Konfindustria: Të ndalohet fiskalizimi, derisa të garantohen të dhënat

111
Sigal

Konfindustria ka ndërmarrë nismën për pezullimin e fiskalizimit të detyrueshëm për bizneset, deri në dhënien e sigurive të plota teknike dhe ligjore nga shteti shqiptar për mbrojtjen e të dhënave tregëtare të bizneseve. Gjithashtu, nisma përmban kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për nxjerrjen e plotë dhe marrjen e përgjegjësive penale, financiare dhe ekonomike të institucioneve shtetërore dhe kompanive private, shkaktarë të skandalit të rrjedhjes në publik të të dhënave personale të qytetarëve dhe bizneseve në dhjetor 2021.

Skandali provoi qartësisht, se agjensitë përgjegjëse të shtetit shqiptar me në krye AKSH janë krejtësisht të paafta të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve dhe bizneseve të ndodhura në serverat e tyre. Në rastin e ngjashëm të rrezikut të rrjedhjes në formën e “spiunazhit tregëtar” për llogari të konkurencës të të dhënave masive të siguruara nga procesi i fiskalizimit në kohë reale nga AKSH dhe dhjetra kompanitë private ndërmjetëse, pasojat do të jenë shumë më të rënda, deri në falimentim për 120 mijë biznese, penalizime gjyqësore në vlera të jashtëzakonshme për shtetin shqiptar, goditje në afatgjatë për ekonominë deri në cënim të sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues.

Bashkangjitur është kërkesa zyrtare e Konfindustrisë drejtuar institucioneve shtetërore dhe vendimarrjes politike.