Vlerësimi i aftësisë së kufizuar në reformim, 725 milionë lekë në 2019-n

585
Sigal

Të paktën 725 milionë lekë do të jetë për 2019-n kostoja e zbatimit të reformës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar në sistemin e mbrojtjes sociale dhe zbatimi i plani i veprimit 2019–2024. Dokumenti i miratuar në qeveri dhe i publikuar tashmë në Fletoren Zyrat e nënvizon se nga zbatimi i reformës preken mbi 141 persona që janë njohur zyrtarisht që kanë një aftësi të kufizuar. “Nga këta, 73 425 persona janë invalidë pune që përfitojnë si nga pagesat e sigurimeve shoqërore ashtu edhe nga pagesat shtesë të skemës së mbrojtjes sociale dhe 68 315 fëmijë e të rritur që marrin pagesat e aftësisë së kufizuar dhe përfitime të tjera në sistemin e mbrojtjes sociale. Nga këta të fundit, 19 060 persona (28%) marrin edhe pagesë për të mbuluar shërbimin e ndihmësit personal që më parë është quajtur shërbimi i kujdestarisë” sqarohet në dokument.

I njëjti nënvizon se është e nevojshme që të bëhet një reformim i vlerësimit të aftësisë së kufizuar pasi aktualisht ajo shfaq probleme të shumta që lidhen me që lidhen me kriteret, procesin dhe administrimin e sistemit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar.

“Procesi aktual i vlerësimit është i gjatë e i komplikuar. Ai është i ndryshëm për aftësi të kufizuara të ndryshme, i komplikuar për kërkuesin e përfitimeve dhe jo eficient, i vështirë për t’u menaxhuar nga pikëpamja administrative, dhe i kushtueshëm” thuhet në dokument.

Kjo ka të bëjë me faktin që procesi përfshin disa hapa ku së pari pajisja me fletëdrejtimi për në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) nga institucione shëndetësore me shtretër, me përjashtim të të verbërve që pajisen nga Komisionet Mjeko Ligjore dhe personave me probleme të shëndetit mendor nga Qendrat Komunitare të Shëndetit Mendor apo pajisja me epikrizë për personat që rikomisionohen.

Së dyti përcjellja e dokumentacionit mjekësor dhe administrativ nga administratori shoqëror i pushtetit vendor nën juridiksionin e së cilës është banor individi, pranë KMCAP.

Së treti vlerësimi i dokumentacionit nga mjeku i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.

Së katërti komisionimi dhe marrja e vendimit nga KMCAP, i ngritur nga Instituti Sigurimeve Shoqërore.

Së pesti informimi për vendimin e marrë nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror.

Së gjashti kalimi i informacionit dhe dokumentacionit përkatës për administrim në njësinë e vetëqeverisjes vendore nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror.

Komisioni në shumë raste vlerësohet se ka një fluks të jashtëzakonshëm çka rezulton që në një ditë mund të trajtohen nga 150 në 200 raste.

Për të ndryshuar pikërisht këtë panoramë është vendosur që të ndiqen disa hapa që synojnë edhe reformimin sipas dokumentit. Kështu deri në dhjetor të vitit 2019 synohet që të jenë ngritur 5 komisione shumëdisiplinore të vlerësimit të aftësisë së kufizuar në qarkun e Tiranës. Deri në qershor 2020 6 komisione të tjera për qarqet Durrës dhe Elbasan dhe deri në dhjetor 2024 edhe 17 komisione të tjera në 9 qarqe të tjera të vendit.

Po kështu është menduar rritja e transparencës së skemës, përmirësim i regjistrit si dhe komisione të shqyrtimit të ankesave.