Njohja e pensioneve për emigrantët shqiptarë në Itali

507
Sigal

Më shumë se 400 mijë shqiptarë janë të punësuar dhe  jetojnë në Itali, ndërsa 200 mijë të tjerë janë natyralizuar. Ja letra e plotë e shoqatave të emigrantëve shqiptarë drejtuar Kryeministrit Mario Draghi për njohjen e pensioneve dhe kthimin e sigurimeve shoqërore

 

Më shumë se 400,000 shqiptarë jetojnë në Itali prej dhjetra vjetësh, dhe 200,000 të tjerë, tashmë të natyralizuar

Njohja e pensioneve, emigrantët shqiptarë letër autoriteteve italiane

Letra e një grupi emigrantësh shqiptarë dërguar autoriteteve më të larta italiane e shqiptare ku kërkojnë të drejtën e njohjes së pensioneve për emigrantët mes dy shteteve Itali-Shqipëri.

Prej vitit 2013 kanë nisur negociatat mes dy vendeve për nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen e viteve të punës për emigrantët si në Shqipëri dhe në Itali, por pa arritur në një dakortësi. Letra është dërguar në rrugë postale tek të gjitha institicionet italiane e shqiptare kompetente të çështjes.

Letra

“Presidentit të Këshillit të Ministrave
Mario Draghi
Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar
Luigi Di Maio
Ministrit të Punës dhe Politikave Sociale
Andrea Orlando
Ministrit të Ekonomisë dhe Financave
Daniele Franco

Kjo letër dërgohet nga Asti, vendi i Don Boskos, i Papa Bergoglios dhe që mban emrin e një prej shenjtorëve të parë të krishterimit, Shën Asti, shenjtorit të Durrësit dhe të shqiptarëve. Këtu koha u ndal për një moment dhe hapësira u përqendrua për të dërguar këtë letër që s’është e para dhe nuk do të jetë e fundit nëse problemi nuk zgjidhet.

“Diaspora  ‘91-‘19”  është një grup me rreth 1600 anëtarë (në rritje të vazhdueshme), të bashkuar ekskluzivisht për të sensibilizuar autoritetet kompetente për zgjidhjen e një boshllëku ligjor mbi sigurimet shoqërore të shtetasve shqiptarë, shqiptaro-italianë që punojnë në Itali dhe qytetarëve italianë që punojnë në Shqipëri …

  • Më shumë se 400,000 shqiptarë jetojnë në Itali prej dhjetra vjetësh dhe 200,000 të tjerë tashmë të natyralizuar shtetas italianë prej kohësh; operojnë më shumë se 45 mijë biznese që u përkasin bashkëqytetarëve tanë, duke përfaqësuar afërsisht 10% të sipërmarrësve të huaj. Fuqia e tyre punëtore, duke iu përgjigjur detyrimeve legjislative, paguajnë miliarda kontribute për pensionet dhe po aq taksa çdo vit, por dhjetëra mijërave prej tyre, shteti nuk u njeh të drejtën e pensionit edhe pse moshën dhe vjetërsinë e punës e kanë tejkaluar. Kjo për shkak të një mungese të thjeshtë të ligjore.

-Nga ana tjetër, ka më shumë se 2.500 ndërmarrje italiane në Shqipëri ku punojnë mijëra qytetarë italianë që kanë të njëjtin problem.

Duke iu referuar kësaj mungese ligjore, shumë video konferenca dhe konferenca shtypi janë parë së fundmi me personalitete shqiptare kompetente si, Kryeministri Edi Rama, ish-Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, Zëvendësministrat e tij, persona të drejtpërdrejtë të ngarkuar për marrëveshjen, (ish) Etjen Xhafa dhe sot Sokol Dedja, Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, Ambasadorja e Shqipërisë në Itali Anila Bitri Lani dhe së fundmi, edhe nga Ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.

Në paraqitjet e tyre të fundit në videokonferenca, konferenca për shtyp dhe diskutime në Parlament, është thënë se problemi është shumë i ndërlikuar nga pikëpamja financiare, ka një kosto, por ata janë të gatshëm që nesër të bëjnë marrëveshjen, duke lënë të nënkuptohet: “nëse pala italiane bie dakord …”

E njëjta gjë me personalitetet e rëndësishme të Italisë si ish-Ministri i Punës Cesare Damiano, Nënsekretarja e Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale Francesca Puglisi, Sekretarët Kombëtarë të CGIL, CISL dhe UIl, Roberto Giselli, Ignazio Ganga, Domenico Proietti, Presidenti i INAS CISL Gigi Petteni, Sekretari i Përgjithshëm i FAI CISL Onofrio Rota, Sekretari Kombëtar i CISL Giulio Romani, Senatorët Tommaso Nannicini dhe Susy Matrisciano, Nënsekretari i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave Pierpaolo Baretta, Zëvendës Presidenti i INPS-it Luisa Gnecchi etj, … nuk mund të kuptojmë se kë tjetër duhet të kishim përfshirë për zgjidhjen e problemit.

Të gjithë kanë konfirmuar se kjo është një e drejtë e padiskutueshme dhe për shumë kohë, për turp, e mohuar, se kostoja nuk është aspak problem (deklarata të gjitha të regjistruara), por zëri i tyre nuk ka arritur kurrë në 4 autoritetet kompetente homologe që janë Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Punës dhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave. Pse ? Ne nuk arrijmë ta kuptojmë … Pse vazhdohet të injorohet ky problem në vend që të zgjidhet ? Dhe nuk është aq i komplikuar sa e paraqesin,  ka 3 zgjidhje të mundshme:

  1. – Konvencioni, që është marrëveshja dypalëshe për sigurimet shoqërore (të cilën Italia e ka me të gjitha shtetet e UE-së dhe me 27 shtete të tjera jo-anëtare të UE-së, përfshirë të gjitha shtetet e Ballkanit që rrethojnë Shqipërinë, dhe me Shqipërinë, JO); gjë që po zvarritet prej dhjetëra vjetësh pa rezultat, kjo sepse duhen të bien dakord dy aktorë, ndofta me pretendime shumë të “komplikuara”.

2.- Mbështetur në nenet  3, 35 dhe 38 të kushtetutës do të detyrohemi të aktivizojmë një CLASS-AKTION duke kërkuar t’i jepet fund një diskriminimi që nuk e meritojmë, edhe pse procedura parashikohet e gjatë…

3.- Shumë më e thjeshtë nëse të gjithë shtetasve italianë, italo-shqiptarë etj, t’u njihen në mënyrë figurative nga Italia vitet e punuara në vendet jo të konvencionuara, përfshirë Shqipërinë (gjë që parashikohet nga të gjitha konvencionet) pa paguar asnjë qindarkë për ato vite (e përsërisim “njohje figurative”). Sigurisht që do të ishte zgjidhja më e shpejtë dhe më e realizueshme, sepse është një vendim që merret pa qenë të detyruar të kërkohet mendimi i Shqipërisë. Sa për dijeni, dhe konvencionet këtë prashikojnë, gjë që të jep të drejtën të dalësh në pension vetëm për kontributet e paguara në Itali.

Ata e kërkojnë këtë sepse ndihen  të diskriminuar (referuar neneve 3, 35 dhe 38 të Kushtetutës).

Shembull:

Duke zbatuar ligjin e fundit për pensionet (kuota 100) shkohet në pension (më saktë, duhet të shkojnë në pension për moshë të thyer që s’përballon dot më punën) me:

-62 vjeç moshë dhe 38 vite pune.

-Kjo sepse në moshën 62 vjeç të punosh në sektorë të veçantë si në ndërtim, mbi çatira dhe skela, në linjat e montimit, nëpër fushat bujqësore etj, rrezikohet jeta, mund të përfundosh invalid, ose do pushohesh përfundimisht nga puna për moshë të avancuar.  -Dhe ne kemi të njëjtën moshë, 62 vjet ose ndoshta më shumë, të njëjtën vjetërsi pune, 38 vjet në mos më shumë, por të penalizuar, sepse disa vjet na është dashur të punojmë në vendet jo të konvencionuara, pra jo në UE, jo në 27 vendet e tjera të konvencionuara me Italinë, por në Shqipëri etj,.  -Injorohet fakti që kërkohet njohja thjesht për vjetërsi pune e viteve të punuara në Shqipëri, pa asnjë barrë financiare për shtetin italian. Kërkohet pensioni vetëm për vitet e punës të punuara me kontribute në Itali siç thonë të gjitha konvencionet.  -Nëse nuk bëhet, sigurisht që do të rritet numri i aksidenteve dhe fatale, numri i invalidëve dhe i të papunëve të përhershëm për shkak të moshës së tyre të thyer. -Nëse bëhet, do i ktheni sigurimin shoqëror dhe atyre që sot ndihen më shumë se të diskriminuar (art.3, 35 dhe 38 të Kushtetutës) .

“DIASPORA ‘91-‘19”

Dhe:

  • Qendra e Kulturës Shqiptare në Torino
  • Vatra Arbëreshë – Shoqata Koordinuese e Arbëreshëve në Piemonte.
  • ANCIFRA – Shoqata Kombëtare e Qytetarëve Italianë e Familjarëve të Riatdhesuar nga Shqipëria.