Sigurimet e papaguara rrezikojnë pensionet. Avokatja Shkëmbi: Qytetarët të nisin proceset gjyqësore, ja procedura

28
Sigal

Borxhi i akumuluar ndaj sigurimeve shoqërore, nga institucione publike dhe private, ka arritur në nivelin e 22.5 miliardë lekëve, një detyrim ky që ka ardhur në rritje vit pas viti, duke venë në vështirësi jo vetëm arkën e sigurimeve shoqërore, por edhe pensionet ne të ardhmen.

Qytetarët të cilët gjenden në këto kushte, apo përpara këtij fakti kanë të drejtë të nisin një proces gjyqësor, për periudhat në të cilat nuk rezultojnë të siguruar edhe pse kanë qenë në marrëdhënie pune. Avokatja Teuta Shkëmbi sqaron edhe procedurën që duhet të ndiqet.

Një problem permanent mbeten vitet kontributive, veçanërisht për ata të cilët kanë punuar gjatë periudhës komuniste. Në jo pak raste, regjistrat e këtyre kooperativave janë dorëzuar të mangët dhe në rastin më të keq, nuk janë dorëzuar fare.

Një pjesë e tyre, po ashtu, u shkatërruan gjatë trazirave të vitit 1997, duke bërë që periudha e vjetërsisë në punë të mos iu njihet. Kjo ka bërë që shumë qytetarë t’u drejtoheshin gjykatave.

Me ndryshimet e bëra, për një pjesë të ish-kooperativave kjo gjë shmanget. Kështu, të gjithë që kanë punuar në këto kooperativa bujqësore por që s’kanë asnjë dokument për ta provuar këtë nuk e kanë më të nevojshme që të përplasen dyerve të gjykatës për të kërkuar të drejtën që iu takon. Çdo vit pune nuk shkon dëm, por llogaritet për efekt pensioni.

Pragu është mosha 15 vjeç, pasi gjatë kohës së diktaturës, puna niste menjëherë pas përfundimit të arsimit bazë.  Konkretisht, nëse dikush ka 7 vite pune në ish-kooperativat bujqësore, por si periudhë pune për shkak të mungesës së dokumentacionit i njihen 4, atëherë tri vitet e mbetura merren të mirëqena. Gjithsej janë 72 ish-kooperativa bujqësore në të cilat aplikohet kjo lehtësi.