Shqipëria raportoi 6 alarme për kërcënime ndaj gazetarëve në vitin 2023. Raporti vë në dukje edhe paditë SLAPP, të cilat sipas tij janë një pengesë e madhe për gazetarët, që hetojnë korrupsionin, konfliktet e interesit dhe krimet financiare.
Dhuna ndaj gazetarëve i detyron një pjesë të konsiderueshme të njerëzve të medias të bien në (vetë) censurë. Raporti i publikuar nga Këshilli i Evropës (KE) tregon situatën në të cilën ndodhen gazetarët dhe punonjësit e mediave, në kushtet edhe të luftërave në rajon. Shqipëria, përmendet në raport për sulmin ndaj televizionit Top Channel. “Platforma e alarmeve gjithashtu dokumentoi vrasjen e punonjësit të sigurisë Pal Kola në një sulm me armë zjarri në ndërtesën e zyrave të Top Channel në Tiranë, Shqipëri më 27 mars”,-thuhet në raport. Ndërsa, me shqetësim shihet edhe sulmi fizik ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave.“Në Shqipëri, policia arrestoi dhe akuzoi dy të dyshuarit në sulmin e dhunshëm kundër gazetarit Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij”,-cilëson raporti. Sipas raportit, janë shënuar 41 alarme ndaj sigurisë fizike dhe integritetin e gazetarëve përgjatë vitit 2023 në Evropë, numër ky që vjen në ulje krahasuar me vitet e shkuara.
Vendet që raportuan alarme për kërcënime ndaj gazetarëve në vitin 2023:
Bjellorusia (42); Federata Ruse (39); Turqia (27); Ukraina (24); Franca (19); Italia (16); Polonia (12); Serbia (11); Azerbajxhani (10); Greqia (9); Shqipëria (6); Spanja (6); Mbretëria e Bashkuar (5); Republika Sllovake (5); Gjeorgjia (5); Bosnja dhe Hercegovina (5); Bullgaria (5); Armenia (4); Kroacia (4); Gjermania (4); Holanda (4); Republika e Moldavisë (4); Belgjika (3); Çekia (3); Finlanda (3); Austria (2); Hungaria (2); Danimarka (1); Irlanda (1); Letonia (1); Malta (1); Portugalia (1); Rumania (1).
Sipas raportit, edhe pse përgjatë 2023 pati një rënie të numrit të gazetarëve të vrarë dhe dhunës në protestat në rrugë, sërish sinjalizimet e publikuara në Platformën e Sigurisë së Gazetarëve tregojnë një larmishmëri kërcënimesh, presionesh dhe kufizimesh në rritje për gazetarët.
“Kërcënimet dhe frikësimet, veçanërisht në internet, duke përfshirë kërcënimet me vdekje, tani janë pjesë e një “normaliteti të ri”. Këto incidente janë aq të zakonshme sa që shumë prej tyre as nuk raportohen. Në vitin 2020, një sondazh i UNESCO-s nënvizoi sesi gratë gazetare janë veçanërisht të shënjestruara në internet për shkak të gjinisë së tyre. Kërcënime të tilla kanë një efekt të fortë ftohës, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm psikologjik dhe potencialisht duke i çuar gazetarët drejt vetëcensurimit”,-thuhet në raport.
Sipas raportit, në disa shtete anëtare, ndalimet dhe ndjekjet penale u keqpërdorën sërish në vitin 2023 si një mjet për të ndaluar raportimin e pavarur.
“Mbulimi i protestave për çështje mjedisore çoi gjithashtu në arrestime dhe ndalime afatshkurtra. Gazetarët duhet të lejohen të raportojnë për protestat dhe trazirat publike në emër të publikut të gjerë”.
Raporti vë në dukje edhe paditë SLAPP, të cilat sipas tij janë një pengesë e madhe për gazetarët që hetojnë korrupsionin, konfliktet e interesit dhe krimet financiare.
“Shumica e padive bazohen në shpifje të pretenduara ose dëmtim të reputacionit dhe ndikimi i tyre rëndohet nga fakti se në shumë vende, shpifja është ende të paktën nominalisht një vepër penale”.
Viti 2023, po ashtu u përcaktua nga zhvillimet konfliktuale dhe luftërat sikurse Ukraina dhe Rusia apo lufta në Gaza.
“Dy gazetarë u vranë në vitin 2023, ndërsa raportonin për luftën në Ukrainë – të dy nga sulmet ruse – dhe disa gazetarë janë plagosur. Ky numër i vdekjeve është ndjeshëm në rënie krahasuar me 13 viktima të një viti më parë”.
Sipas raportit “qeveria ruse po kontrollon internetin me mbi 300 media të bllokuara brenda vendit. Platformat e mediave sociale Twitter, Facebook, Instagram dhe shumë shërbime VPN janë gjithashtu të bllokuara.
Paraburgimi mbetet një dënim i zakonshëm për gazetarët, që kritikojnë liderët e vendit të tyre, veçanërisht në Rusi dhe Bjellorusi. Deri në fund të vitit 2023, 59 gazetarë u burgosën në vende anembanë Europës, përfshirë në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia. 65 u arrestuan në Rusi dhe Bjellorusi. Të paktën 18 gazetarë u arrestuan vitin e kaluar në Turqi, ndërsa Polonia dhe Britania e Madhe arrestuan nga një (përkatësisht Pablo Gonzales dhe Julian Assange).