Koço Qëndro: Ardhja e Mehmet Shehut në teatrin e Korçës

425
Sigal

Rrëfimi i mjeshtrit të skenës dhe teatrit korçar: Si u tmerruan njerzit e partisë në Korçë kur në shfaqje erdhi ish-kriministri. Unë kisha rolin e Metes, por kurrë nuk e menduam aludimin me emrin e Mehmetit. Pse Mehmetit i ngriu buzëqeshja, netët pa gjumë, si më thirrën në Komitetin e Partisë dhe fillimi i hetimeve

 

Koço Qendro: Unë kisha rolin e Metes, nuk e menduam aludimin me emrin e Mehmetit

Ardhja e Mehmet Shehut në teatër, tmerroi njerëzit e partisë në Korçë
Njerëzit e partisë nuk e dinin që ato ditë Mehmet Shehu do të vinte në Korçë

Vepror Hasani

Ishim duke bërë provat e shfaqjes, kur krejt papritur, dikush nga Komiteti i Partisë së rrethit erdhi për të na vënë në dijeni se për të parë shfaqjen tonë do të vinte edhe Mehmet Shehu. Të gjithë mbetëm si të ngrirë. Ardhja e kryeministrit nuk ishte gjë e pakët… “Duhet të përgatiteni mirë, – na tha njeriu i partisë, – nuk duhet të na turpëroni,  nëse shfaqja nuk ecën mirë, atëherë do të mbahet përgjegjësi…”. Kaq tha njeriu, që kishte dërguar partia dhe pas kësaj u largua. Në të vërtetë i kishte thënë të gjitha. Çfarë kishte lënë pa thënë? Asgjë. Kështu e nis rrëfimin e tij, aktori i njohur Koço Qendro, fitues i çmimeve kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare, së fundi i dekoruar edhe nga presidenti i Republikës Bamir Topi, duke kujtuar një episod “të shkurtër” nga jeta e tij artistike.

Metja i komisioneve

Deri atë çast, edhe pse ishim duke bërë provat, kishte pasur humor dhe gjallëri, por tashmë me marrjen e këtij lajmi çdo njëri prej nesh mbeti si i ngrirë. Na pushtoi ankthi. Duhej të shikonim edhe një herë nga e para rolet tona. Për ne nuk do të kishte më gjumë as natën e as ditën. Do të diskutohej me hollësi për çdo detaj. Unë luaja në skeçin që titullohej “Metja i komisioneve”, ku roli im ishte vetë Metja. Pak a shumë fabula ishte kjo: në çdo komision që ngrihej, Metja ishte kryetar i komisionit. Metja ishte ai që mbulonte të gjitha fushat: artin, letërsinë, folklorin, muzikën e lehtë, edukimin, madje edhe gratë… Deri atë ditë kisha punuar me mjaft përkushtim për realizimin e rolit tim, por tani që morëm vesh që do të vinte Kryeministri, nisa ta vrisja mendjen edhe më shumë. Nisa të mendoja për gjuhën që përdorte Metja: si vishej Metja, si ecte Metja, si mendonte Metja, pse ishte qesharak Metja e të tjera si këto. Pas shumë përpjekjesh munda të bind veten se ia kisha arritur qëllimit. Roli im do të ishte më i miri.

Mbërritja e Kryeministrit

Në provat gjenerale erdhën dhe njerëzit e partisë. Skeçin tim e pëlqyen shumë, sekretari i partisë, më falënderoi, më ra supeve kur iku, duke më thënë: “Bravo Koço, je një aktor i zoti” Vura re që ai, edhe kur po dilte nga teatri, qeshte me vete. Unë gati sa nuk fluturoja. Kryeministri i vendit do të mbetej i kënaqur. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Nëse deri në atë çast isha lutur që kryeministrit t’i dilte ndonjë punë dhe të mos vinte në Korçë për të parë shfaqjen tonë, tashmë nisa të mendoja që atij të mos i dilte ndonjë punë e të vinte në Korçë. Sigurisht që do të mbetej i kënaqur, por edhe unë do të merrja ndonjë vlerësim. Ajo çka ishte paralajmëruar kishte qenë e vërtetë. Kryeministri i vendit, Mehmet Shehu, mbërriti në Korçë. Në mbrëmje erdhi në shfaqjen tonë. Përsëri që të gjithë u ndiem të frikësuar. Po na dukej sikur do të harronim të gjitha fjalët e roleve. Nisëm të mendonim se nuk do të dilnim mirë. Po të ndodhte kështu, atëherë, të nesërmen do të fillonin një sërë mbledhjesh. Mundet që edhe ndonjëri nga ne të shkonte si sëpata pa bisht. Të gjithë ne e dinim që në raste të tilla vetëm kështu ndodhte….

Kryeministri në shfaqje

Megjithatë, dy skeçet e para kaluan mirë. Salla e kishte kaluar me të qeshura. Vumë re se edhe Mehmet Shehu kishte nisur të qeshte, madje njëherë qeshi me të madhe. Bashkë me spektatorin duartrokiste dhe ai. Kjo sikur na i lehtësoi edhe më tepër gjendjen tonë. Kishim filluar ta merrnim veten. Pas kësaj erdhi radha e skeçit tim. Ishte lënë pas disa pjesëve, me qëllim që spektaklit t’i hidhej kripa. Dola në skenë. Të gjithë nisën të duartrokisnin. Metja ishte i kërkuar nga të gjithë: gratë kërkonin Meten se ishte kryetar komisioni, burrat kërkonin Meten se Metja edhe atje kryetar komisioni, artistët kërkonin Meten, këngëtarët popullorë kërkonin Meten, kudo ishte Metja…Nuk arrija të firmosja dot, sa në një komision në një tjetër… Të gjithë thërrisnin: Mete nxito… Mete shpejto… Mete hajde këtu… Mete shko atje… Nuk arrija të mbaroja një punë, kur një punë tjetër më kishte zënë udhën… Lëvizjet e mia kishin filluar të ngrinin në këmbë njerëzit që gjendeshin në sallë. Duartrokitje pa pushim, qeshnin me të madhe, qeshte dhe Mehmet Shehu. Të gjithë i mbanin sytë nga ai. Nëse qeshte Mehmet Shehu, qeshte edhe sekretari i partisë, nëse duartrokiste Mehmet Shehu, duartrokiste edhe ai. E qeshura zgjaste vetëm aq sa qeshte Mehmet Shehu. Që gjithçka po kalonte mirë, këtë po e vija re edhe unë. Kur e ndieva se ia kisha mbërritur qëllimit, m’u shtuan edhe më shumë forcat. Nisa të bëhesha edhe më qesharak, po bëhesha i papërmbajtshëm. Në fund të fundit kisha arritur të nderoja veten, ndoshta edhe njerëzit e partisë do të më thoshin ndonjë fjalë të mirë. Kjo edhe nuk kishte shumë rëndësi, mjafton që ata të mos më thoshin: “Na turpërove Koço”, sepse pas kësaj mund të vinte ndonjë dënim i papritur për të punuar si bari në ndonjë fshat të Korçës…

Mehmet Shehu s’po qeshte më

Gjithçka po kalonte më së mirë, kur befas dikush tha se Mehmet Shehu nuk po qeshte më, madje thanë se një çast ai u duk shumë nervoz. Thanë që kishte bërë një lëvizje të dorës, sikur donte të thoshte: “mjaft!”, por në të vërtetë nuk kishte thënë asgjë. Njerëzit e partisë u vunë në hall. Si ta kuptonin atë lëvizje, për mirë apo për keq? Të gjithë mbeten të ngrirë, sikur të ishin shndërruar në copa guri. Mehmet Shehu kishte nisur të bëhej keq. (Të paktën kështu u ishte dukur njerëzve të partisë). Sipas tyre, ata e kishin parë kryeministrin të mërzitej. Kjo kishte ndodhur kur unë, ndërsa luaja rolin, filluan të më thërrisnin: “Mete të kërkojnë këtej…”, “Mete të kërkojnë andej…”. Kryeministri nuk e kishte pëlqyer këtë moment. Kështu u ishte dukur njerëzve të partisë. Të gjithë këto do t’i merrja vesh të nesërmen se deri në atë çast ndihesha i lumturuar. Shfaqja mbaroi. Në të vërtetë Mehmeti nuk tha asgjë të keqe, u largua duke na thënë se shfaqja i kishte pëlqyer shumë. Vërtet shfaqja kishte mbaruar dhe Mehmet Shehu ishte larguar, por që nga ai çast nuk pati më gjumë për njerëzit e partisë. Ata ndiheshin që të gjithë të tmerruar: Përse nuk kishte qeshur Mehmet Shehu…? Përse ishte mërzitur Mehmet Shehu…? Përse kishte lëvizur dorën Mehmet Shehu…? Përse populli kishte qeshur aq shumë…? A kishte këtu ndonjë komplot apo jo…? Cilët ishin armiqtë e brendshëm e të jashtëm…? Si kishte mundur agjentura amerikane të fuste hundët në teatrin e Korçës…?”

Natë pa gjumë

Njerëzit e partisë nuk i kishte zënë gjumi gjithë natën, as ata të Degës së Punëve të Brendshme, ishin mbledhur bashkë diku dhe veç diskutonin për shfaqjen. Të gjithë pyesnin: Pse u mërzit Mehmet Shehu? Çfarë kishte shfaqja që nuk shkonte? Vrisnin mendjen dhe nuk e gjenin dot. Po të ishte mërzitur, ai mund ta kishte shfaqur mendimin e tij, shprehej dikush. Ndoshta furtuna mund të fillojë më vonë, ia priste një tjetër. Ankthi dhe tmerri po bëhej edhe më i madh te radhët e njerëzve të partisë së rrethit. Kishin frikë mos i arrestonin edhe ata vetë. Në çastin kur po i jepnin kurajë vetes, duke thënë se shfaqja nuk kishte pasur asgjë të keqe, por ndoshta u ishte dukur atyre sikur Mehmeti ishte mërzitur, dikush e gjeti çelësin e nervozizmit që ishte shfaqur te Mehmet Shehu. E dini si është puna, – tha njëri prej tyre, – po, mirë more, si nuk e menduat, që njeriut që ka emrin Mehmet, shkurt e thërrasin “Mete”. A nuk u duket sikur ne ia kemi bërë kastile kryeministrit?! Si nuk u vajti mendja që të paktën rolit t’i kishit ndryshuar emrin. Kujt i ra ndërmend ta quante Mete? Pas kësaj plasi paniku. Kush e kishte shpikur këtë Meten? Kush ishte ky Metja që i bënte të gjitha? Po Koço Qëndro pse nuk kishte kundërshtuar kur i thanë të luante këtë rol, ai është aktor, si nuk i kuptoka këto gjëra…?! Estrada e Korçës ishte tallur me kryeministrin! Këtë gjë nuk e thoshin dot, por në heshtje të gjithë mendonin.



Koço të kërkon partia

Nuk ishte zbardhur mirë, kur dërguan dikë  të më thoshte se më kërkonin te Komiteti i Partisë. Fillimisht nuk u shqetësova. Thjesht mendova se do të më falënderonin që kisha luajtur mirë. Por nuk ndodhi kështu. Sekretari i partisë ishte bërë vrer, kryetari i Degës ishte bërë më limon se limoni. Të tjerëve, dukej që u kishte rënë pika. Ç’e kishe atë rol?- më pyetën. Rolin që më dhanë ua ktheva. Po përse duhej ta bëje ashtu, që të shkuleshin njerëzit nga të qeshurat, i gajase të gjithë? Nuk po e kuptoja, ku donin të dilnin? Po kjo është puna ime, – u përgjigja, t’i bëj njerëzit për të qeshur. Po me kë i bën njerëzit të qeshin zotrote? Si, me kë i bëj, me rolin, me “Meten e komisionit”! Por e dije ti që në sallë ishte shoku Mehmet Shehu? Sigurisht që e dija, ndaj u përpoqa që ta luaja rolin sa më mirë. E dije ë?! Po, e di ti që njeriut që ka emrin Mehmet shkurt e thërresin Mete? E mora vesh ku e kishin fjalën. Të them të drejtën, atë çast sa nuk plasa nga frika. Nuk po gjeja më fjalët që t’u përgjigjesha…

Një javë hetim

Pas kësaj më kërkuan në Degën e Brendshme. Njëherë vija në Komitetin e Partisë dhe një herë në Degën e Brendshme. Një çast pata përshtypjen se do të më arrestonin. Kjo frikë vazhdoi për ditë të tëra. Diçka po përgatitej. Nëse Mehmeti do të reagonte, arrestimet do të ishin gati për të gjithë: do të arrestohej ai që kishte shkruar pjesën, do të arrestohej regjisori që e kishte miratuar, do të arrestohesha unë që kisha luajtur Meten. Nuk i dihej se deri ku do të shkonte rrethi i arrestimeve. Kaluan mjaft ditë. Ata që pyeteshin nga hetuesit ishin të shumtë. Pritej të ndodhte diçka, por fatmirësisht nga ana e kryeministrit nuk erdhi ndonjë reagim. Ai e kishte harrur “Meten e komisioneve”, paskësh qenë vetëm frika dhe tmerri i të mëdhenjve të Korçës. Dhe  vetëm kur u bindën se Mehmet Shehu nuk kishte thënë gjë tjetë përveç asaj që kishte thënë në fillim: Më pëlqeu shumë”. Vetëm atëherë njerëzit e partisë vendosën ta harrojnë këtë histori, sepse në të kundërt arrestimet mund të kalonin në krahun e tyre që po i jepnin kaq pompozitet këtij skeçi. Kishte rrezik që në qytetin e Korçës të përhapej ndonjë thashethemnajë pse njerëzit e partisë kishin menduar se po aludohej me kryeministrin. Mos faji ishte në anën e tyre. U detyruan të harrojnë gjithçka. E megjithatë, për mua “Metja i komisioneve”, mbeti një shfaqje e paharruar, atë ditë të gjithë qeshen me lot.