Klaidi Çitozi: Ja si do përllogaritet primi i sigurimit për çdo drejtues, sipas sistemit Bonus-Malus dhe efektet pozitive

1172
Sigal

Flet Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i SIGMA Interalbanian – Vienna Insurance Group

Si do të përllogaritet primi i sigurimit për çdo drejtues, efektet pozitive

Drejtuesit që kanë në pronësi një mjet do të blejnë primin e sigurimit sipas sistemit Bonus-Malus nga 1 prilli 2020. Kompanitë e sigurimit do të përllogarisin primin për çdo drejtues, duke pasur parasysh sjelljen në timon të këtij të fundit gjatë një viti që do të shërbejë edhe si historik.

Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i SIGMA, shprehet në intervistën për Monitor, se efektet e zbatimit të sistemit Bonus-Malus pritet që të jenë pozitive. Në parim, sipas tij, shoferët priren të jenë më të kujdesshëm për të mos u penalizuar me një prim më të shtrenjtë, ashtu sikurse pritet që të ketë edhe një zvogëlim të numrit të rasteve të mashtrimit për dëmet, që është një avantazh i madh për kompanitë e sigurimit në treg.

AMF miratoi pak javë më parë një udhëzim për sistemin Bonus-Malus, çfarë do të thotë ky udhëzim për kompanitë e sigurimit? Po për konsumatorët?

Ky sistem po zbatohet në praktikën tonë, duke pasur në fokus kryesisht konsumatorin dhe mbrojtjen e tij. Është krejt e logjikshme që secili të paguajë për riskun që sjell personalisht, pasi jo të gjithë kemi të njëjtën sjellje kur jemi në timon. Përveç vlerësimit individual të riskut, ky sistem ndikon edhe në rritjen e sigurisë në rrugë, duke stimuluar të gjithë ata që ngasin një automjet të jenë më të kujdesshëm.

Me shumë gjasa, do të kemi dhe një zvogëlim të numrit të rasteve të mashtrimit për rastet e dëmeve, dhe ky është një avantazh i madh për kompanitë e sigurimit. Askush nuk do të dojë të marrë përsipër që ka shkaktuar një aksident, nëse vitin pasardhës kjo do të ndikojë në rritjen e primit të sigurimit.

Gjithashtu, ligjet dhe rregulloret në vendin tonë, gjithnjë e më shumë po u përqasen praktikave të vendeve europiane. Ky sistem prej kohësh zbatohet në shumë vende të botës, me sisteme të ngjashme dhe me diferenca të vogla në mënyrën e aplikimit. Gjithsesi, shtresa që ka përfituar më shumë nga ky sistem kanë qenë vetë konsumatorët, pasi jo vetëm që nuk janë ngarkuar me pagesa të tepërta, por edhe numri i aksidenteve rrugore ka rënë ndjeshëm.

Në udhëzim përcaktohet se historiku i mbajtjes së aksidenteve nis nga 1 prilli 2019. Në dijeninë time, një historik është i disponueshëm dhe ka vite që mbahet, pse po nisim nga e para?

Ka qenë një projekt i tillë, dhe mbledhja e të dhënave ka shërbyer për të studiuar sjelljen e konsumatorit dhe për të ndërtuar modelin mbi të cilin do të aplikohet sistemi Bonus-Malus. Aksidentet e ndodhura dhe të regjistruara deri tani, nuk do të kenë asnjë ndikim në përllogaritjen e primit për secilin individ. Dëmet që do të raportohen dhe do të paguhen pas datës 1 prill 2019, do të ndikojnë në primin e sigurimit, në rinovimin e policave të sigurimit pas datës 1 prill 2020.

Kur do ta blejë një konsumator primin e sigurimit, duke lëvizur sipas klasave që përcakton udhëzimi?

Siç e thashë më lart, sigurimi sipas këtij sistemi do të fillojë të blihet që prej 01.04.2020, por duke marrë parasysh dëmet e ndodhura vetëm një vit më parë. Është shumë e rëndësishme të kuptohet, që ky sistem nuk do të aplikohet për targën e automjetit që ka shkaktuar dëmin, por për individin që ka qenë në drejtim të tij. Udhëzimi ka parashikuar qartë edhe rastet kur dëmin e ka shkaktuar një person, emri i të cilit nuk është në policën e sigurimit. Në këtë rast, ngarkohen me penalitet edhe shkaktari i dëmit, edhe pronari i automjetit. Gjithashtu në rastin kur automjeti është në pronësi të subjekteve të ndryshme, dhe drejtimi i automjetit bëhet nga persona të autorizuar nga kompania, atëherë dhe penaliteti nga dëmi i shkaktuar i ngarkohet personit që ka qenë në drejtim të automjetit dhe jo ndaj subjektit.

 

Si e shihni ndarjen me 18 klasa dhe lëvizjen ndërmjet tyre sipas dëmeve të shkaktuara? Po koeficientët e përcaktuar në udhëzim?

Kjo ndarje në 18 klasa ka ardhur pas një studimi të gjatë të historikut të dëmeve, si dhe duke u bazuar në praktikat e vendeve fqinje. Konsiderohet një ndarje e përshtatshme, duke konsideruar sjelljen e konsumatorëve, dhe numrin e aksidenteve gjatë një viti. Gjatë vitit të parë të këtij sistemi, të gjithë i përkasim klasës 13. Nëse një individ nuk shkakton asnjë dëm gjatë një viti, në rinovimin e policës ai do të zbresë me një klasë, dhe do të shkojë në klasën 12. Kjo zbritje, shoqërohet sigurisht me zbritje të primit të sigurimit.

Nëse gjatë një viti, individi shkakton një dëm të vetëm, atëherë statusi i tij do të rritet me dy klasa, dhe primi i tij rritet gjithashtu. Nëse shkakton dy dëme gjatë një viti, primi do të rritet me 5 klasa. Gjithsesi, pavarësisht sjelljes së mirë në timon të gjithsecilit, primi nuk mund të bëhet në asnjë rast më pak se gjysma, dhe pavarësisht numrit të aksidenteve të shkaktuara, primi nuk mund të rritet më shumë se dyfish. Edhe personat me nënshtetësi joshqiptare, do t’i nënshtrohen të njëjtit sistem, dhe njësoj si personat që sigurohen për herë të parë, do ta fillojnë historikun e tyre nga klasa 14, përveçse nëse paraqesin dokumentacionin e nevojshëm nga kompania që i ka siguruar më parë në vendin e tyre, i cili vërteton historikun e dëmeve. Tabela e klasave, me koeficientët përkatës, duhet të jetë e afishuar në çdo zyrë shitje të kompanive të sigurimit, si dhe në website e kompanisë, me qëllim informimin e konsumatorit.

Çfarë pritet të sjellë Bonus-Malus për tregun e sigurimeve në vend, por edhe për mënyrën sesi drejtohet mjeti sot? (i referohem uljes së aksidenteve meqë ky është qëllimi parësor)

Vihet re që konsumatorët janë gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj shpenzimeve, ndaj presim që ky sistem t’i ndërgjegjësojë ata të kenë një sjellje më të kujdesshme në rrugë. Gjithashtu, shpresojmë që të ketë një rënieve të rasteve të mashtrimit, që nuk janë të pakta në punën tonë.
Një vlerësim më i saktë dhe ndërtimi i profilit të riskut për çdo individ, do të ndihmojë kompanitë e sigurimit që të përmirësojnë shërbimin e tyre, dhe këtë profil mund ta zbatojnë, pse jo, dhe në ofrimin e produkteve të tjera të sigurimit për të njëjtin individ.

Kështu, kompanitë e sigurimit do të kenë një rritje të shitjeve të tyre, një vlerësim më të saktë të klientëve, duke bërë njëkohësisht që më shumë individë të ndihen të sigurt ndaj të papriturave që mund të ndodhin. Mbi të gjitha, ne besojmë se ky sistem do të shërbejë që të ndërtojmë një sistem financiarisht të qëndrueshëm dhe të balancuar.