Ilirjan Dhima: Kriza e pandemisë dhe emigrantët në Greqi

220
  • Flet Ilirjan Dhima, Kryetar i Shoqatës “Shqipëria” në Greqi; Rolin e kryefamiljarëve në Greqi e kanë marrë gratë
  • Kriza e Pandemisë preku emigrantët pa siguracione dhe ata që janë pa leje qëndrimi të përheshme
  • – Nga viti 2016 deri tani janë kthyer 120 mijë emigrantë ose janë larguar në vende të tjera
  • – Në ndërtimet me gur shqiptarët zënë vend të parë
  • -Rreth 70% e të rinjve që kanë mbaruar studimet e larta janë pa punë
  • – Fëmijët po humbasin gjuhën shqipe
  •  Fëmijët nuk duan të kthehen në Shqipëri se shohin pasiguri dhe papunësi
  • – Shumica e emigrantëve janë pa pension në Greqi, pa pension në atdhe
  • -Problem marrja e lejeve të qëndrimit nga studentët që mbarojnë shkollat.
  • -Simpatizantët e “Agimi i Artë” provokojnë gjithmonë emigrantët shqiptarë
Sigal

Gazeta Telegraf

Pandemia ka ndikuar shumë në ekonominë e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Ende dhe sot e kësaj dite shumë zona të Greqisë janë në vijën e kuqe të Pandemisë. Problemet e emigrantëve tanë në Greqi po rriten çdo ditë. Papunësia është më kryesorja, por po kaq evidente është dhe përsëritja e lejes së qëndrimit, e cila në kushtet e papunësisë është e pamundur. Nga viti 2016 deri tani janë kthyer 100 mijë emigrantë, por në këto kushte mund të kthehen dhe 100 mijë të tjerë.

Sa ka ndikuar Pandemia në papunësinë e shqiptarëve?

Përpos krizës së viteve 2008-2013 situata e emigrantëve shqiptarë në Greqi po përkeqësohet. Dihet tashmë sisdomos në vitet 2019 -2020 në kulmin e Pandemisë në Greqi u mbyllën shumë fabrika, punishte, uzina apo falientuan me qindra njësi tregëtare. Barra më e rëndë në këtë situatë ra mbi emigrantët shqiptarë kryesisht tek ata që nuk ishin të siguruar, por edhe ata të palegalizuarit pasi tashmë nuk mund të punonin as në të zezë. Nëse qytetarët grek shpërbleheshin nga qeveria me diçka simbolike për të përballuar krizën familjare kjo nuk mund të ndodhte për emigrantët shqiptarë kryesisht për ato dy kategori që thamë. Sidomos kriza u ndie më shumë në qytetet e mëdha ku u mbyllën qindra lokale për shkak të fashës së orarit. Në kushtet e mbylljes papunësia u shtua dhe të ardhurat për familje ranë ndjeshëm. Një krizë e tillë e dytë nuk ishte parashikuar për emigrantët tanë në Greqi. Por po kështu një krizë pati ndërtimi. Dihet që shqiptarët në pjesën më të madhe punojnë në ndërtim. Madje shumë prej tyre punojnë në objekte guri që kërkon specialistë të mirëfilltë, që sot në Greqi ndodhen shumë pak. Pra në ndërtimet me gur shqiptarët zënë vend të parë.

Pra ju tani që ka ende shumë emigrantë pa leje qëndrimi, kush janë shumica e atyre pa leje qëndrimi?

Shumica janë të rinjtë me disa universitete e me disa gjuhë të huaja, që janë të papunë e tani edhe pa leje qëndrimi, nuk dinë se si të veprojnë. Ata mundohen shumë herë të marrin leje qëndrimi nëpërmjet prindërve, pasi kur shkojnë në zyrat përkatëse u thonë fare thjesht nuk e fitoni. Ligji thotë që kur mbush 18 vjeç nuk ke të drejtë që të fitosh leje qëndrimi nëpërmjet prindërve, por duhet të jesh vetë në punë. Pra prindi nuk u ripërtërin më lejen e qëndrimit edhe pse mund të jetë me sigurime shoqërore. Kjo është një habi. Rreth 70% e të rinjve që kanë mbaruar studimet e larta janë pa punë. Pra pa punë dhe pa perspektivë që edhe mund të ekstradohen. Ata janë në kulmin e dëshpërimit dhe shumica tentojnë të ikin në BE, Amerikë, Kanada ose Australi. Jeta e tyre duket pa perspektivë dhe pa motiv. Athina nuk e ka më atë shkëlqimin e mëparshëm. .

 

Me këtë papunësi si jetojnë familjet shqiptare?

Po kalohet një situatë tejet e vështirë. Mund të themi se rolin e kryefamiljarit e luajnë gratë, ato punojnë në të zezë por fitojnë. Puna e tyre është shtëpiake, pra kujdesi për të moshuarit, apo dhe punët e ndryshme në familjet e pasura. Disa mund të bëjnë dhe dy punë. Punojnë natë dhe ditë pasi ato luajnë rolin e kryefamiljarit. Janë ato që këtu punojnë me rroga për të mbajtur frymën e tyre por sidomos të fëmijëve të tyre e familjeve.

Si jeton tashmë komuniteti shqiptar në Greqi?

 

Komuniteti, më i madh në Greqi rreth 680.000 njerëz emigrantë shqiptarë (nga 870 mijë në vitin 2005), jeton në kushte presioni të madh e të gjithanshëm, por që nuk e frikëson shtetin grek se është me përfaqësi të shkatërruar, ku mendoj se i ka vënë një dore dhe dinakëria greke që të ndodhet në këtë gjendje, të mos interesohet për vete, për bashkimin e të drejtat e qytetarit, si qytetar që do të ingranohet në qytetërimin europian.

Emigrantët që punonin në ndërtim në të gjitha profesionet, ku u bënë mjeshtra, janë të detyruar të punojnë këtu të gjejnë çfarëdo pune të jetë, me një ditë pune të paguar për turp, por që thonë hajde të shkojmë t’i marrim se sa të rrimë në shtëpi.

Të vjen keq kur shikon sipërmarrës që ka një vlerë rreth 100.000 euro dhe po punon për 25-euro në ditë me veglat e tij, për më tej një ditë pune rraskapitëse 12-orëshe. Përgjithësisht të gjithë emigrantët shqiptarë duan të largohen nga Greqia, shumë për në Shqipëri, por dhe në Angli, Gjermani, Holandë, Norvegji, Kanada, Amerikë, etj. Disa ja kanë arritur qëllimit, të tjerë përgatiten për të ikur. Sikur të kishte fuqi shteti shqiptar të shkulte gjithë këta profesionistë, që ndërtuan Greqinë t’u hapte vende pune në Shqipëri, ose diku që ju paguhet puna, vetëm atëherë do të shikoni vërtet një fundosje të Greqisë, vetëm atëherë do kuptojë ky shtet se çfarë i ka bërë vetes me emigrantët shqiptarë. Vetëm atëherë do shikojnë se sa euro ka dhënë ky emigrant në këtë shtet, më shumë se vetë grekët.

 

Pa punë në Greqi, por edhe të pasiguruar…Gjithë kjo punë e vjedhur ndaj emigrantëve ku do duket në të ardhmen?

 

Dikur në kanalin TV.”Antena” kam thënë se një ditë do kuptojë Greqia, por edhe Shqipëria se sa dëm ka bërë vjedhja e hapur e siguracioneve të punës së emigrantëve, të cilët një ditë do jenë pa pension, ndërsa vetë shteti grek nga siguracionet e papaguara ka humbur miliarda dhrahmi nga arka e vetë.

 

Dhe kjo ditë po duket tani, pas 30-vite punë të zezë këtu për të ushqyer familjen. Por tashmë asgjë nuk mund të rregullohet, pasi korrupsioni shtetëror grek ka shpërthyer në të gjitha nivelet e shtetit e shoqërisë greke. Vetëm për dy vjet grekët formuan 600 shoqata dhe morën në mënyra të ndryshme 139.000.000 euro, të cilat po i kërkojnë.. Aktualisht shoqata “Shqipëria” kërkon të kontrollohen të gjitha shoqatat, federatat, dhe shteti grek të na thotë, sa euro e për çfarë programi kanë marrë shoqatat e emigrantëve shqiptarë në këtë shtet thellësisht të korruptuar. Mendoj se edhe shteti shqiptar duhej të kujdesej e të përkrahte shumë emigrantin që gjithmonë ju gjend afër Shqipërisë dhe ekonomisë së saj në vitet e vështira 1991-2009, për të ndihmuar Shqipërinë e popullin, jo të korruptuarit e pushtetit të korruptuar.

 

Sa emigrantë janë kthyer 5 vitet e fundit nga Greqia?

Sipas statistikave të OAED grek janë larguar rreth 120 mijë emigrantë. Pjesa dërrmuese janë nga Veriu i Shqipërisë. Por tashmë, që kriza po vazhdon besoj se deri në fund të vitit do të kthehen dhe 100 mijë të tjerë.

-Po shteti shqiptar a kujdeset për emigrantët?

Shteti shqiptar as e vë ujin në zjarr për emigrantët. Ka vite që nuk ka bërë asnjë takim me shoqatat e emigrantëve në Greqi. Shteti shikon vetëm se sa euro sjellin emigrantët në atdhe dhe jo se si i fitojnë ato. Shteti problem ka të rishikojë kufirin detar dhe jo të mësojë për hallet e emigrantëve, për shqetësimet dhe problemet. Në Greqi dëgjon çdo ditë për kufirin detar Shqipëri- Greqi dhe nuk dëgjon një fjalë për hallet e emigrantëve. Fëmijët po humbasin gjuhën shqipe. Fëmijët nuk duan të kthehen në Shqipëri se shohin pasiguri dhe papunësi