Ligji i cunguar, dëmet për aksidentet paguhen dy herë

529
Sigal

Ligjet në Shqipëri, përgjithësisht janë të hartuara në mënyrë të tillë që lënë hapsirë për abuzime, apo boshllëqe ky secili institucion, inspektor apo gjykatës, mund t’a interpretojë një situatë sipas këndvështrimit të tij dhe kjo gjë ndodh në të gjithë sektorët. Shqetësim së fundmi po bëhet në atë të sigurimeve, kryesisht sa i takon aksidenteve automobilistike.

Çfarë ndodh në këtë rast?

Në rastet e aksidenteve pa shkaktarë, kur fajtori është larguar nga vendi i ngjarjes, apo kur mjeti motorik është i pasiguruar, i dëmtuari ka të drejtë që të kërkojë dëmshpërblim nga Byroja Shqiptare e Sigurimit.  Deri këtu situata është normale, por kompanitë e sigurimeve kanë zbuluar se me këtë pjesë ka abuzime të cilat nuk kanë një rrugë zgjidhje.

Sipas tyre, abuzimi më i fundit i regjistruar nga palët e treta ndaj Byrosë lidhet me kërkimin e dëmit në gjykatë, pasi është akorduar në rrugë administrative nga Byroja. Ky shihet si një fenomen tejet shqetësues, pasi i njëjti dëm rrezikohet të paguhet 2 herë.

Dhe si operohet në këto raste? Pala e dëmtuar i drejtohet në rrugë administrative Byrosë duke kërkuar shpërblimin e dëmit rrjedhur nga aksidenti. Byroja vijon me procedurën e trajtimit dhe vlerësimti të dëmit e më pas paguan në favor të palës së dëmtuar vlerën e përllogaritur. Kjo e fundit, edhe pse ka rënë dakord me shumën e akorduar, i drejtohet sërish gjykatës për të kërkuar diferencën e dëmshpërblimit sipas “ligjit”, i cili në këtë rast e krijon vetë hapsirën abuzive. Në këtë pikë, sërish gjykata legjitimon kërkesën e palës paditëse duke dëmshpërblyer kështu për të njëjtin rast dy herë.

Referuar të dhënave zyrtare të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, gjatë vitit të kaluar nga Fondi i Kompensimit, dëmet që janë shlyer, si pasojë e vendimeve të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, arrijnë vlerën e 781 milionë lekëve.

Ndërsa sa i takon këtij viti, për periudhën Janar-Korrik 2019, nga fondi i kompensimit janë paguar në total 379 milionë lekë, me një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, edhe pse pjesa më e madhe është në process ekzekutimi.

Nga ana tjetër, çdo ditë e më shumë, kompanitë e sigurimeve po marrin përgjegjësitë që u takojnë duke paguar dëmet në rast aksidentesh.

Të dhënat më të fundit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare që i përkasin periudhës Janar- Gusht 2019, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,939 milionë lekë, ose 9.99% më shumë se në periudhën Janar- Gusht 2018.

Eglantina Hoxha