Fiskalizimi i papërballueshëm/ Biznesi i vogël dhe i mesëm në pragë të falimentimit. Pandemia mbylli 87 mijë biznese dhe 97 mijë vende pune

336
Sigal

Gjendja e biznesit të vogël dhe të mesëm e mjerueshme, i kërkojmë qeverisë:

Procesi i fiskalizimit i papërballueshëm, të shytyhet për një afat të pacaktuar

Pandemia e vitit 2020 mbylli mbi 87 mijë biznese, jemi në prag falimenti

 Shoqata e biznesit të vogël dhe të mesëm të Shqipërisë, nëpërmjet kryetarit të saj, Albert Nasto i kërkon Qeverisë Shqiptare, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shtyrjen e procesit të fiskalizimit për një afat të pacaktuar, pasi sipas kryetarit të saj, z. Nasto, shoqata në fjalë e ka të pamundur nga ana financiare përballimin e këtij procesi, sepse bëhet fjalë për një biznes ku numri i të punësuarve shkon nga 1 deri në 4 punonjës, gjë që e tregon më së miri cila është aftësia e saj financiare, veçanërisht në këto kohë të vështira pandemie, kur mbijetesa e tyre është vështirësuar së tepërmi.

Pandemia mbylli për 3 muaj 87 mijë biznese, orët policore vijojnë

 Gjithashtu, z. Albert Nasto, kryetari i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm bëri të ditur për gazetën “Telegraf” se gjatë pandemisë së vitit 2020, për tre muaj me radhë, u mbyllën  më shumë se 87 mijë biznese, mjaft të tjera rrezikuan falimentimin. Gjithashtu masat policore për kufizimin e veprimtarisë tregtare (orë policore), vijojnë edhe sot. Sigurisht,  marrja e masave të tilla në thelb ka qëllimin e mirë, mënjanimin e rrezikut nga pandemia, por jeta ekonomike e financiare e  biznesit të vogël e të mesëm po gjendet gjithnjë e më tepër në vështirësi.  Aktualisht bizneset tona ndodhen në mëshirë të fatit, pagesat janë qesharake dhe aspak të mjaftueshme për të ndihmuar tregtarët dhe të punësuarit në biznes.

2020-a mbylli 38 mijë biznese, largoi nga puna 97 mijë të punësuar

Cila është gjendja reale e sotme e biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri, më shumë se fjalët e tregojnë shifrat, të cilat dinë ta rrëfejnë më së miri të vërtetën. Vetëm gjatë vitit 2020 u mbyllën 38 mijë biznese dhe u larguan nga puna 97 mijë të punësuar dhe tregtarë.  Përballë të vërtetave të hidhura që gjendemi sot, hedhja e idesë së fiskalizimit jo vetëm që është e parakohshme, por edhe e papërballueshme nga bizneset tona. Ndërmarrja e një hapi të tillë do ta vendoste biznesin në një situatë tjetër edhe më të vështirë, si për tregtarët ashtu edhe për të punësuarit.

Biznesi shqiptar mori më pak ndihma, krahasuar me vendet e rajonit

Dhe sikur të mos mjaftonin vështirësitë e përmendura më sipër, biznesi shqiptar mori më pak ndihma, krahasuar me vendet e rajonit, dhe shumë më pak krahasuar me Europën. Dhe këto nuk janë të vetmet vështirësi të numëruara, sepse ndërkaq mund të përmendim të tjera: dihet shumë mirë që biznesi i vogël dhe i mesmë nuk ka lartësinë shkollore dhe nuk është i trajnuar për një sistem nga më të përparuarit. Për rrjedhojë biznesi do të jetë i rrezikuar prej gjobave të majme, të cilat do të çojnë në falimentime masive.

Biznesi ynë nuk i përballon dot  pagesat e personave të specializuar

Pra, mosaftësia për të punuar këtë sistem fiskal do të bëjë të nevojshme punësimin e një personi të specializuar me një pagë nga 50-80 mijë lekë në muaj, gjë që për 70% të biznesit shqiptar do të jetë gati e pamundur. Këto pagesa bëhen edhe më të pamundura po të kemi parasysh që xhiroja aktualisht është ulur me 50%, krahasuar me vitin 2019, ndërsa fuqia blerëse ka pësuar rënie me gati 60%. Një tjetër barrë e madhe financiare me efekt të gjatë kohor, është mirëmbajtja dhe servisi që nevojitet për sistemin. Gjithashtu duhet të merret me patjetër parasysh fakti që bizneset tona përjetuan pastërmetin e 2019 –ës, pandeminë 2020-ës dhe rënien e fuqisë blerëse, si shkak i një krize të panjohur në 30 vite postdiktature.

Qëllimi i reformës është korrupsioni, reforma u përgatit nga oligarkët

Nuk kemi asnjë dyshim, qëllimi i kësaj reforme është i mirë, por në kushtet në të cilat ndodhet biznesi shqiptar, kjo reformë do të çojë në rritjen e korupsionit, në fitime marramendëse të kompanive që do të tregëtojnë kasat fiskale dhe në 9 elementët që përbëjnë proçesin e fiskalizimit, të cilat do t’i çojnë shifrat në mbi 300-400 milion €. Sipas biznesmenëve të shoqatës tonë kjo reformë po na serviret si një mundësi që do sjellë shumë të ardhura në buxhetin e shtetit etj, por kjo nuk do të jetë e vërtetë, sepse nuk mund të luftojë evazionin fiskal kaq shumë të përhapur në vend. Përkundrazi, do të përdoret nga segmente të caktuara të administratës tatimore për selektivitet dhe hakmarje primitive. Qëllimi kryesor i kësaj reforme nga qeveria është zbatimi i planit të pregatitur në zyrat e oligargëve dhe monopoleve të lidhura me fije të dukshme dhe të pa dukshme me segmente të qeverisë për të shkatërruar përfundimisht numrin më të madh të bizneseve të vogla dhe të mesme në Shqipëri dhe pastaj të marrin shërbimet që kryen ky biznes. Kjo është reforma më e gabuar në kohë të gabuar dhe në vendin e gabuar; kjo reformë nuk do të luftojë informalitetin, që sot është mbi 48%. Prandaj edhe një herë po i kërkojmë qeverisë :

I kërkojmë qeverisë,  shtyrje të fiskalizimit për një afat të pacaktuar

Shtyrje të procesit deri në rimëkëmbjen e biznesit dhe ekonomisë; deri në mbarimin e pandemisë dhe masave që kufizojnë lirinë e të ushtruarit të aktivitetit privat; deri në mbështetje të plotë financiare nga qeveria dhe pushteti lokal për fitimet e humbura të biznesit në kohë pandemie (orë policore); deri sa i gjithë biznesi të trajnohet për të përdorur këtë sistem fiskal; deri sa kasat, por dhe elementët që përbëjne sistemin fiskal të jenë falas; në qoftë se nuk do të ketë reagim të shpejtë nga ana e qeverisë atëherë: i gjithë biznesi, pa dallim, të ndezim motorët në maksimum për të mbrojtur familjet tona, bizneset tona, të ardhmen tonë, dhe ekzistencën tonë kaq shumë të rrezikuar nga kjo reformë. Po presim të merret një vendim sa më i shpejtë nga ana e qeverisë. E kundërta, do përdorim të gjitha format dhe mjetet që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë na ka dhënë deri sa të plotësohen kërkesat legjitime të biznesit.

Për Shoqatën e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë:

Bordi drejtues, dt. 6. 9. 2021