Xhevat Mustafa: Opozitë sheshi dhe me vizion apo film i rradhës ?

57
Sigal

 

Mbledhja e deputeteve dhe deputetëve të copave të PD- së e dt.5 shtator 2023, dëshirë dhe përpjekje e sinqertë për bashkim të vërtetë apo siç i duhet Edi Ramës, për ta bitis si e ka nis mandatin e tretë!?

Pas një periudhe të gjatë “kome” apo lufte brenda lloit dy copat e PD-së më 5 shtator 2023 arritën të bashkohen në një takim, edhe të shumëvonuar, edhe të gjatëpritur, në të cilin një pjesë e tyre për shkak të angazhimeve jashtë vendit morën pjesë përmes platformave online. Edhe unë jam i njëmendjeje me opinionin e analistit politik Alfred Lela se “takimi i deputetëve të opozitës sot është lajm i mirë për vendin”, pra jo vetëm për PD-në dhe opozitën. Kush kujton dhe përhap nga e djeshmja deklaratat e njërit kundër tjetrit, është i prirur nga spektakolarizimi dhe komercializimi i politikës, jo nga e mira publike dhe mbarëvendore. Nuk kërkon kohë të gjatë për vramendje për t’u bindur se akuzat dhe sherret brenda PD- së, të nxitura dhe fryra me të gjitha bulçitë dhe “kompresorët” nga Rama- qeveria, e kanë gremisur PD-në në këtë gjendje “kome” dhe ia kanë lehtësuar Ramës “fitoret” elektorale dhe mbretërimin e qetë e të gjatë. Nëse vazhdon akoma lufta brenda lloit, për vula, frone kryetari dhe godina selishë në PD, nga kjo ka vetëm një fitues! Ky është EDI RAMA! Natyrisht merren me mend dhe njihen mirë edhe ata që fitojnë nëpërmjet firmave dhe vulave të tij në VKM, tendera, koncesione, PPP, emërime në poste tejet fitimprurëse…Në kushtet kur vendi ka një kryeministër, që flet se i duhet të flasë dhe ta dëgjojnë, se lumturohet kur i shikon sallat si të mbushura me “kukulla, foka dhe pinguinë”, që ka rreth 9 vjet që vegjeton si kryeministër e duke vepruar dhe vendosur si mbret, edhe pse marshon nga dështimi në dështim dhe nga skandali në skandal, çdo vonesë në unifikim të forcave, të objektivave madhore dhe urgjente të agjendave të opozicionit është e pavend, e dëmshme, anti-kombëtare. Njëherazi, ky takim i 43 deputetëve të opozitës, edhe pse me mungesën e pa arsyeshme, vetëdemaskuese dhe “vetëvrasëse” të tufëzës së deputetëve të vulës, mund të interpretohet edhe si dita e parë e fillimit të procesit të gjatë e të vështirë të çlirimit të PD-së dhe të gjithë opozitës nga pengmarrja prej Rama-qeveri-oligarki-sorosianisë. Por, edhe si shprehje e “kujtesës” dhe përgjegjësisë ndaj 620 mijë votave të DEMOKRATËVE më 25 prill 2021, që kanë brenda sakrificë dhe vullnet të lirë si dhe shumë dëshira dhe shpresa për çlirimin nga Rama-qeverisja. Mbi të sotmen, edhe pse një fillesë apo një hap kurajoz përpara, Fronti Opozitar mund të fillojë edhe të ndërtojë një të ardhme ndryshe, me vizion dhe strategji opozitarizmi rrotacionsjellës dhe me objektiva të denja për një opozitë të sinqertë, të vërtetë, konstruktive, demokratizuese, emancipuese… Për këtë, me siguri, më së pari bën mirë të shohë edhe nga vetja, kryesisht nga gabimet e të shkuarës dhe prioritetet e veta dhe pastaj nga kundërshtari! Vetëm pas vetëreflektimit, shumica e popullit, e votuesve, do t’i vihet në krah me besueshmëri dhe optimizëm! Ndërsa, pas bashkimit, pas reflektimit serioz dhe vetëkorrigjimit kurajoz e rigoroz, falë edhe avantazhit se Rama-qeverisja e ka futur veten në historinë e këtyre 32 viteve si më e paafta dhe më e korruptuara, mund t’i kundërvihet pushtetit me mendësi dhe fuqi absolutiste apo sulltaniste, me gjithë potencialet e saj demokratike, për ta mundur me vepra ekonomiko-sociale, demokratizuese, integruese…, të përjetueshme nga shumica e popullit; me vota dhe me epërsi shumëdrejtimëshe në strategji, programe, projekte…! Megjithatë takimi i sotëm është vetëm një akt apo hap. PD vazhdon të jetë e ndarë në copa dhe opozita akoma larg së qeni një koalicion me potenciale të bollshme, apo të mjaftueshme, me fuqi, mbështetje, besueshmëri për t’i rilënë në duar qeverisjen e vendit. Në rrugën përpara drejt ngjitjes në majën e malit të një opozite që meriton besim, mbështetje, vota dhe pushtet, do të kenë një varg të gjatë me pengesa të dukshme e të padukshme, brenda gjirit të tyre e sidomos nga Rama-parti-oligarkia dhe ortakët e tyre shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Prandaj, PD dhe opozita do të përjetojnë gjatë rezerva, ngurime, mosbesime, dyshime, prej të cilave, tani për tani e nuk dihet se deri kur, e kam të vështirë të çlirohem edhe unë, siç kuptohet qartë edhe në vijimin e oponionit të sotëm. Edhe pse nuk e kam në dozën e lartë të mëngjesit, të para këtij takimi, përsëri nuk mund as ta fsheh dhe as ta reklamoj si fare të dobët skepticizmin tim personal apo subjektiv, njëkohësisht jo i pabazë dhe jo krejt i padrejtë.  Këtë po e shpreh edhe nëpërmjet pyetjes: mbledhja e deputeteve dhe deputetëve të copave të PD- së e dt.5 shtator 2023 dëshmon dëshirë dhe përpjekje të sinqertë për bashkim të vërtetë apo siç i duhet Edi Ramës, për ta bitis si e ka nis mandatin e tretë!? Gjatë këtyre viteve të fundit të pandemisë së covid 19 dhe të gjendjes së tejzgjatur të shok- ut apo “komës” të PD- së, së copëzuar si byrek me spinaq Surreli, si shalqi apo pjepër të shartuar me kungull dhe opozitës në përgjithësi si koalicion, nga veprime dhe mosveprime të tyre, është kuptuar me kohë apo është lakuriqësuar krejt se ata “telekomandohen” nga Edi Rama. Bile, kjo ndodh edhe në orë dhe ditë kur atij i dridhen duart nga dozat e larta…të barit apo të zemërimit flakërues me shokët dhe shoqet, që ia heq me pranga nga tufa SPAK- u, duke e bërë vazhdimisht e më të pabesueshëm dhe qesharak me përrallën apo alibinë e tij se “përgjegjësia është personale”!? Merret me mend se këtë mision personal, klanor, partiak, shqiptar dhe ndërkombëtar, ai e kryen me zgjuarsinë e lindur dhe të kultivuar, sidomos gjatë 25 viteve si “student dhe profesor në Akademinë SOROS”! Por, edhe me “nivel të lartë artistik”, me liçenca, koncensione, PPP, leje ndërtimi, vende të privilegjuara dhe fitimprurëse pune…si dhe me kërcënime për non grata amerikane e britanike të gatshme si simite…! Nuk ka ndryshuar kjo vartësi e opozitës prej tij, domethënë për ta ndihmuar për heqjen e plotë apo dobësimin e ndjeshëm të këtij telekomandimi nga kryeministria apo Surreli, as periudha gjatë këtij viti, kur Rama- qeveria është përmbytur nga dështimet, turpet, skandalet…në vend e në botë! Në këto kushte, Edi Ramës, sidomos i kërcënuar nga vetmia pas prangosjes nga SPAK- u të plot bashkëpunëtorëve fare të afërt për korrupsion, i ka mbetur t’i bëjë ofertë apo thirje “opozitës allashqiptare” për koalicion apo bashkëqeverisje! Atëhere, humoristët shqiptarë do të kenë me bollëk lëndë për humor, sa t’i bëjnë shumicën e shqiptarëve nëpër kafene dhe qebabtore të qeshin aq fort, sa të lagen si foshnjet nga poshtë, mes këmbëve…! Unë po bëj pak humor (me sheqer apo kripë) edhe sot, me shpresën se të gjithë “fishekët mësimorë” nuk do të më shkojnë kot, por nga një edhe t’u fluturojnë mbi flokë Berishës, Bashës, Metës…, sa t’i zgjojnë nga “gjumi” gati 2 vjeçar! Do bëjmë opozitë, de more de, lum ju motra e vëllezër socialistë, Edi Rama, Linda Balluku, Erion Veliaj, Elisa Spiropali, Ulsi Manja…, që na keni ne! “Opozitarë më antipozitarë, më antiopozitarë, më antikorrupsionistë, më antiinceneratoristë…, më llafollogjistë…,” si ne nuk gjenden mbi krejt këtë dhe! Por, disa kujtesa, pyetje, apele fshikulluese për të gjithë liderët dhe kryesitë e opozitës! Edhe sa vjet ju duhen “për t’u bindur” se koha kërkon urgjentisht OPOZITË sheshi e jo…”përsheshi” apo edhe më keq, “të sfungjertë”, “të pambuktë” apo “leshi”?! Do t’i bëni opozitë të vërtetë, gjumëprishëse, kokëdhembje- shkaktuese, frikësuese…Edi Ramës me “çetë” apo me “bandë” apo do t’i shërbeni atij si rekuizitë për të mashtruar shqiptarët dhe ndërkombëtarët se “këtu ka pluralizëm dhe demokraci”? Do t’i bëni opozitë apo “kozmetikë”, që të duket jo tamam si Enveri, Ramizi, Putini, Llukashenko, Erdogani, Kim Jong uni…, por si Edi Rama, që “për nga shtati, koka, goja, sjellja, veshja, veprimet, punët, skandalet…, nuk ban të dytë ma nana”??? Do t’i bëni Edi Ramës me shoqe e shokë përmbytur me skandale korrupsioni,  prostitucioni, antikombëtarizmi…; me plehra inceneratorësh, me miliarda drogërash; me mijëra metra katrorë betoni kullash 20- 50 katëshe ngritur edhe mbi qendra historike, kulturore, mbi lulishte e parqe…, opozitë për gjithë këto gjëma financiare, mjedisore, sociale, kombëtare…, apo do t’i jepni të kuptojë mesazhin që të vazhdojë pa u mëdyshur apo pa u ndalur nga kritikat e juaja sa për të reklamuar opozitarizëm sui generis allashqiptar, por që, ndoshta as gjithë gjethet e fiqve të Terpanit, Roshnikut, Surrelit…, nuk mjaftojnë  t’ia mbulojnë lakuriqësinë allakatoviciane, allaramiziane, allasorosiane…?