‘Hambarët’ e parave KESH, OSHEE dhe OST në duart e mafies

419
Sigal

 

Si u zhvatën miliona euro që prej 20 vitesh, teksa nuk hetohen kontratat false dhe me borxhe e subvencione, krizazh, fantazma si kjo e njoftuar dhe zhdukur brenda 2 ditësh me “shkop magjik” nga Rama

 

Dosja “CEZ”, skenar kriminal ekonomiko-financiar gjigand, realizuar nga qeveritë. Lëmshi i krijuar me copëzimin e sektorit energjetik në 3 kompani, u bë qëllimisht, për të realizuar e maskuar vjedhjet me gjoja humbje në rrjet, çmime të larta në bursë, eksporte të lira për shkak ofertash të ulëta, me tendera fiktivë, me zhdukje dokumentesh financiare që nuk hetohen

Kryeministri Rama dha alarmin për krizë të rëndë energjitike e rritje çmimesh, ndërsa pas dy ditësh e zhduku krizën si me “shkop magjik”; duke dhënë lajmin, se nuk do ketë rritje çmimesh për familjarët, mbasi qeveria do marrë 200 milionë euro borxh për t’ia dhënë “ndihmë” KESH-it e OSHEE-së.

Por Rama, nuk flet për moçalin korruptiv energjitik në Shqipëri, të krijuar nëpërmjet fijeve të zeza në kupolën shtetërore, me grupet mafioze serbe, ruse, austriake, kosovare, boshnjake e bullgare në rajon e Azi; të cilët prej mëse 20 vitesh së bashku, kanë vjedhur e po vjedhin miliardat e këtij sektori super-fitimprurës.

Hajdutëria e ka startin në KESH, kompani përgjegjëse për prodhimin, importin, eksportin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, si i vetmi ent monopol shtetëror i rrjetit energjitik, në administrim 100% nga Ministria e Energji-Infrastrukturës.

Kjo skemë vjedhjeje, ka nisur nëpërmjet një lëmshi që është bërë qëllimisht nga mafia qeveritare, me copëzimin e sektorit të energjisë në 3 kompani, të etiketuara “Shoqëri anonime” me vetë-administrim, ku shteti jo vetëm qëndron kukull, por dhe u financon vjedhjet.

Më 9 prill 2004, u krijua Operatori i Sistemeve të Transmetimit (OST),  ndërsa më 8 qershor 2007, shpërndarja e energjisë elektrike për shitje te konsumatori, iu kalua OSHEE.

Pra, KESH si magazinier i prodhimit dhe importit të energjisë, ka “deleguar” dy funksione në OST e OSHEE, për transmetimin e energjisë dhe shpërndarjen e saj; ose më saktë për shitjen, ku në 1 dorë, përfshihet sasia që hidhet në treg, faturimet dhe pagesat, që bëjnë konsumatorët.

Të ardhurat që transmetohen nga OST dhe nga shitja e energjisë te konsumatori, mbahen të detajuara në bilance konfidenciale brenda kupolës së OST e OSHEE. Jo vetëm KLSH, por dhe auditimet e brendshme të Ministrisë së Ekonomi-Financave, kanë konstatuar blerje energjie me çmim 4-6 herë më të lartë, përdorim fondesh e të ardhurash jashtë sektorit energjetik, madje dhe zhdukje miliardash nga libri i kontabilitetit

Të ardhurat dhe pagesat nga import-eksportet të sasisë së energjisë, që KESH i kalon OST-së e OSHEE-së për shitje te konsumatori, janë lejuar nga qeveria, të raportohen me “qark” të mbyllur vetëm brenda kupolës së KESH, sikur kjo është kompani private e jo pronë shtetërore.

Po kështu, dhe të ardhurat që transmetohen nga OST dhe nga shitja e energjisë te konsumatori, mbahen të detajuara në bilance konfidenciale brenda kupolës së OST e OSHEE, ndërsa në ministrinë që është pronare e saj, raportohen vetëm si bilance globale për treguesit furnizim-fitim-humbje-shpenzime.

Jo vetëm KLSH, por dhe auditimet e brendshme të Ministrisë së Ekonomi-Financave, KESH, OST e OSHEE, kanë konstatuar se gjatë këtyre 20 viteve, ka pasur lëmsh dokumentesh financiare, blerje energjie me çmim 4-6 herë më të lartë, përdorim fondesh e të ardhurash jashtë sektorit energjetik, madje dhe zhdukje miliardash nga libri i kontabilitetit.

Në vitin 2009, grupi çek “CEZ” bleu 76% të aksioneve të OSHEE, pra të kompanisë shqiptare që shpërndante energjinë elektrike tek konsumatori dhe mblidhte pagesat; koncesion për të cilin pagoi 109 milionë Euro.

Para se CEZ ta blinte, bilanci i OSHEE “u pastrua” nga borxhet; dhe blerësi i ri, bleu një kompani “llokum” pa asnjë qindarkë detyrim, që vetëm do të arkëtonte faturat e shitjes, ndërsa borxhet i mori përsipër KESH (shteti).

Ky kalim borxhi, nuk u hetua asnjëherë nëse ishte real apo ishte sajesë, për të vjedhur subvencionin që shteti i dha KESH-it, si “dorëzan” i OSHEE, mbasi “duart”, që sajuan këtë lojë, ishin vetë shtetarët.

Pra, nuk mund të flitej për verifikim e hetim, mbasi kupola e shtetit, që e bëri këtë pazar, nuk mund të hetonte veten, po as KLSH-it, prokuroritë e gjykatat nuk mund të vepronin, mbasi shefat e tyre jo vetëm vareshin nga pushteti, por kishin familjarë të punësuar në shtet dhe në KESH, OSHEE, CEZ e OST.

Psh., CEZ dhe shteti operuan për rreth 2 vite në paqe, gjersa më 2011-ën, filluan acarimet; ndërsa në vitin 2012, CEZ shpalli paaftësinë financiare për të blerë energji nga importi.

Në skenën e pazareve, doli përsëri KESH-it, dmth., shteti, si  “shpëtimtar” financues për të paguar importet në favor të kompanisë çeke CEZ, ndërsa paralel me to, filloi skenari i penaliteteve nga Enti Rregullator i Energjisë.

Pak muaj më vonë, shteti mori në administrim kontrollin e kompanisë CEZ, duke i hapur kështu rrugë të lirë, ankimimit ligjor të CEZ brenda Shqipërisë e në arbitrazhin ndërkombëtar, për prishje të njëanshme kontrate e humbje financiare.

Këtu filloi loja e pazareve të pista KESH-CEZ-Qeveri, që i vodhi buxhetit të shtetit miliona Euro; shkaktuar në 2009-2013 dhe e dirigjuar e realizuar 2013-2017.