Kandidati demokrat për deputet, Klevis Balliu, Koordinatori i PD-së për Tiranën Klevis Balliu ka reaguar pasi Parlamenti Europian dënoi me vendosmëri farsën elektorale të orkestruar nga Edi Rama, duke ekspozuar me qartësi manipulimin e vullnetit qytetar përmes grabitjes së votës dhe lidhjeve të dokumentuara mes qeverisë dhe elementëve të krimit të organizuar.
Në një reagim në facebook Balliu bën thirrje për një reagim të menjëhershëm nga faktori ndërkombëtar dhe për ndërhyrje institucionale të fuqishme që do të sigurojnë rikthimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës.
Postimi i Klevis Balliut
Parlamenti Europian ka dënuar me vendosmëri farsën elektorale të orkestruar nga Edi Rama, duke ekspozuar me qartësi manipulimin e vullnetit qytetar përmes grabitjes së votës dhe lidhjeve të dokumentuara mes qeverisë dhe elementëve të krimit të organizuar.
Michael Gahler, Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian dhe drejtues i delegacionit të eurodeputetëve që ndoqën me vëmendje procesin e 11 majit, deklaroi se krimi i organizuar në Shqipëri ka kapur procesin zgjedhor dhe po pengon çdo shans për një rotacion të lirë dhe demokratik të pushtetit.
Ky konstatim i rëndësishëm përforcohet edhe nga raporti i misionit të OSBE-së, i cili thekson se zgjedhjet e fundit nuk i përmbushin standardet minimale për të konsideruar Shqipërinë të përgatitur për integrimin në familjen europiane.
Në harmoni me këtë qëndrim, IDU-CDI ka denoncuar blerjen masive të votës, përdorimin e paligjshëm të aseteve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore, si dhe ushtrimin e presionit sistematik mbi qytetarët, si një strategji të orkestruar nga qeveria për të deformuar rezultatin përfundimtar.
Gjithashtu, Partia Popullore Europiane (PPE) ka theksuar rëndësinë e ngritjes së një grupi të specializuar për mbledhjen dhe analizimin e fakteve dhe provave lidhur me këtë farsë elektorale.
Në këtë kontekst, përpjekjet për të legjitimuar këtë proces si “zgjedhje” përbëjnë jo vetëm një fyerje të thellë ndaj qytetarëve, por edhe një sfidë të rëndë ndaj parimeve themelore të demokracisë.
Ne bëjmë thirrje për një reagim të menjëhershëm nga faktori ndërkombëtar dhe për ndërhyrje institucionale të fuqishme që do të sigurojnë rikthimin e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në funksionimin e shtetit të së drejtës.