nuk e them unë po historia e ka treguar për të tjerë para teje e meje.