Pas osmanëve dhe komunizmit, “Rilindja” spastron shqiptarët

310
Sigal

Media Britanike/ Pas një historie traumash nga osmanët, luftërat paraballkanike, komunizmi, lufta civile në 1997, tashmë shqiptarët e dëshpëruar emigrojnë masivissht, duke paguar nga 5-15 mijë euro për të udhëtuar me furgonat dhe gomonet e trafikantëve drejt Anglisë. Varfëria, pagat e ulëta, korrupsioni dhe mosbesimi në sistemin e drejtësisë, po i shtyn të rrezikojnë jetën. Shifra alarmante : Në janar-korrik ikin mbi 10 mijë persona, kërkesat për azil vijojnë në rangun e ukrainasve në luftë, sirianëve dhe afganëve duke e ccuar në mbi 200 mijë numrin e shqiptarëve në Britani

Nga Alice Taylor-Max Daly- me shkurtime

Pas një historie traumash nga osmanët, luftërat paraballkanike, komunizmi, lufta civile në 1997, emigracioni masiv, spastrim, shqiptarët e dëshpëruar paguajnë nga 5mijë  deri në 15 mijë £ për të udhëtuar me furgonat e trafikantëve, po shtyhen të rrezikojnë jetën e tyre duke kaluar me gomone për të ikur nga varfëria në rritje, korrupsioni, për të ndihmuar familjet edhe  të t’i blejnë ilaçet.

Gjatë verës, u zbulua se gjashtë në çdo 10 azilkërkues, që mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit Anglez me varka të vogla ishin shqiptarë. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, 2156 shqiptarë u regjistruan që mbërritën në Britaninë e Madhe me varka të vogla, krahasuar me vetëm 23 në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Priti Patel, e cila ishte Sekretare e Brendshme në atë kohë, pretendoi se për shkak se ata nuk po ikin nga lufta, shumica e azilkërkuesve shqiptarë janë ose emigrantë ekonomikë ose kriminelë të mundshëm. Patel, e cila mbajti një qëndrim shumë të ashpër ndaj emigrantëve, pohoi se shqiptarët po largohen për të përfituar nga pasuria dhe mikpritja e Mbretërisë së Bashkuar. Ish-politikani Nigel Farage, tani prezantues në kanalin televiziv të krahut të djathtë GB Neës, i përshkroi shqiptarët, që mbërrinin me varka të vogla që kërkonin azil si një “pushtim” nga njerëzit që “u bashkohen bandave kriminale” dhe i quajti të gjithë “agresivë”. Ndërsa Sekretari i Shtetit për Drejtësinë në vitin 2016, Michael Gove shkroi një artikull me titull: “Mendoni se BE-ja është e keqe tani, prisni derisa Shqipëria të anëtarësohet”. Por VICE World News zbuloi se realiteti në terren në Shqipëri, një vend me 2.8 milionë banorë në Europën Juglindore, është shumë i ndryshëm nga tabloja e paraqitur në mediat e Mbretërisë së Bashkuar. Në vend të kësaj, shqiptarët po shtyhen të rrezikojnë jetën e tyre duke kaluar kanalin për të ikur nga një stuhi e përsosur varfërie në rritje, korrupsion dhe trauma psikologjike, e cila është përdorur nga bandat e trafikimit.

Më shumë se gjysma e vendit është në rrezik nga varfëria, më e larta në Europë sipas të dhënave të BE-së. Të paguar me pagat më të ulëta në kontinent, shqiptarët janë goditur tepër rëndë nga kriza globale e kostos së jetesës dhe rritja e kostove të ushqimit, sepse pothuajse gjysma e të ardhurave të familjes në Shqipëri shkojnë për ushqim. Situata e rëndë, e cila përfshin shkollat pa ngrohje dhe ujë, çoi në një sërë protestash masive antiqeveritare në Tiranë këtë vit.

Shqipëria është e njohur edhe për korrupsionin shtetëror e gjakmarrjen. Vitin e fundit qytetarët e dëshpëruar kanë qenë dëshmitarë të një serie dramatike atentatesh të profilit të lartë dhe një mungesë të perceptuar veprimi kundër sjelljeve korruptive nga politikanët.

Besimi në shërbimet publike, si gjyqësori dhe policia ka rënë me pothuajse nëntë në dhjetë njerëz që besojnë se korrupsioni është i përhapur në shoqërinë shqiptare. E gjithë kjo po ndodh në një sfond të një ekonomie të tregut të zi në shkallë të gjerë, emigracionit historik, rrjeteve të krijuara të trafikut të njerëzve dhe drogës, paqëndrueshmërisë ekonomike, shkallës së lartë të dhunës në familje dhe një bombë me sahat të shëndetit mendor.

“Disa njerëz duan të zhduken nga ky vend i vogël me kaq shumë probleme,”- tha Argjendi, një mësues 50-vjeçar me banim në Tiranë, për VICE World News me kushtin që ne të përdornim vetëm emrin e tij të parë për të mos e identifikuar. Ai po planifikon të largohet së shpejti. “Nuk dua të largohem. Por këtu e kam të vështirë të kem një jetë të thjeshtë me njerëz të ndershëm dhe shërbime publike të ndershme. Fjala “dinjitet” nuk do të thotë asgjë në shoqërinë tonë.” Bilbili, 22 vjeç, nga Mati, një rajon në veri të Shqipërisë, studioi për tre vjet si mekanik. Ai punon 363 ditë në vit për 29,000 lekë (214 £) në muaj pa kontratë. “Çfarë mund të bëj me ato para? Unë jam duke mbështetur nënën time me probleme me zemrën. Duhet t’i blej ilaçet. Unë jam gati dhe në gjendje të punoj sa më shumë që të mundem për të ndihmuar familjen time,”- tha Bilbili, duke shpjeguar se miqtë e tij janë tashmë në MB dhe ai synon t’u bashkohet së shpejti.

Këtë vit, inflacioni në Shqipëri arriti në nivelin më të lartë të 20 viteve. Familjet që po luftonin për të mbijetuar më parë tani janë në panik për atë që ka përpara. Më shumë se gjysma e shqiptarëve punojnë në ekonominë informale nga dëshpërimi, që do të thotë paga më të ulëta, pa sigurime shoqërore dhe më pak të drejta. Kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor, mjekimi mund të jetë i shtrenjtë dhe deri në dy të tretat e shqiptarëve raportojnë se paguajnë ryshfet për t’u trajtuar, duke përkeqësuar barrën financiare për anëtarët e familjes.

Bajrami, 25 vjeç, është nga qyteti verior i Kukësit, një pikë e nxehtë për emigracionin në MB. Ai ka një punë në qeveri, por si shumë të tjerë, nuk ia del dot dhe ka vendosur të largohet. “Shumë djem nga Kukësi kanë ikur në Angli dhe thonë se atje është një jetë më e mirë. Kam dëgjuar se ka paga më të mira të jetosh në Angli. Këtu në Kukës nuk ka të ardhme për të rinjtë dhe asnjë mundësi për të ndihmuar prindërit tanë. Me rrogat tona nuk mund të bëjmë asgjë përveçse të hamë,”- tha ai.

Shqipëria ka punuar shumë për të luftuar korrupsionin në polici dhe gjykata, por sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, këto çështje mbizotërojnë. Ndërsa shkalla e grabitjeve është më e ulëta në Evropë dhe vendi është përgjithësisht i sigurt në jetën e përditshme, shumë nuk i besojnë sistemit nëse përfundojnë në telashe.

Të dhënat e Home Office tregojnë se 53% e azilkërkuesve që erdhën në Britaninë e Madhe në gjysmën e parë të këtij viti nga Shqipëria u është dhënë azil. Kjo përfshinte 14 për qind të burrave dhe 90 për qind të grave dhe fëmijëve.

Shqiptarët e dëshpëruar paguajnë nga 5,000 deri në 15,000 £ për të udhëtuar me furgonat e trafikantëve nëpër Europë ose për të takuar trafikantët e tyre në Francë dhe për të udhëtuar në rrugën e fundit të ngjeshur në një varkë të vogël ose kamion. Pasi në MB, disave u thuhet se tani kanë borxhe të papaguara dhe duhet të punojnë për t’i shlyer ato. Kjo punë mund të përfshijë prostitucionin, punën në fermat ilegale të kanabisit ose pastrimin e dhomave në hotelet e mrekullueshme të Londrës. Erjoni, i cili prej dy vitesh jeton legalisht në Britaninë e Madhe, tha se shumë shqiptarë po vijnë për një jetë më të mirë. Duke folur për punën e tij të suksesshme duke qenë i vetëpunësuar, ai pranon se “atë që kam arritur në Britaninë e Madhe në dy vjet, nuk do ta kisha arritur në Shqipëri për 20 vjet”. Kadime Jata, menaxhere e projektit në SFIDA, një organizatë komunitare me qendër në Londër që punon me të rinjtë shqiptarë dhe familjet e tyre, tha se shumica e shqiptarëve janë optimistë kur mbërrijnë në MB, por përfundojnë duke luftuar për të përballuar jetesën.

“Puna më e zakonshme që bëjnë meshkujt shqiptarë këtu është ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve. Një përqindje e vogël merren me bujqësi. Në Facebook në Shqipëri, ndërtuesve dhe hidraulikës u thuhet se mund të bëjnë të njëjtën punë në Angli për shumë më tepër para, se mund të marrin 120 £ në ditë. Por askush nuk po u thotë atyre se në fund të muajit pjesa më e madhe do të shkojë me qira, taksa, ushqime dhe fatura. Kontrabandistët u thonë atyre se për shkak se Britania ka një kryeministër të ri, të gjithë do të lejohen të hyjnë nëse thonë se duan të punojnë.”

Në Shqipëri, emigracioni po shkakton një krizë demografike. Është një nga të vetmet vende në botë ku më shumë njerëz jetojnë jashtë kufijve të saj sesa brenda. Rënia e popullsisë së Shqipërisë është veçanërisht e dukshme tek të rinjtë dhe të kualifikuarit. Në vitin 2021, Eurostat raportoi se rreth 11,200 shqiptarë aplikuan për azil në BE, me gati 5,000 që shkuan në Francë, të ndjekur nga Gjermania dhe Greqia. Sa i përket Britanisë së Madhe, në vitin 2019, gati 4000 shqiptarë kërkuan azil atje dhe 6300 të tjerë ishin në pritje të vendimeve.

Lori Amy është profesoreshë në Departamentin e Shkrimit dhe Gjuhësisë në Universitetin e Gjeorgjisë Jugore dhe jeton në Shqipëri dhe po hulumton lidhjet midis çështjeve bashkëkohore të vendit dhe traumave të së kaluarës.

Amy tha se ky eksod masiv nuk është një fenomen i ri. Midis 1989-2001, një periudhë tranzicioni dhe konflikti civil, rreth 710,000 njerëz u larguan nga vendi në valë të shumta. Ndërmjet viteve 2010-2019, më shumë se 193,000 aplikuan për azil në BE, duke arritur kulmin në vitin 2015 me 67,000 aplikime në vit. Ajo beson se ky dështim për t’u përballur me të kaluarën është pjesë e arsyes pse njerëzit duan të largohen.

“Një histori e tërë traumash nga osmanët, luftërat paraballkanike, komunizmi, lufta civile në 1997, emigracioni masiv, spastrime… nuk ka pasur kurrë zgjidhje. Nevojitet pajtimi me të gjithë historinë e traumës.” Ajo tha se traumat kalojnë nëpër breza dhe njerëzit ndjejnë se “nuk kanë asgjë për të cilën të krenohen ose të shpresojnë”.