Miho Gjini “Mjeshtër i Madh”
-Pas burgut absurt e pashë veten pa shtëpi e katandi dhe natën e parë kam fjetur nën urën e “Lanës”, përbri Hotel “Dajtit”
-Edhe në Greqi u vendosa në një shtëpi lëvizëse, prej dërrasash e me rrota, ku më gjeti edhe Ambasadori Shqiptar në Greqi Bashkim Zeneli.
Ja që ndodh edhe kështu: pas privacioneve të dikurshme të shtetit të mëparshëm “të gjithëve dhe të askujt!”, e pashë veten pa shtëpi e katandi dhe natën e parë kam fjetur nën urën e “Lanës”, përbri Hotel “Dajtit”. Qe viti 1981. Që e kam fiksuar edhe nëpër libra e nuk dua ta kujtoj më…Mirëpo “jeta rrjedhë” e ikën! Bile edhe ndryshon. Fillimisht u ndodha sa më larg, në një barangë në periferi të Atikës së Homerit të verbër që quhej “Trohospito” (Shtëpi lëvizëse, prej dërrasash e me rrota), ku më gjeti edhe Ambasadori Shqiptar në Greqi Bashkim Zeneli, për të më sjellë në vitin 2003 Urdhërin e Lartë të Presidentit të Republikës “Mjeshtri i Madh”!
Prej asaj dite, kaluan 22 vite të tjera, dhe kthehem për të trokitur në dyert e Komunës së Lukovës, ku Kryetari i asaj kohe, Vladimir Kumiu, pati mirësinë të më jepte LEJEN për të ngritur edhe unë një shtëpi, të projektuar falas prej Ing. Durim Bajos… Por, ja që ndodhte edhe “ndryshe”: që nuk gjeja dot “mjeshtra ndërtimi”, sepse të gjithë këta, ishin larguar nëpër vende të tjera. Kështu që shtëpia ime reale do të kishte “fatin e keq”, si nëpër përralla, “e pa mbaruar ndër vite”, dhe Fabulisti Gjivogli shkroi vjershën satirike për “Bilbilin që s’e bëri dot folenë në pyllin e tij!” Sepse, çuditërisht, “më kishin fshirë edhe nga defteri!”Mirëpo ishte larguar edhe “fuqia punëtore” e nuk e gjeje dot asnjë “punëtor krahu”, për të punuar, ndërsa edhe ullinjtë që mbetën sheshit në dimër, vinin edhe i mblidhnin disa “krahë pune” të mbetur nëpër qytetet veriore dhe fshatrat e tjera, nga ana e anëve! Buzëqeshja do më vinte me kalimin e “viteve të mbrapshta”, kur nisën të ktheheshin njeri pas tjetrit edhe mjeshtrat , edhe punëtorët, që edhe unë “i syrgjynosuri” ta kem , më në fund, një shtëpi timen, më pranë Varrezave të Piqerasit.
Dhe ja ku i bëra dje, këto dy foto me dy MJESHTRA nga “Qafa e Gjashtës” së Sarandës (Genti me Ronaldon). Dhe mu kujtua befas diçka e shkruar nga miku im Niviciot,-shkrimtar edhe ai, ish kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, pas përmbysjes së “Shtetit të Diktaturës”, Fatmir Minguli,- për Gjeneral Bastën nga “Gjashta”, i cili, -një herë e një kohë,-u bë i tillë në një shtet të huaj. E i mbeti po ky emër edhe këtij fshati në udhëkryq. Ndërsa tek unë erdhën prej kësaj“Qafe” mjeshtrat e mobiljeve të vëllezërve “Mëma”, Rustemi me Harizin, që u rritën në Piqeras dhe pasi emigruan në Greqi disa vite dhe mësuan zanatin e mobiljerit, u kthyen e ngritën pikërisht këtu, një Fabrikë Mobilerie, pa e gëzuar gjer në fundin e jetës së tij, Harizi! Po edhe duke pësuar zhgënjimin e disa “ikjeve të reja”, gjersa një miku i tyre (i biznesit), qe i detyruar të punësonte disa mërgimtar Egjyptian! Ndërsa ky specialist “Duar Art” që quhet Genti,- i cili u largua me turmën 15 vjeç djalë, gjer në Vonicë të Prevezës, për të punuar si ndihmës i një ustai grek të alumineve u kthye pas dy viteve, si i kishte “vjedhur zanatin” tjetrit, ende pa u burrëruar dhe s’ka pak vite që ka ngritur një “Punishte Alumini”. Ai më thotë tani, se: “Ustai zemërmirë grek, teksa i duhej të montonte një derë alumini dhe e thirrën diku e iku, unë e montova vetë atë derë , aqsa ustai (kur u kthye), mbeti “syshqyer” dhe në vend që të më qërtonte, më përqafoi! Duke vazhduar kështu në vendin tim, 23 vite punë, si usta shumë i kërkuar dhe gjithmonë njerëzor në “hesape”! Dhe me të vetmin ndihmës nga mbrapa, ish kuzhinierin Ronaldo që tani i duket “Mjeshtria e Alumineve” më e bukur se “Mjeshtria e Kulinarisë”! Po ashtu bëri edhe Geçoja nga Borshi, :specialist për hekurin dhe aluminin , si edhe Keti,-specialisti i kangjellave prej inoksi, nga Saranda, në një grupim të shkëlqyer me familjen e atin e tij “duarartë” për punimet e xingut, që preferohet në gjithë Bregdetin, për mjeshtërinë e tyre. Pa e harruar edhe specialistin e pllakave majolike Jano Prifti nga Piqerasi, si edhe Teo Qofiri Shënvasiotin, mjeshtrin e lartësive, që më shumë e shikon mbi çatitë e Bregdetasve se sa mbi tokë, pas kthimit të tij nga ishulli Samos i Greqisë. Njeriu që është kundra betonimeve kubike dhe mbetur si “Partizan i vetëm” i çative me tjegulla të kuqe, sipas traditës!” Një mjeshtër tjetër nga Saranda, Afrim Hoxha,-specialist i rrallë i izolacioneve të shtëpive nga egrasia,- më thotë se: “Bashkë me dy shokët e tij të pandarë: Roshin dhe Aliun, (që të tre Tepelenas, banorë të Sarandës), kemi punuar disa vite në Poloni e në Malta të Mesdheut, për të shpurë edhe atje “Artin Tonë të Punës”. Po të gjithë këta specialistë që “brodhën botën mbarë”, do të dukeshin tek ne, paksa më vonë, kur disa specialista ndërtimi, si Pilurjotët Lagjia, me banim në Lukovë, nuk u larguan nga vendi i tyre e hodhën themelet e shtëpisë së Miho Gjinit po nga Piqerasi, që u gjend edhe “ky plangprishës” një “ditë prej dite”, midis tokës e qiellit, pas syrgjynit ! Për të falenderuar me zemër në dorë edhe këdo tjetër që vuri edhe një tullë a tha një fjalë të mirë pas atij “qameti” që më prishi jetën…
Ja që , po këta njerëz nuk bëkan dot gjë as në fshatin tim, që ato 74 shtëpi të “braktisura”, me çati të rrëzuara, t’u kthehen banorët të gjallë e jo të vdekur, nga janë e nga s’janë, që ujët e pijshëm të mos merret nga ca burime të largëta që shterrojnë në verë, dhe tash sa vite u “thahet buza” njerëzve, ndërsa kanali i ujit të vaditjes, nuk u rregullua kurrë e mbeti “me mballoma”, ashtu si ishte 60 vite me parë. Që udhën e plazhit më të bukur në BOTË (të Bunecit) të mos e pushtojnë akoma më shumë, gropat e “Pluhuri Afrikan”, që nuk u bëri asnjë përshtypje, asnjë kryeministri e as një presidenti (të dy të dikurshëm) , që kaluan këndej, panë, ikën, shkuan e harruan atë që thanë për “PARAJSËN”. Për të mos e përmendur përsëri (për të katërtin herë), rastin flagrant të bashkëfshatarit tim Gole Konomi që ka fituar tri herë Gjyqin për pronën e tij në Bunec e vazhdimisht tund në ajër Vendimin e “Përmbarimit” e nuk ia “vërshëllen” askush?! Dhe sa kohë akoma do “mbretërojnë” këtu barangat e kasollet e kashtës, si në ishullin e Robinson Kruzos? Kthejini sytë, ju lutem, edhe këndeja, që edhe ky fshat “i pikuar nga Perëndia”, -thuajse i harruar tashmë, të mos mbetet akoma “në duart e Perëndisë!” Teksa fshatarët e mi të dashur, vitin e kaluar “strehuan” në shtëpitë e tyre afro një mijë “mysafirë nga BOTA”!
U dashka pra, që përbri “Mjeshtrave të Mëdhenj”, të jenë edhe “Mjeshtrat e Vegjël”, punonjësit “DUAR ARTË”. Mirë e tha Bujar Kapexhiu, me humorin e tij klasik,-teksa njeri prej Presidentëve tanë i dorëzoi Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh” e i tha atij: ”A nuk ka një “Mjeshtër i Vogël” të më jepni, Zoti President, se keni dhënë kaq shumë të tilla, sa që…!?”
Ka arrdhur koha që t’i gëzojmë që të gjithë mjeshtrat tanë, po edhe investitorët, projektuesit, biznesmenët e ndershëm dhe “Artistët e Ndërtimeve”, qofshin “TË MËDHENJË E TË VEGJËL!”
Mirënjohje pa fund Mjeshtrave të Ndërtimeve!