Banka Botërore: Rrezikohet që rritja ekonomike të ngecë në nivele të ulëta në vijim

14
Sigal

Ekonomia shqiptare po sfidohet nga burimet që mundësojnë rritjen e saj. Banka Botërore vlerëson se vendi duhet të gjejë një model të ri, përndryshe rrezikohet që rritja të ngecë në nivele të ulëta.

“Ne mendojmë se ky është një moment i rëndësishëm për të rimenduar mbi burimet e rritjes ekonomike. Deri më tani rritja është bazuar te ndërtimi, konsumi apo turizmi po kjo nuk i bën këto burime të mjaftueshme për të pasur vende më të mira pune apo për të çliruar potencialin e Shqipërisë për të rritur ekonominë e vendit”, tha Emanuel Salinas, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.

Banka Botërore parashikon që ekonomia e vendit të rritet me 3.3 për qind këtë vit, 3.4 për qind në 2024-n dhe 3.5 për qind në 2025-n.

Parashikimet gati pesimiste, do të rezultonin madje shumë optimiste nëse harta e paqes së prishur në botë do të zgjerohej më tej.

“Ndër rreziqet e jashtme është eskalimi i mëtejshëm i tensioneve gjeopolitike, ngadalësimi i rritjes globale, rritja e mëtejshme e kostove të financimit apo pengesat në tregtinë rajonale”, u shpreh Hilda Shijaku, ekonomiste pranë Bankës Botërore në Shqipëri.

Në një kohë që brenda këtij muaji qeveria prite të miratojë rritjen e pagave në administratën publike, Banka Botërore thotë se procesi nuk po bëhet në mënyrën e duhur. Rritja e pagave po përkthehet në më pak produktivitet në vendet e punës.

“Në këndvështrimin tonë do të ishte mirë që drejtim të nxitjes së produktivitet, rritja e pagave të bazohej edhe mbi nivelet e produktivitet. Gjithsesi kjo është një sfidë që vendet tona janë përballur, pra për të mbajtur fuqinë punëtore të kualifikuar”, tha ekonomistja.

Gjatë prezantimit të raportit të “Pranverës 2024 për Europën dhe Azinë Qendrore”, ekonomistja e Bankës Botërore, Natasha Rovo tregoi edhe drejtimet në të cilat do të rishikohet skema e pensioneve në vend.

“Janë katër fusha kyçe në të cilat ne jemi mbështetur në rishikimin e skemës së pensioneve. Mbulimi, në drejtim të kontribuuesve dhe përfituese, mjaftueshmëria në raport me atë që duhet pagua. Gjithashtu ne duam që sistemi i pensioneve të jetë sa më i pavarur dhe i qëndrueshëm financiarisht”, u shpreh Natasha Rovo, ekonomiste pranë Bankës Botërore.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, inflacioni në Shqipëri do të vijojë në mesatarisht deri në fundin e vitit 2026.