Ja përfituesit e vërtetë të miliardave nga koncesionet

359
Sigal

Të dhënat nga Regjistri i Pronarëve Përfitues tregojnë se njerëzit që qëndrojnë pas shumicës së PPP-ve të dhëna në 8 vitet e fundit janë individë shqiptarë me lidhje të dyshimta me politikën, pa përvojë dhe ekspertizë specifike në ofrimin e shërbimeve përkatëse. Ja emrat në PPP e rrugëve, shëndetësi, skanim, pullat fiskale, pompat, inceneratorët etj

 

Ja përfituesit e vërtetë të miliardave të taksapaguesve shqiptarë që shpesh janë përfolur si sipërmarrës me lidhje të dyshimta me politikanët

titull Regjistri i Pronarëve Përfitues, zbardhen njerëzit që qëndrojnë pas koncesioneve

 

Të dhënat nga Regjistri i Pronarëve Përfitues tregojnë se njerëzit që qëndrojnë pas shumicës së koncesioneve të dhëna në tetë vitet e fundit janë individë shqiptarë, pa përvojë dhe ekspertizë specifike në ofrimin e shërbimeve përkatëse.  

PPP e rrugëve

-Albania Highëay Concession lidhi kontratën me objekt ndërtimin, përmirësimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot – Morinë ka marrë nga buxheti i shtetit 2.5 miliardë lekë

-Mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit me kompaninë Gjoka 87, e krijuar enkas për këtë qëllim nga firma e ndërtimit Gjoka Konstruksion ka vlerë rreth 40 miliardë. Përfitues final është Rrok Gjoka

-“Porti i Jahteve – Bypass Orikum – Dukat”, me Shoqërinë Koncesionare “Rruga Orikum – Llogora”.

-Kompania shqiptare A.N.K. fituese e koncesionit për ndërtimin e rrugës Milot-Balldre, në pronësi të biznesmenit Agim Kola. Vlera e kontratës u rrit në 213 milionë euro pa TVSH, për një rrugë me gjatësi 17 kilometra. Ministrja e Infrastrukturës është shprehur se ky projekt është anuluar, por nga ana tjetër, Ministria e Financave vazhdon ta listojë zyrtarisht atë mes projekteve të PPP-ve me financim buxhetor.

 Ersuin Shehu

Në korrik të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”. Ligji në fjalë synonte të mundësonte transparencën mbi kontrollin e bizneseve në Shqipëri, në veçanti të atyre të lidhura me kompani guaskë të regjistruara jashtë vendit, sidomos në juridiksione të njohura si parajsa fiskale. Kontrolli mbi kompani me aksionerë të regjistruar offshore ka shkaktuar debate të mëdha në vitet e fundit, sidomos për ato subjekte që kanë përfituar kontrata të koncesioneve ose Partneritetit Publik-Privat. Çështja e parë ishte parimi i transparencës mbi pronësinë. Lidhja e kontratave me kompani që nuk dihej se kujt i takonin shtronte problemin moral që një vend nuk mund t’i paguajë para publike pa ditur se cili është përfituesi përfundimtar i tyre.

Kjo praktikë shtonte dyshimet se shumë prej kompanive përfituese të koncesioneve ishin regjistruar offshore, pikërisht për të fshehur përfituesit e vërtetë, që shpesh janë përfolur si sipërmarrës shqiptarë me lidhje të dyshimta me politikanët. Gjithashtu, regjistrimi në juridiksionet offshore zakonisht shtron rreziqe të shtuara, të lidhura me evazionin fiskal, pastrimin e parave apo krime të tjera financiare.

Ngritja e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, sipas ligjit të ri, pjesërisht ka ndihmuar për të bërë transparencë lidhur me pronësinë, të paktën zyrtare, të disa prej kompanive koncesionare që veprojnë në vendin tonë. Ligji kërkon që çdo kompani të deklarojë aksionerët të cilët, në mënyrë direkte apo indirekte, zotërojnë më shumë se 25% të aksioneve në to.

 

PPP-të në shëndetësi  me pronare Vilma Nushin, me shërbimin e Check Up merr rreth 8.8 mld lekë për 10-vjet. Ndërsa kompania do të paguhet çdo vit për të paktën 475 mijë kontrolle, pavarësisht nëse i realizon apo jo ato

Inceneratorët, përfitues shqiptarë dhe italianë

Një nga sektorët koncesionarë që ka shkaktuar më shumë debate në vitet e fundit kanë qenë inceneratorët për trajtimin e mbetjeve. Regjistri i Pronarëve Përfitues bën transparencë për aksionerët e këtyre kompanive. Integrated Energy B.V, me seli në Amsterdam të Holandës, është kompania që ka fituar koncesionin e ndërtimit të inceneratorit të Tiranës, projekt që u prezantua fillimisht me një vlerë prej 130 milionë eurosh. Megjithatë, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit arriti në përfundimin se kjo kontratë do t’iu kushtojë taksapaguesve gjithsej rreth 340 milionë euro, duke përfshirë të gjitha pagesat e pritshme për trajtimin e mbetjeve në këtë impiant. Sipas Regjistrit Tregtar, aksionere e Integrated Energy rezulton kompania GeoGenix B.V, tjetër shoqëri e regjistruar në Holandë. Sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, pronarë indirektë të kompanisë me më shumë se 25% të aksioneve janë shtetasit italianë Giuseppe Ciaffaglione, Salvatore Russelli dhe Alberto Presezzi.

Në katër vitet e fundit, Integrated Energy B.V ka përfituar nga buxheti rreth 4.5 miliardë lekë, ndërsa për tre vitet në vazhdim, parashikohen pagesa totale në vlerën e rreth 5.1 miliardë lekëve.

Dy kompanitë e tjera koncesionare të inceneratorëve kanë aksionerë të regjistruar në Shqipëri dhe pronësia e tyre zyrtare ka qenë transparente edhe më herët.

Integrated Technology Ëaste Treatment Fier është kompania e cila ka fituar koncesionin e inceneratorit të Fierit, projekt me vlerë rreth 28 milionë euro. Aksionerë të kompanisë rezultojnë firma Integrated Technology Services, me 70% të aksioneve dhe Ndërtim-Montim Patos, me 30% të aksioneve.

Regjistri i Pronarëve Përfitues tregon se pronësia indirekte pas Integrated Technology Services i takon Klodian Zotos, ndërsa aksionerë të Ndërtim – Montim Patos janë Elton Kollozi dhe Ina Kollozi (trashëgimtarë ligjorë të pronarit të mëparshëm, Flamur Kollozi). Sidoqoftë, dy kompanitë aksionere janë të regjistruara në Shqipëri dhe pronësia e tyre ka qenë transparente edhe para hartimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues.

Inceneratori i Fierit pritet të dorëzohet vitin e ardhshëm. Vlera fillestare e këtij projekti është parashikuar rreth 4.5 miliardë lekë. Megjithatë, mbështetur në raportimet e Ministrisë së Financave, deri në vitin 2021, kjo kompani ka përfituar nga buxheti rreth 3.2 miliardë lekë, ndërsa për vitin e ardhshëm parashikohet të marrë edhe transfertën e fundit prej 630 milionë lekësh.Albtek Energy është kompania që në vitin 2014 ka fituar koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Aksionere e vetme e saj është Stela Gugallja dhe kontrolli ushtrohet nëpërmjet pronësisë direkte.

Projekti i inceneratorit të Elbasanit ka një vlerë të parashikuar prej rreth 2.9 miliardë lekësh dhe kontratat koncesionare përfundon në dhjetor 2021. Deri në fund të këtij viti, qeveria shqiptare do të ketë shlyer edhe pagesën e fundit prej rreth 50 milionë lekësh të ngelur ndaj kompanisë koncesionare dhe më tej asetet e kompanisë do t’i transferohen Bashkisë së Elbasanit.

Saniservice merr 100 milionë euro në 10 vite për sterilizimin, teksa  aksioneri kryesor, Investital, nuk ka asnjë përvojë në këtë fushë dhe është themeluar enkas për pjesëmarrjen në këtë kontratë koncesionare. Aksioneri kryesor indirekt i kompanisë Ilir Rrapaj, një ish-emigrant shqiptar në Itali

Koncesionet në shëndetësi, përfituesit kryesorë, biznesmenë pa përvojë në sektor

Një nga sektorët ku skemat e PPP-ve u përdorën masivisht pas vitit 2013 ishte shëndetësia.Koncesioni i parë në sektorin e shëndetësisë ka qenë ai i shërbimit Check Up ose Kontrollit Mjekësor Bazë për Grupmoshat 40-65 vjeç. Ky koncesion u fitua në vitin 2015 nga kompania 3P Life Logistic. Koncesionari ka aksionerë dy shoqëri të tjera shqiptare Marketing & Distribution, me 80% të aksioneve dhe TRIMED, me 20% të aksioneve. Sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, pronësia indirekte mbi kompaninë i takon Vilma Nushit, pronare e vetme e Marketing & Distribution.

Kjo kompani ka aktivitet kryesor distribucionin dhe shitjen me shumicë të produkteve të konsumit. Sipas kontratës, koncesioni do të përfitonte rreth 8.8 miliardë lekë për një periudhë 10-vjeçare, me një mesatare pagesash prej rreth 876 milionë lekësh në vit. Koncesioni u pezullua që në mars të 2020-s, pas fillimit të pandemisë, deri në shtator të këtij viti.

Megjithatë, në rreth dy muaj e gjysmë aktivitet vitin e kaluar, kompania përfitoi 322 milionë lekë pagesa nga buxheti, ndërsa këtë vit parashikohet të marrë 366 milionë lekë për një shërbim që do të ofrohet vetëm në katër muajt e fundit të vitit.

Një nga pikat më të debatuara të kontratës koncesionare është fakti se kompania do të paguhet çdo vit për të paktën 475 mijë kontrolle, pavarësisht nëse i realizon apo jo ato. Që nga fillimi i koncesionit, numri vjetor i kontrolleve minimale të parashikuara nuk është realizuar asnjëherë dhe kjo ka bërë që kompania të përfitojë pagesa për kontrolle që realisht nuk i ka kryer.

Saniservice është kompania e dytë që ka marrë koncesion në sektorin e shëndetësisë.

Prej vitit 2015, ajo ofron setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve ku do të ofrohet ky shërbim, në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjerë, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë.

Vlera fillestare e koncesionit është rreth 100 milionë euro, ose 12.3 miliardë lekë, për një periudhë 10-vjeçare. Sipas ekstraktit nga Regjistri Tregtar, kjo kompani ka katër subjekte aksionere, të katërta të regjistruara jashtë Shqipërisë përkatësisht Investital me 40% (kompani e regjistruar në Kosovë), Servizi Italia me 30%, Tecnosanimed, me 15% dhe U.Jet, me 15%, të tria këto të fundit kompani të regjistruara në Itali.

Tre kompanitë italiane kanë një aktivitet në fushën e sterilizimit dhe trajtimit të mbetjeve spitalore, ndërsa aksioneri kryesor, Investital, nuk ka asnjë përvojë në këtë fushë dhe është themeluar enkas për pjesëmarrjen në këtë kontratë koncesionare. Sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, aksioneri kryesor indirekt i kompanisë është shtetasi shqiptar Ilir Rrapaj, pronar i vetëm i shoqërisë Investital.

Ilir Rrapaj është një ish-emigrant shqiptar në Itali, ku në fillim të viteve 2000 ngriti një kompani ndërtimi. Para fitimit të kontratës së sterilizimit, nuk rezulton që ai të ketë qenë i përfshirë në aktivitete të ngjashme. Përfitues të tjerë, sipas regjistrit, cilësohen edhe dy shtetasit italianë, Michele Magnate dhe Ilaria Eugeniani, jo si pronarë, por si persona me kompetenca vendimmarrëse pranë kompanisë Servizi Italia.

Deri tani, Saniservice ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 7.1 miliardë lekë, ndërsa për tre vitet në vazhdim parashikohet të marrë edhe 5.1 miliardë lekë të tjera. Me një ritëm të tillë, vlera e kontratës parashikohet të rezultojë më e lartë se parashikimi prej 12.3 miliardë lekësh.

Në vitin 2019, qeveria shqiptare nënshkroi kontratën koncesionare me kompaninë Laboratory Netëorks për Ofrimin e Shërbimeve Diagnostikuese nga Laboratorët Mjekësorë në Spitalet Universitare, Rajonale dhe të Bashkive të Sarandës dhe Lushnjës. Vlera e kontratës parashikohet rreth 14 miliardë lekë, për një periudhë 10-vjeçare.

Aksionerë të koncesionarit rezultojnë kompania shqiptare Labopharma sh.p.k., me 47.5% të aksioneve, AB Laboratory Solutions BV, e regjistruar në Holandë, me 33% të aksioneve dhe Exalab, e regjistruar në Francë, me 25% të aksioneve. Sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, pronari i kompanisë nëpërmjet kontrollit indirekt është shtetasi Jani Karathano, me 53.85% të aksioneve.

Jani Karathano, pronar edhe i kompanisë farmaceutike shqiptare Pegasus, është kontrollues i dy prej kompanive aksionere të koncesionarit, përfshi atë të regjistruar në Holandë. Pronësia e aksionerit tjetër, Exalab, nuk është e qartë, ndërsa shtetasi francez Jean Brochet rezulton si personi me pozicionin më të lartë në këtë subjekt raportues.

Pagesat për këtë koncesion nga buxheti nisën vitin e kaluar dhe deri tani, ai ka arkëtuar nga buxheti rreth 1.3 miliardë lekë. Për tre vitet në vazhdim, parashikohen pagesa totale prej 4.1 miliardë lekësh.

 

Skanimi, pullat fiskale dhe pompat, kosto të shtuara për biznesin

Nëse shumica e PPP-ve të sektorit të shëndetësisë kontrollohen nga pronarë që vijnë nga sektorët e tregtisë apo ndërtimit, një sipërmarrës i sektorit të shëndetësisë, rezulton pronar në një kontratë koncesioni shumë larg aktivitetit të tij të zakonshëm.

Olti Peçini është pronar i Salus, një nga spitalet me kapital privat në vend. Por, njëkohësisht ai rezulton pronar përfitues i shoqërisë S2 Systems, shoqëria e cila administron koncesionin e skanimit të kontejnerëve në pikat doganore. Aksionerë në të janë shoqëria amerikane Rapiscan Systems, me 51% të aksioneve dhe shoqëria shqiptare ICMS, me 49% të aksioneve. ICMS është një kompani që zotërohet nga Olti Peçini, me profesion mjek dhe njëkohësisht pronar i spitalit Salus, me 80.26% të aksioneve. Për Rapiscan Systems, Regjistri i Pronarëve Përfitues nuk jep të dhëna mbi pronësinë: shtetasi amerikan Jonathan Jay Fleming rezulton si personi që mban pozicionin e drejtuesit më të lartë të subjektit raportues.

Koncesioni i skanimit të kontejnerëve u dha në vitin 2013, para dorëzimit të pushtetit nga Partia Demokratike. Fillimisht, qeveria e Partisë Socialiste ishte shprehur për anulimin e asaj, por më pas u tërhoq nga vendimi, për shkak të frikës nga humbja e çështjes në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Megjithatë, në vitin 2015 u arrit një rinegocim i kostos së shërbimit të koncesionit për bizneset. Koncesioni financohet pjesërisht nga pagesat e bizneseve (22 euro për çdo deklaratë doganore, 5 euro për ato me vlerë nën 1000 euro) dhe pjesërisht nga transfertat e buxhetit të shtetit. Në katër vitet e fundit, ai ka përfituar 5.7 miliardë lekë transferta nga buxheti, ndërsa për tre vitet në vazhdim pritet të përfitojë edhe 5.4 miliardë lekë të tjera.

SICPA Security Solutions Albania në vitin 2011 përfitoi kontratën koncesionare për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave. Sipas Regjistrit Tregtar, aksionere e vetme e shoqërisë është kompania SICPA SA, ndërsa, sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, pronar indirekt i saj rezulton shtetasi zviceran Philippe Amon.

Këtë vit, 11 importuesit dhe prodhuesit më të mëdhenj të mallrave të akcizës, në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë, kërkuan uljen e çmimeve të pullave fiskale. Biznesi kërkoi që me përfundimin e koncesionit, qeveria të miratojë tarifa të njëjta me vendet e BE-së.

Nga krahasimi që sipërmarrësit u kanë bërë çmimeve që aplikon rajoni dhe BE-ja, rezulton se një biznes në Kosovë paguan 2.2 dollarë për 1 mijë pulla fiskale, në vendet e Bashkimit Europian paguhet 3 dollarë për 1 mijë pulla fiskale nga 24.2 dollarë që paguhet në Shqipëri për 1 mijë pulla fiskale. Koncesioni financohet nga pagesat e vetë bizneseve dhe nuk parashikon transferta nga buxheti i shtetit.

Në vitin 2019, qeveria dha me koncesion dhe një shërbim tjetër, atë të kontrollit të pompave të karburanteve, shërbim që deri në atë kohë ofrohej nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit. Koncesioni, që do të ketë afat 20-vjeçar dhe pritet të sigurojë të paktën 50 milionë euro, u sigurua nga kompania NOA Control. NOA Control është një shoqëri e themeluar në vitin 2015 me aksioner të vetëm shtetasin shqiptar, Gentian Sula. Gentian Sula është administrator dhe aksioner pakice i shoqërisë së sigurimeve Intersig Vienna Insurance Group.

Vijon

 

Infrastruktura, PPP-të të gjitha për shqiptarët

Në tetë vitet e fundit, mekanizmi i PPP-ve është përdorur edhe në projekte të mëdha të infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale. Përfitues të këtyre projekteve janë në shumicën e rasteve biznesmenë shqiptarë.

Në vitin 2015, shoqëria Porti MBM fitoi koncesionin për ndërtimin e portit të hidrokarbureve në Porto Romano. Aksioneri kryesor i shoqërisë në fjalë është kompania Adriatic Bay Investment Group, me 99% të aksioneve. Kompania është themeluar nga dy prej importuesve më të rëndësishëm të naftës në vend.

Në vitin 2016, kompania Albania Highëay Concession lidhi kontratën me objekt ndërtimin, përmirësimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot – Morinë. Megjithëse fillimisht si pjesë e konsorciumit në garë u paraqitën disa kompani të huaja, përfundimisht aksionet e kompanisë u ndanë në mënyrë të barabartë mes 2 kompanive shqiptare.

Kontrata do të financohet nga shfrytëzimi i rrugës nëpërmjet tarifës së paguar nga përdoruesit e saj, por paralelisht edhe nëpërmjet mbështetjes buxhetore. Në katër vitet e fundit, koncesionari ka marrë nga buxheti i shtetit 2.5 miliardë lekë, ndërsa për tre vitet e ardhshme janë parashikuar mbi 2.2 miliardë lekë të tjera.

Në vitin 2018, qeveria shqiptare lidhi kontratën koncesionare me objekt përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit me kompaninë Gjoka 87, e krijuar enkas për këtë qëllim nga firma e ndërtimit Gjoka Konstruksion. Kontrata ka vlerë rreth 40 miliardë lekë. Sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, përfitues final i kontratës është Rrok Gjoka, pronar i vetëm i firmës Gjoka Konstruksion.

Pagesat në favor të koncesionarit nisën në vitin 2019 dhe deri tani, ai ka përfituar nga buxheti 10 miliardë lekë, ose rreth një të katërtën e vlerës së parashikuar të kontratës. Për tre vitet në vijim, parashikohen pagesa të tjera, me vlerë totale prej 9.3 miliardë lekësh.

Në vitin 2018 u miratua kontrata koncesionare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor “Porti i Jahteve – Bypass Orikum – Dukat”, me Shoqërinë Koncesionare “Rruga Orikum – Llogora”. Kontrata kishte vlerën e 50.5 milionë eurove, ndërsa kompania koncesionare zotërohet nga firma e ndërtimit Gjikuria dhe përfitues të saj janë Florenc Gjikuria me 64% të aksioneve dhe Milo Gjikuria me 36% të aksioneve. Pagesat në favor të kësaj kompanie kanë nisur këtë vit, me një shumë totale prej 353 milionë lekësh, ndërsa për tre vitet e ardhshme parashikohen transferta me vlerë totale gati 2.5 miliardë lekë.

Po në vitin 2018, kompania shqiptare A.N.K. u shpall fituese e koncesionit për ndërtimin e rrugës Milot-Balldre, për një shumë prej 161.5 milionë eurosh. Kompania është në pronësi të plotë të biznesmenit shqiptar Agim Kola. Pas një rinegocimi pa garë të interesave, vlera e kontratës u rrit në 213 milionë euro pa TVSH, për një rrugë me gjatësi 17 kilometra.

Megjithatë, ndërtimi i kësaj rruge është kthyer në një mister më vete. Ministrja e Infrastrukturës është shprehur se ky projekt është anuluar, por, nga ana tjetër, Ministria e Financave në tabelat e buxhetit vazhdon ta listojë zyrtarisht atë mes projekteve të PPP-ve me financim buxhetor. Në buxhetin e rishikuar 2021 parashikohet një financim prej 65 milionë lekësh, ndërsa në atë të vitit të ardhshëm, një financim prej vetëm 10 milionë lekësh.

Në fillim të vitit 2019, qeveria miratoi kontratën për rikonstruksionin, operimin dhe transferimin e Aeroportit të Kukësit te konsorciumi i përbërë nga kompanitë Bami dhe Global Technical Mechanics me afat 35-vjeçar. Konsorciumi fitues u angazhua të investonte rreth 8 milionë euro për të bërë operativ aeroportin.

Bami është një kompani me aktivitet në sektorin e ndërtimit, në pronësi të shtetasit Besnik Bami, ndërsa Global Technical Mechanics është një kompani e krijuar në vitin 2018, me qëllim kryesor kontrollin e mjeteve motorike dhe pjesëve të tyre. Pronar i kompanisë është Ridgers Mema, person i lidhur me grupin e biznesit Kastrati dhe aksioner, njëkohësisht, edhe në kompani të tjera ku ky grup është i përfshirë.

Sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, pronarë indirektë të Kukës International Airport janë Besnik Bami me 70% të aksioneve dhe Ridgers Mema me 30% të aksioneve. Ridgers Mema është njëkohësisht edhe administrator i shoqërisë.

 

Në 4 vitet e fundit, inceneratorët kanë përfituar rreth 4.5 mld lekë, ndërsa për tre vitet në vazhdim, parashikohen pagesa totale në vlerën e rreth 5.1 mld lekëve. Regjistri i Pronarëve Përfitues tregon se pronësia indirekte pas Integrated Technology Services i takon Klodian Zotos, e cila ka fituar koncesionin e inceneratorit të Fierit, projekt me vlerë rreth 28 milionë euro

Jo të gjithë kanë raportuar

Ligji kërkonte që deri në fund të vitit 2020, të gjitha shoqëritë tregtare të identifikonin pronarët përfitues dhe t’i raportonin në Regjistrin e Pronarëve Përfitues jo më vonë se dy muaj nga data e krijimit të këtij regjistri. Duke qenë se regjistri kishte si afat të fundit krijimi, datën 31.1.2021, atëherë afati për regjistrimin e pronarëve përfitues në të ka qenë data 31 mars e këtij viti.

Sipas ligjit, mosregjistrimi i të dhënave të pronarëve përfitues ndëshkohet me gjobë 500 mijë lekë, ndërsa mospërditësimi i të dhënave të ndryshuara brenda afateve ndëshkohet me gjobë në vlerën 250 mijë lekë. Në rast se detyrimi për përditësimin e të dhënave shkelet më shumë se një herë, gjoba për subjektin dyfishohet. Gjobat vendosen nga titullari i Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Megjithatë, nga kërkimi në regjistër duket se jo të gjitha bizneset e kanë kryer raportimin përkatës. Për shembull, në Regjistrin e Pronarëve Përfitues nuk rezultojnë të dhëna për kompaninë DiaVita, me objekt aktiviteti zbatimin e Kontratës së Koncesionit/Partneritetit Publik-Privat për shërbimin e Hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, që prej vitit 2015.

Në vitin 2019, DiaVita u ble nga Diaverium International AB, e prezantuar si shoqëri holding, e regjistruar në Suedi dhe pjesë e grupit Diaverum, shoqëri e specializuar në trajtimin e problemeve të veshkave. Zyrtarisht, Diaverum zotërohet nga grupi britanik Bridgepoint Group, një fond investimi në kapitalin e kompanive private (Private Equity).

Kompania është e listuar në bursë dhe nga informacioni në faqen e saj nuk rezultojnë individë apo subjekte që të kontrollojnë më shumë se 25% të aksioneve, megjithatë sërish kjo nuk e përjashton nga detyrimi për të raportuar. Në këto raste, sërish kompania duhet të deklarojë përfaqësuesin ligjor ose individin që ushtron kontrollin e fundit efektiv mbi administrimin. Kjo vlen edhe për entitetet jofitimprurëse, si për shembull shoqata, fondacione.

Vlera e parashikuar e kontratës së koncesionit të dializës ishte rreth 8.6 miliardë lekë, ndërsa deri tani, kompania ka përfituar rreth 4.5 miliardë lekë transferta buxhetore. Për tre vitet e ardhshme, Ministria e Financave parashikon rreth 2.7 miliardë lekë pagesa për këtë kompani.

Megjithatë, koncesioni i dializës, ashtu si edhe ai i sterilizimit apo i analizave laboratorike, bartin rreziqe për buxhetin, sepse pagesat janë parashikuar bazuar në projeksione për numrin e shërbimeve të ofruara. Nëse, për shembull, numri i seancave të dializës apo i operacioneve rezulton më i lartë, (siç edhe ka ndodhur deri tani), kompanitë koncesionare do të përfitojnë më shumë para.

Një tjetër kompani rreth së cilës ka pasur paqartësi lidhur me pronarët përfitues, ose kontrollin fundor, është Allum Enterprises. Megjithëse nuk ka vepruar si koncesionare, për afërsisht tre vite ajo kishte në pronësi Rafinerinë e Naftës në Ballsh, një objekt me rëndësi strategjike për industrinë e përpunimit të naftës dhe për ekonominë e vendit. Pasi Allum dështoi të shlyente detyrimet e kredisë nëpërmjet së cilës e bleu Rafinerinë, Credins Bank procedoi me ekzekutimin e detyrueshëm të kolateralit, duke e marrë sërish në pronësi Rafinerinë e Ballshit.

Allum Enteprises nuk rezulton të ketë raportuar deri më sot në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Nga viti 2017 deri në 2019, ajo zotërohej nga një kompani e regjistruar në Britaninë e Madhe, e quajtur Allum Enterprises Limited. Në vitin 2019, sipas Regjistrit Tregtar, ajo u ble nga kompania Mercado Exterior, shoqëri e regjistruar në kantonin e Luganos në Zvicër, tjetër destinacion i njohur për regjistrimin e kompanive guaskë. Mercado Exterior administrohet nga një shtetase italiane, e quajtur Milena Conforti, ndërsa aksionerët janë të panjohur.

Megjithatë, vitin e kaluar, kryeministri, Edi Rama, njoftoi se, në një takim të zhvilluar me presidentin azer, Ilham Aliyev, kishte diskutuar edhe problemin e Rafinerisë së Ballshit. Rama tha se në këtë çështje tashmë ishte përfshirë një kompani azere dhe se ai mori angazhimin e presidentit azer për zgjidhjen afatgjatë të problemit. Në fakt, problemi i Rafinerisë së Ballshit me azerët nuk u zgjidh asnjëherë dhe pronësia e vërtetë mbi kompaninë nuk është bërë transparente as sot e kësaj dite.