Një lutje nga Nënë Tereza për aeroportin e Rinasit

602
Sigal

Editorial i Monitor – “Welcome…, in Somalia”

Një lutje nga “Nënë Tereza” për aeroportin e Rinasit  

Ribotimi i një editoriali është pothuaj i paprecedentë. Por ne jetojmë në Tironë… Dy vjet më parë, kur ndodhi vjedhja e parë me armë e ngarkesës së parave të bankave, brenda territorit të aeroportit “Nënë Tereza”, të habitur, por edhe të tmerruar nga ngjarja aspak e zakontë për vendin tonë, të cilin ne vetë po e po që e konsiderojmë Evropian, por po bëjmë çmos që edhe bota ta njohë si të tillë, bëmë një editorial me një titull sigurisht paksa sensacional. Aspak qëllimkeq, por krejtësisht në frymën se e kemi të gjithë përgjegjësinë, por veçanërisht drejtuesit, që të përpiqemi e punojmë që ta ruajmë edhe për botën imazhin e një qytetërimi evropian që përfaqësojmë si popull autokton e me vlera e kulturë të padiskutueshme. Kur ja, pa kaluar shumë kohë, as dy vjet, e njëjta histori përsëritet në Aeroportin e vetëm të Shqipërisë, pothuaj njësoj si herën e shkuar dhe mbase më dramatike, tamam në barkun e avionit me pasagjerë. Ndaj gjykuam të ribotojmë edhe ne po të njëjtin editorial të para dy viteve e pa pasur nevojë të bëjmë asnjë ndryshim. Ndërkohë, vendi afrikan i marrë për referencë, mund të jetë përmirësuar dhe ne mbase po e teprojmë…

“Somalia, pa asnjë aparat qeverisës të qëndrueshëm, është vendi që mund të konsiderohet si më i ‘pafre’ në të gjithë planetin. Piratët dhe mungesa e qeverisjes e bën këtë shtet të ekspozuar ndaj klaneve dhe individëve kriminalë, që synojnë të përfitojnë vetëm për vete. Jeta në Somali është konceptuar si shumë e ashpër, njerëzit jetojnë me pak”. Ky paragraf i sintetizuar është “vjedhur” nga profilet që agjencitë ndërkombëtare të specializuara shkruajnë për shtetet më të korruptuara në botë. Do të thoni ju, çfarë lidhje ka kjo me Shqipërinë e kësaj jave që lamë pas? Hiqni “fjalën” Somali dhe zëvendësojeni me Shqipëri! Ne na duket përshkrimi më i mirë i ngjarjes tronditëse që ndodhi javën e kaluar, kur u grabit automjeti që transportonte paratë cash të një banke të nivelit të dytë në pistën e fluturimeve të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë. A nuk është e ngjashme me Somalinë edhe Shqipëria, ku mbizotërojnë “kaçakët” njësoj si piratët e detit, sa arrijnë të vjedhin tre herë brenda vitit makinat e transportit cash të bankave që kanë ligje e rregulla të forta sigurie?

A nuk ngjan Shqipëria me Somalinë, si një vend i pafre, sa që grabitësit arrijnë deri aty sa të futen me lehtësi, fare të pa shqetësuar, deri në thellësi të pistës, në një aeroport që ka statusin e objektit strategjik të veçantë e garanton mbrojtje të veçantë?

A nuk është Shqipëria si Somalia, një shtet i ekspozuar ndaj krimit dhe i paqëndrueshëm, ku grabitja ndodhi vetëm një ditë pasi në aeroportin “Nënë Tereza” ishte shpallur shkalla e sigurisë së lartë, për shkak të sulmeve terroriste të javës së kaluar në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit?
A nuk është Shqipëria një vend i ngjashëm në thelbin e saj si Somalia, ku klanet e krimit grabisin të pa shqetësuar, sepse jeta është e ashpër dhe një pjesë e mirë e popullsisë jetojnë me të ardhura të pakta?

Asnjëherë krahasimi nuk mund të jetë preciz. Por është përfaqësues për të shpjeguar një rast të tillë, sepse në Shqipëri është shkërmoqur përfundimisht edhe siguria publike, e cila është privatizuar nga klanet kriminale, të cilat mund të bëjnë ç’të duan në këtë vend.

Por Shqipëria, ndryshe nga Somalia, është bërë më groteske. Grabitja nuk i ndodhi bankës, por një vendi anëtar i NATO-s, që merr pjesë ushtarakisht për të vendosur paqe dhe siguri në zonat e konfliktit, dhe lufton kundër terrorizimit. I ndodhi një vendi që aspiron integrimin në BE, në një ndër objektet që presupozohet ndër më të sigurtit. Shqipëria ka edhe “një meritë” më shumë se Somalia. Në vendin afrikan, piratët zotërojnë detin por, kurrë, jo aeroportin. Në Shqipëri, kjo ndodhi në aeroport me lehtësinë më të madhe, duke treguar se kemi një shtet butaforik dhe se siguria jonë ka mbetur në mëshirë të fatit, sepse një Zot e di, nëse ata njerëz nuk do të ishin hajdutë, por terroristë. Nënë Tereza, sikurse quhet aeroporti, lutju Zotit për ne!