Skandali/ Shpikja alla shqiptare, Bordi i Transparencës rriti naftën me 9.5%, ndërsa në botë u rrit me 0.9% për të njëjtën periudhë

443

Rritja e çmimit ndoshta po i pëlqen edhe Qeverisë shqiptare, pasi arkëton më shumë në buxhet në formën e akcizës dhe TVSh-së duke e kaluar te qytetarët të gjithë barrën e rritjes së çmimeve

Sigal

Vendi ynë ka numrin më të lartë të pellgjeve naftëmbajtëse në Europën Qëndrore në raport me popullsinë. Shifra që dëshmojnë se çmimi duhet të ishte konkurrues në treg dhe jo në stratosferë. Rritja e çmimit ndoshta po i pëlqen edhe Qeverisë shqiptare, pasi arkëton më shumë në buxhet në formën e akcizës dhe TVSh-së duke e kaluar te qytetarët të gjithë barrën e rritjes së çmimeve.

Luhatjet e çmimit të karburantit në vendin tonë gjatë këtij viti, sidomos gjatë muajve të fundit kanë ngritur jo pak herë pikëpyetje. Këto luhatje janë “fshehur” pas vendimeve të bordit të transparencës, ose më saktë luhatjeve në bursë. Por, nga ana tjetër, këto luhatje në bursë janë të njëjta edhe për shtetet e tjera. “Scan Intel” ka analizuar se si kanë ndryshuar çmimet me pakicë të naftës në vende të ndryshme të botës në një hark kohor prej 7 ditësh, nga data 3 tetor, deri më 10 tetor, sipas të dhënave të “Global Petrol Prices”, dhe rezultatet e këtij hulumtimi janë jo pak suprizuese.

Më datë 1 tetor bordi i transparencës vendosi një çmim prej 223 lekësh për litër për naftën me pakicë, dhe java që pasoi pati shumë luhatje të theksuara në bursë, me ulje ngritje të mëdha. Për këtë arsye, më 7 tetor, bordi vendosi çmimin e ri, prej 245 lekësh për litër. Ky çmim ka mbetur në fuqi deri më datën 12 tetor. Kjo do të thotë se më 3 tetor çmimi në vendin tonë ka qenë 223 lekë për litër, dhe më datë 10 tetor, 245 lekë për litër naftë. Pra, kemi të bëjmë me një rritje të çmimit prej rreth 9.8%. Në rast se do të përfshijmë edhe efektin e kursit të këmbimit mes lekut dhe dollarit, atëherë, kjo rritje zbret lehtë, në 9.5%. Por, si ka ndryshuar çmimi i naftës me pakicë në vendet e tjera të botës gjatë së njëjtës periudhë kohore? Analiza e shifrave për mbi 200 vende të globit, tregon se mesatarja globale e çmimit të naftës me pakicë fiksohej pranë 1.37 dollarëve për litër më datë 3 tetor, ndërkohë që është ngjitur pranë vetëm 1.38 dollarëve më 10 tetor, ose rreth 0.9% rritje.

Siç e tregojnë qartë edhe shifrat, në Shqipëri, gjatë së njëjtës periudhë kohore, çmimet e naftës janë rritur me një hap disa herë më të lartë se mesatarja globale, paçka se edhe pjesa dërrmuese e vendeve të tjera të botës i referohet gjithashtu çmimit të kuotuar në bursë. Një ndikim të lehtë në këto shifra jep edhe kursi i këmbimit mes monedhës vendase të secilit vend dhe dollarit amerikan, por jo aq sa për të përmbysur tendencën.

Në rast se Shqipërinë do ta krahasonim me Europën, shohim se vetëm dy shtete kanë regjistruar një rritje më të lartë se vendi ynë, Luksemburgu dhe Turqia. Por, në Turqi ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë, siç është kursi i këmbimit, dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për një shtet ku inflacioni ka kapërcyer mbi 80%. Në krahasim me vendet e tjera të globit ndërkohë shohim se Shqipëria klasifikohet mes 5 shteteve me rritjen më të lartë të çmimit të naftës me pakicë gjatë periudhës së marrë në analizë, pra 3 tetor, deri në 10 tetor.

Në kahun e kundërt shohim edhe shumë vende të tjera të zhvilluara europiane ku çmimi i naftës gjatë kësaj periudhe kohore në fakt ka rënë, dhe nuk është rritur, siç është rasti i Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, Kroacisë, Austrisë, Rumanisë, apo edhe vende të rajonit si Serbia apo Bosnje Hercegovina.