KLSH : Skandali, shteti jep bukë me normë edhe në jetimore

225
Sigal

Kushdo që ka parë filmin “Lulëkuqe mbi mure” është prekur nga historia e trajtimit të jetimëve gjatë periudhës fashiste, megjithëse skenari ishte i mbushur me nota të theksuara të politikës komuniste. Por, historia e “kokërruarve të shkretë” ishte gjithësesi një skenar filmi. Ndërsa, në Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë, ngjarjet janë reale. Shumë shkurt: Fëmijët pa prindër që jetojnë në këtë Shtëpi shtetërore, ushqehen më pak se norma ditore. Dhe kjo histori vijon prej të paktën 3 vjetësh. Skandali është zbuluar nga një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit,  ndërkohë që faktet e rënda nuk janë evidentuar ose, në rastin më të keq, janë anashkaluar, nga institucioni epror, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e drejtuar nga Ogerta Manastirliu.

Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk kanë nevojë për komente të shumta.

Vlerat e kuotës së ushqyerjes në vitin 2019, vitin 2020 dhe vitin 2021, për muajt e përzgjedhur për auditim, kanë qenë më të ulëta se kuota e miratuar dhe akoma me e ulët për shkak të mos indeksimit të çmimeve, përgjegjësi kjo e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, -thuhet në raportin e KLSH.

Gjetjet skandaloze detajohen më tej.

…Janë shpenzuar më pak lekë të vlerës ditore ose e thënë ndryshe 409 lekë më pak të vlerës ditore për secilin fëmijë…., duke cënuar detyrimin bazë të Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë Tiranë, mbi përkujdesjen, respektin dhe përkushtimin ndaj fëmijëve”.

Referuar udhëzimeve për kuotat e ushqimit, KLSH konstaton se Shtëpia e Fëmijëve “Zyber Hallulli” duhet të shpenzonte 19.400 lekë të reja në ditë për jetimët rezidentë pranë saj.

Por, në të vërtetë, drejtuesit e Shtëpisë së Fëmijës kanë shpenzuar vetëm 11.900 lekë të reja në ditë, ose rreth  7.500 lekë të reja më pak.

Diferenca është jashtëzakonisht e madhe, duke mbajtur në konsideratë faktin se ajo u është hequr nga goja e fëmijëve pa prindër çdo ditë për tre vite rresht.

Por, nuk është vetëm ky problemi i vetëm me ushqimin e fëmijëve në Shtëpinë ‘Zyber Hallulli”.

Skandalet sa vijnë e thellohen. Kontrolli i cilësisë së ushqimeve duket si një koncept i huaj.

Ja çfarë konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit:

– Proces Verbal/et, pranimit të produktit mish/ të përpunuar i mishit (sallam, proshuta, etj.) nuk përmban të dhëna mbi vulën e kontrollit veterinar, të dhëna mbi certifikatën veterinare.

– Proces Verbal/et, e pranimit të bulmetrave (qumësht për konsum, djathë i bardhë dhe gjalpë i freskët), nuk ka të evidentuar certifikatën e cilësisë për çdo furnizim parti prodhimi, për furnizimin me qumësht, certifikatën e analizës, për furnizimin me gjalpë te freskët, nuk ka evidentuar ambalazhin e paketimit te produktit me të dhëna mbi datën e prodhimit, masën bruto/ neto, dhe origjinën e prodhimit;

– Për furnizimin me vezë nuk është përcaktuar nëse furnizimi është në zbatim të rregullores CEE për normat e tregtimit për vezët;

– Për furnizimin me bukë gruri nuk evidentohet nëse furnizimi plotëson kërkesat e standardit shtetëror; nuk përcaktohet nëse ambalazhimi i bukës është sipas kërkesave ligjore”.

Pra, siç konstatohet në raportin e auditit, fëmijët pa prindër në Shtëpinë “Zyber Hallulli” ushqehen me produkte, të cilat askush nuk i kontrollon nëse janë të shëndetshme ose jo.

Në disa raste, KLSH ka gjetur certifikata të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit apo të institucioneve veterinare, të kompanive që nuk kanë lidhje me fituesit e tenderave të ushqimeve në “Zyber Hallulli”.

…Rezultoi se, certifikatat shëndetësore veterinare, lëshuar nga institucionet përkatëse, ose raport analizat e kryera nga AKU, janë paraqitur nga persona fizikë ose operatorë ekonomikë të tjerë, të ndryshëm nga ata që kanë qenë pjesë e procedurës tenderuese”, thotë KLSH.

Më tej, vijohet.

Personat fizikë nuk figurojnë në listë pagesat e Operatorëve Ekonomikë fitues, duke krijuar një situatë të paqartë se mbi ç’ bazë Shtëpia e Fëmijëve Shkollorë Tiranë “Zyber Hallulli” ka lejuar përfshirjen në zbatimin e kontratës (pra ofrimin e ushqimeve) të disa personave “të pa përfshirë” më parë në asnjë prej procedurave të ndjekura për prokurimin e mallit në fjalë (Ushqime)”.

Për të gjithë këto shkelje, KLSH rekomandon masa disiplinore për punonjës të Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli”, duke nisur nga titullarja e saj, Suela Lilollari.