Vilma Nushi dhe Klod Allajbeu mbushin xhepat në kurriz të qytetarëve, qeveria u jep mbi 1 mln euro fonde për punë të pakryera!

12

Vilma Nushi e Check Up dhe Klodian Allajbeu i Dializës, marrin para nga taksat e qytetarëve për punë të pakryera. Auditimi konstaton se kjo sjell për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi tek subjektet private, me kosto shtesë për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse

Sigal

 

INFO  

  • Check up: Janë kryer pagesa për shërbim të pakryer për 20172 raste me një kosto në shumën 310 milionë lekë pa TVSH
  • Hemodializa: Pagesat për shërbim të pakryer për këtë koncesion llogariten në 990 milionë lekë
  • Sterilizimi: Rezulton se në më shumë se 24 mijë raste janë përdorur sete të ndryshme për të njëjtën tipologji kirurgjikale

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit vijon të japë alarmin sa i takon vjedhjes që po bëhet në buxhet me koncesionet në shëndetësi. Dializa, Check-Up, Sterilizimi dhe laboratorët marrin çdo vit miliona euro dhe qytetarët nuk përfitojnë asgjë.

Në raportin vjetor të KLSH, i cili  ka shkuar në Kuvend, evidentohet fakti se qeveria ka rritur fondet për koncesionet në shëndetësi. Madje, Vilma Nushi e Check Up dhe Klodian Allajbeu i Dializës, marrin para nga taksat e qytetarëve për punë të pakryera.

“Nga auditimi në FSDKSH për vitin 2022 është konstatuar rritje e shpenzimeve për koncesionin e sterilizimit për shkak edhe të ndryshimit të strukturës së setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë me rritje 17 % të kompleksitetit të lartë, 3% i mesëm dhe 16% kompleksitet i ulët; rritje të shpenzimeve për koncesionin e dializës, përfshirë faturime për shërbime të pakryera për 8854 raste në shumën 99 milionë lekë pa TVSH; janë kryer pagesa për shërbim të pakryer për Koncesionin e Kontrollit Mjekësor Bazë (Check-up) për 20172 raste, me një kosto në shumën 31,004 mijë lekë pa TVSH; në zbatimin e Kontratës Koncesionare “Për ofrimin e hemodializës” janë kryer pagesat për 8854 raste, nga të cilat 6918 raste nën projeksion dhe 1936 raste mbi projeksion, në shumën 99,191 mijë lekë, që përfaqëson pagesë për shërbim të pakryer; mungesa e barnave alternativë e parë dhe vetme në vitin 2022 ka sjellë për pasojë ulje të numrit të recetave, duke ndikuar te një numër i konsiderueshëm pacientësh; kufizimet buxhetore për financimin e shërbimit të analizave laboratorike të lidhura me tavanin buxhetor, të sanksionuar në kontratën koncesionare të laboratorëve, kanë rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore dhe duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi te subjektet private, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse”, thekson KLSH.

Po ashtu theksohet se në kuadër të auditimeve në shëndetësi, konstatohet se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) dhe institucionet e varësisë së saj nuk kanë mundësuar përmirësimin e shërbimit të trajtimit të sëmundjeve tumorale; shërbimet radiologjike, radioterapi e disa kimioterapi, për rrjedhojë centralizimi i shumicës së shërbimeve shëndetësore, rrit kostot ekonomike për pacientët dhe familjarëve të tyre.

Po ashtu, institucionet përgjegjëse të sistemit shëndetësor nuk kanë qenë plotësisht efektive në forcimin e mëtejshëm të politikave të parandalimit, të depistimit, të trajtimit në kohë të kancerit, për uljen e mortalitetit të popullsisë së prekur nga sëmundjet tumorale në vend.

Sipas KLSH, MSHMS në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, nuk kanë hartuar raporte të monitorimit dhe vlerësimit për përfundimin e Programit të Kancerit në Shqipëri 2011-2020 si dhe të publikojnë raporte vlerësimi për ecurinë e kancerit në Shqipëri duke pasuruar Regjistrin Kombëtar të Kancerit.

Po ashtu, MSHMS dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor: nuk kanë planifikuar auditimin e strukturave të monitorimit të zbatimit të kontratave të shërbimit të hemodializës. Sipas KLSH, nuk i kanë studiuar dhe analizuar, kapacitetet profesionale, teknike dhe infrastrukturore, të institucioneve shëndetësore publike dhe jopublike të çdo qyteti që shërbimi i dializës të jepet sa më afër pacientëve që banojnë në këto qytete.