Ahmetaj, “pazar” 5 milion euro me mafien e miellit

372
Sigal

Përfaqësusit e Ahmetajt në Autoritetin e Konkurencës, Denar Biba, Adriana Berberi dhe Ledia Matja rrëzojnë gjobën ndaj matrapazëve që rritën çmimin e bukës.7 oligarkët krijuan monopol me marrveshje duke lobuar me krerët e qeverisë në këmbim të gjobës 6 miliard lekë. Ndryshe nga “tigri” Ahmetaj që është pro rritjes së çmimit të bukës, ish-zv/Kryeministri Bracce reagon i revoltuar: Për bukën dhe për bukën e gojës, të ekzekutohen gjobat për ndërmarrjet

 

Braçe: Të ekzekutohen gjobat për ndërmarrjet

 Përfaqësuesit e Ahmetajt në Autoritetin e Konkurrencës Denar Biba dhe Adriana Berberi rrëzojnë gjobën për oligarkët e miellit që bënë pazar për rritjen e çmimit të bukës. Një skandal i përmasave të frikshme është realizuar gjatë ditëve të fundit, si gjithmonë në dëm të shqiptarëve dhe buxhetit të shtetit. Edi Rama dhe Arben Ahmetaj kanë vendosur t’i falin mafies së miellit një gjobë me vlerë 5 milionë euro, pas paktit për rritjen e çmimit të bukës, përmes një marrëveshjeje për krijimin e monopolit të miellit dhe paracaktimit të çmimit. Për muaj me radhë, Komisioni i Konkurrencës hetoi 7 oligarkë të miellit, për marrëveshje mes tyre në paracaktimin e çmimit dhe lojës me rezervat e miellit. Oligarkët e miellit janë Fiqiri Ismaili, Agron dhe Fuad Haxhiymeri, Saimir Stërmilli, Alush Hoxha, Dimitrios Thomoglou dhe Dervish Domi. Gjatë hetimit, Komisioni i Konkurrencës ka konstatuar pazarin mes 7 oligarkëve për çmimin e miellit dhe rrjedhimisht edhe të çmimit të bukës së përditshme. Në vendim thuhet se “Referuar konkluzioneve të mësipërme, rezulton se: nga analiza e sjelljes së ndërmarrjeve nën hetim Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, janë konstatuar shkelje të ligjit të konkurrencës, në kundërshtim me nenin 3 pika 4, dhe nenin 4 pika 1 gërma a dhe b të ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” pasi këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal”. Komisioni i Konkurrencës propozoi që mafia e miellit të gjobitej me 5 milionë euro. Gjithmon sipas ‘Pamfletit’, në këtë moment kanë nisur pazaret. Mafia e miellit ka lobuar te Babloku dhe Arben Ahmetaj që gjoba të mos votohej. Kështu, tre përfaqësues të Ramës në Autoritetin e Konkurrencës, Denar Biba, Ledia Matja dhe Adriana Berberi kanë votuar për ta rrëzuar gjobën, duke përdhosur kështu punën 1 vjeçare të komisionit që hetoi mafien e miellit. Për këtë skandal, PD-ja ka kërkuar zhvillimin e një seance dëgjimore. Ndërsa Arben Ahmetaj ka mbështetur hapur heqjen e gjobës. “Kam shumë besim tek Autoriteti i Konkurrencës, ata janë profesionistë në fushat e tyre dhe si një ent i pavarur, e respektoj vendimin e tyre. Për sa më përket mua vendimi që kanë votuar se nuk ka monopol në tregun e miellit dhe nuk ka marrëveshje mes kompanive, praktikisht besoj se kanë bërë një investigim të thellë dhe kanë votuar me përgjegjësi profesionale dhe qytetare”, tha Ahmetaj.

 Reagon ish-zv Kryeministri

 Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar përsëri ditën e sotme për rritjen e çmimit të miellit, si dhe vendimin e Autoritetit të Konkurrencës për të mos gjobitur kompanitë për rritjen e çmimit. Braçe thotë se në Korrik të vitit 2020 është marrë vendimi nga Autoriteti i Konkurrencës që konstaton sjelljen e katër ndërmarrjeve të mëdha dhe parashikon ndëshkim në rast se ato refuzojnë zbatimin. Sipas tij në rast të rritjes së çmimit të bukës, gjoba është automatike. Ndërkohë zv. kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi të kundërtën duke thënë se nga hetimet nuk janë vërejtur shkelje nga 4 kompanitë: Miell Tirana, AgroBlend, Bloja dhe Atlas Mills. Prej ditësh  është “ndezur” debati sa i përket rritjes së çmimit të bukës në vend, kur tregtarët e miellit kanë rritur çmimet. Në këtë mes ndërhyri Autoriteti i Konkurrencës, që me tre vota pro dhe dy kundër vendosi të mos gjobisë firmat e importit të miellit, të cilat kanë rritur çmimet.

“Për bukën dhe për bukën e gojës! Dhe ata që thonë se rritja e çmimit është e përballueshme! Ligjërisht, teknikisht, Komisioni i Konkurencës në Korrik 2020, me votë unanime, ka konstatuar:

  1. Sjellje të bashkërenduar të katër ndërmarrjeve në importin e grurit, importin, prodhimin dhe tregëtimin e miellit, duke bashkërenduar sjelljen dhe caktuar çmimet në këtë treg… etj;
  2. Ka vendosur 4 detyrime për katër ndërmarrjet ku më i rëndësishmi është: Të mos caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të terthortë, cmimet në blerje apo në shitje, si dhe cdo lloj kufizimi tjetër! Ka vendosur mbajtjen në monitorim për një vit të katër ndërmarrjeve, sjelljes së tyre në zbatim të detyrave të lëna. Komisioni i Konkurrencës me vendim, thotë qartë në pikën 6. Moszbatimi i detyrimeve të pikës 3 të vendimit (moscaktimi i cmimeve), ndëshkohet me penalitetet e përcaktuara në ligj! Pra, ka një Vendim, është marrë në Korrik 2020, i cili konstaton sjellje të koordinuar të katër ndërmarrjeve, lë detyra, i monitoron ato dhe, parashikon ndëshkim nëse ndërmarrjet refuzojne zbatimin! Pikë! Edhe një herë, në Korrik 2020, jo dje!

Konkretisht, profesionalisht;

  1. Komisioni i Konkurrencës në një vit monitorim, ka administruar gjetje sipas të cillave: 80-90% të çmimeve të administruara nga faturat e katër ndërmarrjeve, kanë qënë të njëjta, të caktuara nësjellje të koordinuar;
  2. Rritje të cmimit të bukës në furrat e prodhimit të bukës si pasojë e rritjes së çmimit të miellit nga këta furnizues. Pra, vendimi i AK jo vetëm nuk është zbatuar por katër ndërmarrjet kanë vijuar të caktojnë çmimet në favor të tyre, në rritje e në dëm të popullit. Në këtë pikë: Vendimi i korrik 2020 thotë “gjobë”; referuar ligjit 10% e xhiros vjetore!

Pra, gjoba është automatike! Asgjë profesionale nuk ka në vendimin e tre komisionerëve dje, zero! Thjesht anëmbajtje e tyre ndaj katër ndërmarrjeve kundër popullit, interesit publik! Është skandaloze por fakt; Deri në 1990, çmimet në treg i caktonte qeveria dhe në favor të popullit-sipas saj, sot, tani, çmimet i caktojnë katër ndërmarrje dhe në favor të fitimit të tyre-fakt! Diferencë më të neveritshme dhe kundër shumicës nuk ka!”-shprehet Braçe.