Krahas koncensionit 130 milionë euro të laboratorëve, i cili po hetohet nga SPAK si korruptiv në bazë të një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit tre vite më parë, gjatë pesë viteve të fundit kanë kaluar edhe 17 milionë euro në llogaritë e kompanisë së tregtimit të barnave Pegasus shpk të Janis Karathano
Krahas koncensionit 130 milionë euro të laboratorëve, i cili po hetohet nga SPAK si korruptiv në bazë të një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit tre vite më parë, gjatë pesë viteve të fundit kanë kaluar edhe 17 milionë euro në llogaritë e kompanisë së tregtimit të barnave Pegasus shpk të Janis Karathano, i cili dyshohet se është prestanome i një klani politiko-oligarkik. Paratë publike janë përfituar nga kompania që kontrollon koncension grabiqar të laboratorëve në bazë të procedurave të dyshimta tenderuese, me garë fiktive dhe pa garë, me pazar në tavolinë, shpërbime fiktive dhe kontrata klienteliste me entet publike si QSUT, Sanatoriumi, Qendra Kombetare e Transfuzionit të Gjakut, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Spitali i Traumës, spitalet Fier, Berat, Shkodër etj.Tenderat e dyshimtë për Janis Karathano, njeriun që i kanë ngarkuar në kurriz thesin me 130 milionë euro, i kanë firmosur zyrtarët emra të lakuar për afera korruptive në shëndetësi. Koncensioni i paligjshëm (sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit) 130 milionë euro, për shërbimin e laboratorëve është firmosur nga Arian Kraja, ish sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë. Përpos Krajës dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, SPAK po heton edhe rolin e Ogerta Manastirliut, e cila ishte ministre e Shëndetësisë. Përfitues në letra është Janis Karathano.
Faktet se pse koncensioni po hetohet nga SPAK si aferë korruptive janë të njohura. Kompania LABORATORY NETËORKS është krijuar nga tre shoqëri për të zbatuar koncensionin. Tre kompanitë përfituese të koncensionit janë LABOPHARMA, AB Laboratory Solutions B.V dhe EXALAB.
Koorporata Ndërkombëtare e Investimeve (IFC) njoftoi ministren Ogerta Manastirliu se kompania AB Laboratory Solutions B.V në Holandë ishte përfshirë në mashtrim me pasoja të rënda dhe si e tillë nuk duhej të shpallej fituese e koncensionit. Manastirliu dhe Kraja e injoruan kërkesën e IFC.
AB Laboratory Solutions B.V me adresë në Hagë, me administrator Konstantinos Karathanos, djali i Janis Karathano, e përfshirë në krime financiare, dyshohet se është derivat i kompanisë Evita që kontrollon koncensionin tjetër korruptiv në shëndetësi, hemodializën.
Në raportin e KLSH, Janis Karathanos rezulton si mashtruesi që ka përdorur dokumente shtetërore private e preventivë fals, për të marrë koncesionin, duke bashkëpunuar me titullarët dhe zyrtarët e autorizuar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkaq, KLSH ka konstatuar se AB Laboratory Solutions B.V u përdor si koracë për të mbuluar përqindjen reale të ndarjes së aksioneve në konsorcium. Ndarja ishte fiktive, pasi dy kompani në dukje të ndryshme, ishin faktikisht një dhe me pronar Janis Karathano.
Nga ana tjetër, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka paguar kompaninë koncensionare për shërbime të pakryera. Spitalet janë udhëzuar nga ministria për të tenderuar shërbime laboratorike, shërbim për të cilën paguhet njëkohësisht karteli i Karathanos.
Çështja penale
Në 31 janar të vitit 2022, SPAK ka regjistruar procedimin penal nr. 18 për veprat penale shkelja e barazisë së pjesmarrësve në tendera dhe ankande publike, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, në lidhje me koncensionin e laboratorit.Hetimet nisën pas një kallëzimi penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili auditoi gjatë vitit 2021 koncesionin e laboratorëve mjekësorë.KLSH arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë koncensionin në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, kallëzoi anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit si dhe i kërkoi zgjidhjen e kontratës.Sipas KLSH-së, Koorporata Ndërkombëtare e Investimeve (IFC), pjesë e Bankës Botërore, kishte kërkuar skualifikimin e grupit të kompanive fituese, pasi njëra kompani shqiptare ishte në ndjekje penale në Spanjë. Korporata Ndërkombëtare e Investimeve ka shprehur shqetësime serioze për integritetin e kompanisë së regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions, e skeduar për mashtrim dhe krime financiare.




















