Nonda Kajno: Ja si na i morën pronat me një kontratë të falsifikuar

2524
Sigal

U bëjmë thirrje organeve të Drejtësisë t’i thonë: “Ndal!” korrupsionit. Gjykata e Faktit rrëzoi kontratën e falsifikuar, gjykata e Apelit e konsideroi të rregullt…

Ja si na i morën pronat me një kontratë të falsifikuar

Ja si nisi vjedhja e pronave tona: Zotërinjtë Ervin Kajno, Kostaq Kajno, Evri Pepo, Alketa Ruço etj., më 8 gusht 1995, hartuan tek noteri Mihallaq Bimbli, kushëri i tyre i dytë nga nëna e tyre Qeti Kajno (Bimbli), një të ashtuquajtur “Kontratë të Pjesëtimit Vullnetar”. Kontrata u bë pa dijeni të nënës tonë Izmini Kajno, Thoma Kajno dhe Nonda (Epaminonda) Kajno, pjestarë në këto prona. Falë kësaj kontrate të falsifikuar, zotërinjtë e përmendur më sipër, përfituan 8 dyqane (6 prej të cilëve te godina e Tisazh-Trikotazhit dhe 2 dyqane te Pazari i Korçës). Ne na kishin lënë gjysmë ndërtese të një ndërtese të rrënuar parapa godinës së përmendur më sipër, sepse edhe gjysmën e saj, noteri Bimbli, ua kishte lënë kushërinjve të vet, kur kjo godinë (e ish-Tisazh Trikotazhit, ishte ndërtuar me lekët e prikës së nënës sonë, 650 napolona flori, të dhuruara nga i vëllai i saj në Angli. Dhurimin e nënës e kemi të dokumentuar. Me qenë se ne e denoncuam në media, kontrata e falsifikuar mbeti në heshtje për 10 vjet me radhë, por në shtator të vitit 2005, ish-regjistruesi Robert Shore, (i shkarkuar për korrupsion), i regjistroi pronat e tyre, edhe pse ishte në dijeni të plotë të dokumentit të falsifikuar.

Gjykata e Faktit rrëzoi kontratën e falsifikuar

Me të marrë vesh faktin, që ish-regjistruesi Robert Shore i kishte regjistruar pronat mbi bazën e një dokumenti të falsifikuar, bëmë kallëzim në Prokurori. Çështja i kaloi Gjykatës, e cila në vendimin e saj nr. 2496 dt.11.12.2006, me gjyqtar Maksi Dako, ndër të tjera nënvizonte: “Në bazë të nenit 42/b të ligjit 7829 dt.01.06.1994, për noterin Mihallaq Bimbli, që ka qenë në fuqi në kohën e aktit, nuk mund të kryente aktin noterial, pasi në të kanë marrë pjesë gjinia e tij e afërt, kushërinj në shkallë të dytë, prandaj në bazë të nenit 67/b, c, të ligjit të mësiperm, akti është i pavlefshëm, pasi qenia në pozitat e nenit 42 të ligjit të mësipërm, sjell pavlefshmerinë absolute të aktit, në bazë të Kartelës kadastrale (Seksioni i përshkrimit të pasurisë)”. Për këtë arsye, në dt. 29.05.2008, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP) Korçë, anulloi regjistrimin e bërë para disa muajsh mbi bazën e kontratës së falsifikuar, dhe prona u regjistrua siç ishte më parë (pasuri e përbashkët). Si palë vilnin qiratë në mënyrë të barabartë.

Gjykata e Apelit e konsideroi të rregullt kontratën e falsifikuar!

Mirëpo Gjykata e Apelit me gjyqtarë Olsi Xhavella, Stavri Kallço dhe Sotiraq Lubonja, provat dhe faktet e pakontestueshme, i interpretuan në këtë mënyrë: “Në rastin konkret, një rrethanë e rëndësishme që përcakton zgjidhjen e pretendimeve përkatëse, është ajo që ka të bëjë me evidentimin e faktit, që kanë qenë pikërisht paditësat, që prej mëse 20 vjetësh kanë poseduar pikërisht këtë pjesë të pasurisë objekt pjestimi. Sikurse ka rezultuar e provuar gjatë gjykimit, dhe është pasqyruar edhe në aktin e ekspertimit vlerësues, prona objekt pjesëtimi, ka qenë e ndarë. Secili nga grupet e bashkëpronarëve kanë gëzuar në fakt këto pjesë të ndara (që përkojnë me ndarjen sipas aktit të ekspertimit), dhe kanë vjelë frytet e secilës pjesë të ndarë”. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë. Të pavërtetën e Gjykatës së Apelit e tregon Kartela e Pasurisë e dt. 30.04.2008, e cila prishi regjistrimin që ishte bërë para 2-vjetësh në bazë të kontratës së falsifikuar. Pra Gjyakata e Apelit legjitimoi një dokument fals; dhe jo vetëm kaq: Gjykata në fjalë argumentoi edhe një të pavërtetë tjetër, ku merrte në konisideratë faktin që pala tjetër (paditësit) i kishin poseduar këto prona prej vitesh dhe kishin investuar në pjesën e inventuar me nr 2, ndërsa muajin e fundit të gjithë pjestarët morën nga 1/3 e pjesëve që iu takonte te tre dyqanet.

Pyetjet tona për Gjykatën e Apelit: Si mund të merret vendim me dokumente false?!

Referuar vendimit të Gjykatës së Apelit, pyetjet tona për këtë gjykatë janë: Si mund të investohej prej tyre (nga pala tjetër), dhe si mund të merrej 1/3 pjesë tek tre dyqanet, kur prona nuk ishte ndarë, dhe nëse ishte investuar, pse Gjykata nuk u kërkoi dokumentet e investimeve të kryera në këto prona?! Si mund të ndahej prona kur pretendues janë 11 pronarë? Ku u bazua trupi gjykues kur mori si të vërtetë pretendimin e Ervin Kajnos që thotë se ka investuar? Me ç’dokumenta e bindi Gjykatën z. Ervin Kajno? Nëse ka dokumente, pse Gjykata nuk i cilëson ato në vendim? Banaku i dyqanit në fjalë, i pretenduar si investim i tij, nga Ervin Kajno, ka qenë që para viteve 1990, kur ishte dyqan ushqimor, para se të na kethehej ne si pronë. Meremete të vogla, në mënyrë sporodike u bënë edhe nga vetë qiraxhinjtë, madje për meremtimet e kryera, kur e shihnin ata të arsyeshme, të tre palëve na kanë mbajtur lekët nga qiraja që na paguanin. Gjykata e Apelit u mbështet te Kontrata e Pjestimit Vullnetar, e cila ishte e falsifikuar. Kjo e vërtetë thuhet edhe në vendimin me nr.60, dt.21. 02. 2014 të Gjykatës së Apelit, me trup gjykues Ylli Minka, Miranda Andoni dhe Tomor Shkreli, e cila i nxori të gjitha firmat e kësaj kontrate të falsifikuara. Atëherë, si mund të merret një vendim mbi një dokument të falsifikuar?!

Të pavërteta të tjera

Gjykate e Apelit me trup gjykues Olsi Xhavella, Stavri Kallço dhe Sotiraq Lubonja, në fq. 8, shkruan: “Ka rezultuar e provuar që pasuria, objekt-pjesetimi në origjinë, është fituar nëpërmjet blerjes nga vllazëria Xhuvi Kajno, Filip Kajno dhe Andrea Kajno”. Por edhe kjo nuk është e vërtetë. Sipas dokumentit të noterizuar që disponoj (Dëftesë -detyrë (senet), bashkëngjitur dosjes në faqet nr. 67-69, rezulton se nëna jonë Izmini Kajno, u ka dhënë në formë borxhi babait tim Xhuvi Kajno, Filip dhe Andrea, – bij të Thoma Kajnos, shumën prej 650 napolona flori, me të cilat u ndërtua ndërtesa në fjalë, fabrika e Tisazh-Trikotazhit. Kjo shumë në formë borxhi u dha me kushtin, që babai ynë bashkë me dy vëllezërit Filip dhe Andrea, t’ia kthenin deri më 20 qershor të vitit 1939, por kjo shumë nuk iu kthye asnjëherë nënës tonë Izminit. Ndaj pretendimi i Gjykatës është i pavërtetë. Ndërsa pretendimi tjetër që ne i paskemi bërë presion gjyqtarit Maksi Qiriazi është qesharak; nuk mund të trembet një qjyqtar si Qiriazi me një eksperiencë 30-vjeçare në detyrë, nga një kantautor dhe muzikant që nuk është njohur kurrë për dhunë. Të vërtetën e madhe për vendimet e marra nga Gjykata e Apelit e tregon shkarkimi për korrupsion nga KPK- ja i gjyqtarit Sotiraq Lubonja, pjesë përbërëse e trupit gjykues për çështjen e tonë. Për këtë arsye iu bëj thirrje organeve të Drejtësisë, për mohimin e pronave që po na bëhet nga Gjyakata e Apelit Korçës.

Edhe gjyqi i vitit 2017 na dha të drejtë

Seanca e parë e gjyqit të datës 29.03. 2017, me gjyqtar Genti Dikollarin, nisi në mënyrë të rregullt. Unë dhe vëllai im Thoma Kajno, paraqitëm pretendimet tona, paditësit dhe të paditurit e tjerë, paraqitën pretendimet e tyre. Në këtë projekt-pjestimi, gjyqtari në pikën 3 nënvizonte: Nga akti i ekspertimit, i kryer nga eksperti Luan Lipo, në fazën e dytë të pjesëtimit konkludohet se pasuria objekt-pjesëtimi nuk mund të ndahet në natyrë, pas bashkimit të pjesëve takuse”. Nga eksperti ishte përcaktuar vlera totale e pasurisë, 770,000 lekë dhe pjesa për secilin bashkëpronar. Ndërsa në pikën 4/2 të vendim (përmbledhtas) thuhej: Thoma Kajno dhe Nonda Kajno kërkuan që sendi t’u lihet atyre duke kompensuar të tjerët sipas pjesëve takuese. Thoma Kajno pretendoi se kishte ndjekur punimet e rikonstruksionit që i është bërë Pazarit, i cili, pas kësaj ishte shpallur monument kulture. Lidhja e Thoma Kajnos dhe e Nonda Kajnos është shumë e fortë, pasi vjen direkt nga babai i tij, Xhuvi Kajno, dhe veç kësaj e ka rikonstruktuar vetë dyqanin. Gjithashtu përveç lidhjes direkte me pronën, janë të vetmit trashëgimtarë që jetojnë në qytetin e Korçës; njëkohësisht Thoma Kajno dhe djali i tij Xhoani Kajno kanë titullin “Mjeshtër në punimet e gurit”, përparësi kjo për rikthimin e traditës së gdhendjes së gurit në këtë qytet. Në vendimin e saj, Gjykata mori parasysh edhe faktin që Thoma Kajno dhe unë (Nonda Kajno) kemi 1/3 e pronës, duke u lënë të paditurve sendin në raport1/2 secili, me detyrimin që në mënyrë solidare të kompensonim bashkëpronarët e tjerë për pjesën e tyre…”.

Rinisin prapaskenat

 Sipas Gjykatës, projekt-pjesëtimi do të depozitohej në Sekretarinë Gjyqësore, që palët të njiheshin me të, dhe të kishin mundësi të sillnin vërejtje brenda afatit të lejuar, siç parashikonte neni 373 i K.Pr.Civile, 5 ditë para seancës gjyqësore të caktuar më dt.15.03.2018. Në përfundim të afatit ne u interesuam pranë Gjykatës, ku mësuam se palët në gjykim nuk kishte depozituar asnjë vërejtje. Dhe ndërsa në dt. 15.03.2018, ne prisnim vendimin e Gjykatës, avokati i palës tjetër, Olsi Manasopi, i cili përfaqësonte Ervin Kajnon dhe të tjerë, nuk u paraqit. Nuk u paraqit as Ervin Kajno. Në fakt, avokati Manasopi ishte i pranishëm në Gjykatë, por vetë gjykatësi i tha të ikte dhe ai iku. Pas disa minutash doli përsëri gjyqtari Genti Dikollari dhe tha: “Për palët paditëse Ervin Kajno, Alketa Raco, Kostaq Kajno dhe Evri Pepo, u thirr dhe nuk u paraqit avokati, i cili ishte prezent pak më përpara në sallën e gjykimit ku deklaroi që palët kishin vendosur ta pushonin gjykimin, por avokati nuk kishte tagër për të respektuar solemnitetin, vendosi të largohej duke manifestuar me vullnetin e tij, mungesën e dëshirës për të vazhduar këtë proces gjyqësor”. Për ne kjo ishte një sajesë e gjyqtarit Dikollari, sepse deklarimi i avokatit, nuk u bë asnjëherë gjatë seancës gjyqësore dhe në prezencën tonë, por vetëm disa minuta para, në zyrën e gjyqtarit, para se ky i fundit të jepte vendimin që ne e prisnim. (Por për çfarë ndodhi atë ditë ne kemi në dispozicion diskun audio). Kurse ajo që ne shohim të dyshimtë në lidhje me gjyqtarin Genti Dikollari, ka të bëjë me faktin se, ndërsa ne në dt. 15.03.2018, prisnim vendimin e Gjykatës, ky vendim nuk u dha sepse avokati Olsi Manasopi dhe Ervin Kajno etj nuk u paraqitën. Për këtë arsye gjyqtari, dhënien e vendimit përfundimtar e shtyu për një datë tjetër.

Gjyqi i vitit 2019: Kërkova përjashtimin e gjyqtarit Maksi Qiriazi

 Tashmë gjykimin e andrallave të mia po e vijoja me gjyqtarin Maksi Qiriazi, mirëpo kuptova se ai po tregohej i padrejtë në shqyrtimin e çështjes tonë, sepse dukej qartë që ishte në shërbim të Ervin Kajnos dhe avokatit Manasopi. Për këtë arsye, në dt. 20.05.2019, paraqita në Sekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë një kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit Maksi Qiriazi. Shorti për shqyrtimin e kësaj çështjeje, i ra gjyqtarit Besnik Shehu, ndaj këtij të fundit, i kërkova takim, që t’i shpjegoja hollësisht ankesën time, por ai nuk më pranoi. Prita vendimarrjen e gjyqtarit Besnik Shehu, por asnjë vendim nuk më erdhi. Gjyqtari Maksi Qiriazi në seancën e radhës, më tha: “Besnik Shehu nuk e mori paraysh kërkesën tuaj”, dhe lexoi fundin e vendimit. Kur dëgjova që gjyqtar Besnik Shehu kishte marrë këtë vendim, kur unë i kisha renditur fakte dhe prova, e kuptova mirë si do të vinin punët e gjykimit të pronës tonë. Për seancën e radhës gjyqtari Maksi Qiriazi na la datën 24.06.2019. Po atë ditë me erdhi në shtëpi edhe vendimi i gjyqatarit Besnik Shehu. Mbeta i habitur. Gjyqtari Shehu shkruante: “Kërkues Nonda Kajno i biri i Thomait…” (Për sqarim unë nuk jam biri i Thomait, por i Xhuvit); kjo më bindi që ai nuk e kishte lexuar fare kërkesën time. Megjithatë, kjo nuk ishte e vetmja lajthitje. Më poshtë shkruante: “Së dyti, konstatoi: Pjesëtim të pasurisë, në bashkëpronësi të llojit dyqan me sipërfaqe, 136 m2 nga e cila 80 m2, ndërtesë e identifikuar si pasuri me nr.7/117, ndodhur në ZK 8562 Korçë”. Pas kësaj thënie, kuptova se ai po më ngatërronte me ndonjë tjetër, sepse dyqani ynë me objekt gjykimi, ndodhet në Pazarin e Korçës me sipërfaqe 11 m2, por edhe kjo gjë m’u duk e qëllimshme nga ana e gjyqtarit Shehu, sepse me këto “lajthitje” ekzistonte mundesia që ta rinisnim gjykimin edhe një here nga e para. Dhe argumentimi i tij nuk mbaronte këtu, sepse pazarin që ishte bërë mes gjyqtarit Genti Dikollari dhe avokatit të Ervin Kajnos, Olsi Manasopit -këtë veprim antiligjor, – gjyqtari Besnik Shehu e kalonte si një akt të zakonshem ligjor, duke thënë se: “Siç parashtron vetë pala kërkuese, në fillim çështja gjykuese ka qenë tek gjyqtari Genti Dikollari, dhe pas transferimit të tij, është shortuar tek gjyqtari Maksi Qiriazi…”. Por e vërteta është ndryshe: në dosjen që ka parasysh gjyqtari Besnik Shehu, nuk ka në asnjë vend që të vërtetojë se Genti Dikollari e pushoi çështjen për arsye të transferimit të tij. Ai i mbylli të gjitha çështjet, vetëm për çështjen tonë nuk dha vendim. Tashmë vetëm Zoti e di si do të vijojë ky gjykim.

E pamundur të vijohet me gjykime të tilla! Artiola Çela, eksperte e palicensuar!

 Para seancës së dt. 08. 02. 2019, gjyqtari Maksi Qiriazi, papritur na tha që unë me vëllain të caktonim një ekspert, për të bërë vlerësimin e dyqanit objekt gjykimi. Ne i kërkuam të na jepej pak kohë sa të gjenim një ekspert të mirë, por ai nuk na i dha këtë mundësi. U detyruam të zgjidhnim një, dhe ne zgjodhem eksperten Ariola Çela, të cilës i shpjeguam se dyqani ishte 200-vjeçar dhe i amortizuar. Gjithashtu i bëmë të ditur se dyqani ishte vlerësuar edhe nga eksperti Luan Lipo, i cili ishte i përzgjedhuri i palës kundërshtare. Çmimi që ka caktuar Lipo, – na tha ajo, – është normal edhe unë do të jap afërsisht të njëjtin çmim. Gjyqtari Qiriazi na tha: Do të vini dy ditë para sencës që ju dhe pala tjetër të njiheni me ekspertizën dhe të bëni vërejtjet tuaja, mirëpo ekspertja nuk u paraqit. Erdhi ditën e seancës gjyqësore dhe që në fillim të seancës na kërkoj t’i jepnin pagesën për punën e kryer, 48.000 lekë. Ne nuk e dinim që kushtonte aq shumë, ndaj i kërkuan disa ditë kohë. Pikërisht në këtë çast gjyqtari Qiriazi tha: Pa i dhënë lekët ekspertes nuk ju vë në dispozicion ekspertizën. U detyruam ta paguanim. Me fillimin e senacës gjyqësore të radhë na u dha edhe Akt-Ekspertiza, por shuma e lekëve që do të paguanim ishte 5 herë me e lartë nga ajo që kishte vlerësuar Luan Lipo; 3,300,000 lekë me çmimet e tregut, ajo (ekspertja) nuk kishte bërë gjë tjetër veçse kishtë përmbushur dëshirat e Ervin Kajnos. Ndërkohë zbuluam se ekspertja Artiola Çela Qose, ishte e palicensuar dhe këtë ia thamë gjyqarit Qiriazi në seancën e dt 5 qershor 2019, por gjyqtari nuk na dha përgjigje. Ne séancë e dt. 20 qershor 2019 i paraqitem, shkresën me nr.7430 Prot. Tiranë 06.06.2019, të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, e cila vërteton se Arjola Çela Qose, nuk ishte e pajisur me licencë dhe kërkuam përjashtimin e saj nga gjyqi dhe kthimin e 48.000 lekëve. Por tashmë e vetmja gjë që mund të themi është: Nuk ka drejtësi me gjykime të tilla.