Pali Nito: Problematikat nuk duan brisk , por gërshërë

285
Sigal

Të gjithë e pa përjashtim si intelektualë, punëtorë të fushave të ndryshme të industrisë, fermerë të bujqësisë, punëtorë e specialistë të fasonëve përballemi përditë me problematika të ndryshme e të shumta e që janë të kompleksuara , që ndikojnë për keq në ecurinë e problemeve.Theksoj se përballemi me një kompleks ose konglomeratë  çështjesh e problematikash që shqetësojnë dhe u rëndojnë si shkëmb mbi supe qytetarëve.Arsyetoj dhe gjykoj pa as më të voglin ekuivokë se problematikat janë disa, por unë do të rendis disa prej tyre, të cilat përbëjnë shqetësim serioz për çdo qytetar .Ndër to do të përmendja:varfërinë, papunësinë, emigracionin, çmimet e larta me prirje në rritje, shpopullimin e fshatrave, të zonave rurale e të thella malore e të krejt vëndit,  pagat më të ulta në rajon, pensionet qesharake, që skanë të krahasuar me rajonin e që lënë për të dëshiruar shumë e që janë bërë një gangrenë e pa shërueshme, që po i sfilit ekonomikisht pensionistët e që me stërmundim dhe me sforco po mbijetojnë.Po kështu kultivimi, përdorimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike përfshi këtu edhe drograt e forta kanë shtrirë tentakulat në të gjithë vëndin nga jugu në veri, nga lindja në perëndim e që për fat të keq nuk ka reagimin dhe impenjimin e duhur dhe efikas të institucioneve shtetërore për ta ndalur këtë dukuri të pashëmbëllt, në të cilën hera herës implikohen edhe zyrtarë qëndrorë dhe rajonalë ku nuk mungojnë edhe kuadro të policisë së shtetit. Dhe sikur të mos mjaftonin këto problematika në mjedisin tonë si për ironi të fatit është ulur këmbëkryq edhe korrupsioni, rryshfeti , mitmarrja, mungesa e rendit dhe qetësisë, krimi në familje, pandëshkueshmëria , emigracioni galopant , largimi  trurit dhe i të rinjve drejt vëndeve Europiane, që janë dhe forca më aktive e më vitale e vendit. Si qytetar, si intelektual, si publicist i medias së shkruar më shqetëson së tepërmi qëndrimi i qeveritarëve të djeshëm e të sotëm në lidhje me dhënien e konçesioneve përsa i përket sektorit të naftës e të gazit si dhe të mineraleve. Jo pak, po mbi një million ton naftë nxirren nga rajonet tona naftëmbajtëse dhe përvetësohen nga kompanitë e huaja duke mos bërë kurrfarë investimesh për të zbuluar vendbanime të reja por shfrytëzojnë barbarisht puset aktive në kundërshtim me rregullat teknologjike dhe disiplinore e që ndikojnë në shterimin e zonës naftëmbajtëse. Çuditërisht dhe paradoksalisht punët tek ne në përgjithësi e në të shumtën e rasteve bëhen mbrapsht dhe aspak në interes të qytetarëve dhe si të tilla nuk prevalojnë progress , zhvillim e përparim. Qeverisë askush nuk i bën oponencë dhe për rrjedhojë ajo, pra qeveria është vetë aga e vetë pasha, vetë ligj dhe vetë Maliq, vetë Ali dhe vetë Kadi. Kjo për arsye se opozita jonë është në zgrip, në konfuzion e në apati. Ne në fakt kemi një opozitë, që bën opozitë brënda llojit pra brënda vetë opozitës dhe kjo jo për mbarëvajtjen e punëve të vëndit, por thjesht dhe vetëm për kreun e karriges së kryetarit të opozitës. Pretendenti që lakmon dhe shpreson kryesimin e opozitës ecën sipas parimit, të gjithë pas meje dhe qameti le të bëhet. Pra, si konkluzion na duhet një opozitë konstruktive që të kontestojë e të kritikojë forcërisht dhe maksimalisht veprimet dhe mos veprimet e mazhorancës qeverisëse, të kërkojë, zbulojë dhe gjejë alternativa të besueshme për të ardhur në pushtet në të kundërtën mazhoranca qeverisëse do të drejtojë me dorë të hekurt,dhe do të vazhdojë të jetë vetë zot dhe vet shkop.Vetë ligj dhe vetë Maliq,vetë aga dhe vetë pasha, vetë princ dhe vetë mbret vetë Ali dhe vetë Kadi,v etë Asllan dhe vetë Kapedan.