Ish-ushtaraku Pali Nito: Kur jemi aq të pasur pse jemi kaq të varfër ? Pensionistët në varfëri ekstreme, ja kolapsi në skemën e sigurimeve

49

Jemi kaq të varfër, sepse pasuria jonë vidhët, grabitet, dëmtohet, shpërdorohet dhe përvetësohet nga politikanët, zyrtarët dhe pushtetarët qëndrorë dhe vendorë e që rëndon dhe përkeqëson jetesën e mbarë qytetarëve e sidomos të pensionistëve e të atyre që trajtohen me ndihmë sociale e që janë në kufijtë e mbijetesës.

Sigal

Nëna natyrë fatmirësisht është treguar bujare me Shqipërinë duke i dhuruar bujarisht 300 ditë me diell, një vijë bregdetare, 300 km gjatësi  ku miliona turistë të huaj dhe vendas kalojnë pushimet. Por jo vetëm kaq, por nëna natyrë i ka dhuruar vendit tonë, Shqipërisë, një klimë mesdhetare, që favorizon ndjeshëm kultivimin dhe prodhimin e ullinjve, vreshtarisë dhe agrumeve që shtohen në plantacione të mëdha. Po kështu vendi ynë, Shqipëria ka rezerva ujore të bollshme, që krahasohet me vendet skandinave e që prodhon sasi të konsiderueshme energji elektrike aq shumë të domosdoshme për konsumatorët qytetarë, për bizneset, turizmin, hotelerinë, industrinë, fabrikat, uzinat, rafineritë, industrinë e lehtë dhe atë ushqimore, qendrat administrative qendrore dhe vendore, doganat etj. Fatmirësisht  ne kemi një turizëm elitar, që alternohet me turizmin detar, malor, liqenor, lumor, kulturor, fetar, arkeologjik sikundër është Butrinti që vizitohet dhe frekuentohet nga qindra e mijra turistë të huaj e vendas. Me qindra, mijra dhe milionë turistë të huaj dhe vendas parapëlqejnë turizmin fetar duke u dyndur dhe vizituar kishat ortodokse në Voskopojë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Lushnjë, Manastirin e famshëm  të Ardenicës, kishat katolike në Shkodër etj., falë edhe çmimeve të ulëta, shërbimeve dhe gatimeve tradicionale e tepër të shijshme e të pëlqyeshme nga turistët. Nëna natyrë na ka dhuruar me bollëk plantacione masive me gështenja dhe arrore, që gjenden në Tropojë, Kukës, Peshkopi, Librazhd dhe përgjatë luginës së Shkumbinit. Vendi ynë Shqipëria është e pasur me vendburime nafte dhe gazmbajtëse  si Kuçova, Patos-Marinza,  Koçuli i Vlorës, Sarandës etj., e së fundmi po flitet për një vendburim të ri naftë dhe gazmbajtës sikundër është zona e Shpiragut e që mendohet e hamendësohet për rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi. Gjithashtu kemi jo pak rezerva mineralesh si qymyr, hekur, bakër, hekur, nikel deri edhe minerale të rralla e tepër të çmueshme argjendi dhe ari që gjenden kryesisht në zonat veriore të Shipërisë. Është për t’u theksuar dhe nënvizuar fakti i pamohueshëm se ullinjtë, rrushi, vaji i ullirit, agrumet, arroret dallohen veçanërisht për cilësinë e tyre që konkurojnë dhe dominojnë denjësisht në tregjet rajonale dhe pse jo edhe në ato europiane, por si për ironi të fatit gjithë këtë pozitivitet që theksova pak më sipër e prish dhe e shëmton prania e kanabisit që i ka shtrirë tentakulat kanceroze e që ka gjelbëruar dhe pushtuar mbarë vendin, nga Konispoli në Vermosh, nga Qafëthana në Durrës, nga Korça në Gjirokastër e kudo e gjithandej, madje ka iniciativën, kurajon dhe guximin që të gjelbërojë e të pushtojë edhe  repartet ushtarake, madje edhe repartet elitë të ushtrisë sikundër është reparti ushtarak i Zallherrit çka na lë të nënkuptojmë se tani e tutje ushtria jonë e brishtë dhe simbolike nuk do të luftojë me armën e kanabisit, që është sa ironikë, qesharake dhe po aq paradoksale. Theksova dhe njëherazi rreshtova resurset pasurore që disponon dhe posedon vendi ynë, Shqipëria, dhe janë aq të shumta sa pa e tepruar mund të them se ne notojmë në to. Dhe natyrshëm unë dhe jo vetëm shtroj pyetjen: “Kur jemi kaq të pasur përse jemi kaq të varfër, madje në varfëri ekstreme?!” dhe përgjigja është: sepse pasuria jonë vidhet , grabitet, dëmtohet, shpërdorohet dhe përvetësohet nga politikanët, zyrtarët dhe pushtetarët qëndrorë dhe vendorë e që rëndon dhe përkeqëson jetesën e mbarë qytetarëve e sidomos të pensionistëve e të atyre që trajtohen me ndihmë sociale e që janë në kufijtë e mbijetesës.