Fuat Memeli: Si më larguan padrejtësisht nga TVSH për “cen” në biografi. Intervista e parë me ministrin Pirro Dodbiba

688
Sigal

Flet gazetari dhe poeti Fuat Memelli: Si më larguan padrejtësisht nga TVSH për “cen” në biografi

-Si realizova dokumentarin “Katër nga të 4000-t”, në ish- Ndërmarrjen Bujqësore të Sukthit

-Nga ministrat e Bujqësisë për herë të parë intervistova Pirro Dodbibën, më habiti me dijet

-Agronom në Petrelë, njoha nga afër dashurinë e njerëzve të thjeshtë

Gazeta Telegraf

Me gazetarin dhe poetin Fuat Memelli kam zhvilluar shumë biseda, pasi duke punuar në TVSH për shumë kohë ai është një arkiv i gjallë. Sigurisht ai mbetet ndër gazetarët e parë të RTSH-së ku punoi plot 42 vjet si gazetar bujqësie, por dhe si realizues i dhjetëra filmave dokumentarë për bujqësinë. Qysh në rini ishte ndër nismëtarët e krijimit të gazetës “Studenti i bujqësisë”. Më pas, vijon si një ndër gazetarët e parë të televizionit të parë shqiptar për çështjet e bujqësisë. Ai më pas u “ankorua” në Ministrinë e Bujqësisë, ku ka ndërruar plot 15 ministra, pa u larguar (për shumë vite) as dhe një ditë nga kjo ministri me të cilën kishte lidhur jetën. Në TVSH filloi punë në shtator të vitit 1969.

  • Në monizëm filmat dokumentarë kishin shumë preferencë…Cili ishte dokumentari i parë që kini realizuar në TVSH?

-Dokumentari im i parë në TVSH, ishte ai me titull “Katër nga të 4000-t”, realizuar në ish Ndërmarjen Bujqësore të Sukthit, me operatorin Tomor Topore, që më von u bë redaktor. Nga 4000 punëtorë që kishte ajo ndërmarrje, mendova që dokumentari t’i kushtohej katër prej tyre që ishin në pararojë. Kishte edhe një tingëllim të bukur në titull. Ishte me film 16 m/m siç punohej në ato vite vite në TVSH. Atëhëre ishim me pak përvojë në fushën  e filmit, pasi nuk kishte shkollë të specializuar, por kishim një mjeshtër montazhi, të ndjerin Ismail Balla, nga i cili mësuan për montazhin, gjithë krijuesit e TVSH-së të asaj kohe. Gjithashtu kishim edhe montazhiere të shkathëta si Nadia Qatipin, të ndjerën Flora Gjika, Rezarta Kokalarin, etj., që e stolisnin punën tonë.

-Në atë sistem ishte shumë e vështirë të realizoje intervista me ministrat. Cili është ministri i parë që ke marrë në intervistë?

-Ministri i parë i Bujqësisë që kam intervistuar, ishte i ndjeri Pirro Dodbiba. Ai kishte mbaruar shkëlqyeshëm në ish-Bashkimin Sovjetik dhe qe i pajisur me një kulturë të gjerë. Intervistat me ministrat zakonisht bëheshin në prag të Vitit të Ri ose në prag kongresesh. Pirro vinte në studio me disa copa letre të vogla, ku kishte shënuar vetëm ca shifra. Ishte shumë i rrjedhshëm dhe i saktë gjatë intervistës. Mbaj mend që kur mbaronte biseda, kameramanët dhe punonjësit e tjerë të teknikës që regjistronin intervistën, thoshin: -Këtu janë intervistuar shumë ministra, por nuk kemi parë ministër që të flasë si ky! Qenka orator! Dhe vërtet i tillë ishte Pirro Dodbiba. Më erdhi shumë keq kur e shkarkuan nga detyra, gjoja si disfatist në bujqësi dhe e internuan. Pas viteve ’90 kur u kthye nga internimi, shkova e takova në shtëpi dhe i bëra një intervistë të gjatë. Isha edhe në varrimin e tij.

-Në kulmin e karrierës ju larguan nga dashuria e parë e punës, RTSH, pse ju hoqën? Kush e nxiti largimin tuaj?

-Largimi nga TVSH-ja, është një nga ngjarjet më të rënda që kam përjetuar. Ishte viti 1975. Pas dënimit të ushtarakëve të lartë si dhe grupit të liberalëve, të përfaqësuar nga Todi Lubonja e Fadil Paçrami, goditja filloi të zbresë më poshtë. Pas mbledhjeve të njëpasnjëshme ku vinin të deleguar nga Komiteti Qendror dhe komiteti i partisë, filloi “sitja” e gjithë dokumentave të punonjësve. Më në fund doli lista që rreth 20 vetë duhet të largoheshin nga TVSH-ja, pasi kishin “njolla” në biografi. Midis tyre, isha edhe unë. Nuk e prisja largimin për këtë arsye, pasi isha ndër punonjësit e dalluar të institucionit, fotografia ime ishte në tabelën e nderit, kisha xhaxhanë dhe motrën komunistë, një kushëri të parë të babait që ishte dëshmor dhe emrin e tij e mbante shkolla e fshatit, babai kishte qenë në njësitin gueril të fshatit, etj. Këtë biografi dija unë, por në dokumente kisha një biografi tjetër. Sekretari i partisë së fshatit dhe ndonjë dashakeqës tjetër, nuk kishin shkruar asgjë nga ato më lart por kishin vënë një kushëri të parë të babait të vrarë pas shpine nga strukturat e Sigurimit të Shtetit, se gjoja do arratisej në Greqi, një kushëri të dytë, nxënës i shkollës së mesme që kish tentuar të arratisej, si dhe një xhaxha që kish qenë tre muaj xhandar në kohën e Zogut. Veç këtyre, vigjilentët e fshatit kishin dërguar edhe një thes me letra në komitetin e partisë së Tiranës. (Këtë ma ka thënë më vonë një instruktor i këtij komiteti). Mbaj mend që shkova në zyrën e kuadrit për t’u ankuar pse më largonin, por një punonjëse e asaj zyre, nxori dosjen time dhe më tha: -Shiko se çfarë biografie ke ti!-dhe më tregoi dosjen. Për herë të parë pashë dosjen time. S’kisha se çfarë t’i thosha. Nuk ishte thjesht largimi që më shqetësonte. Më shumë më brengoste “njolla” që do më ndiqte pas, megjithëse realisht unë nuk i përkisja njerëzve me biografi të keqe, siç quheshin fatkeqësisht këta njetëz në atë regjim të egër. Largimi im ishte një paradoks: motra ime pranohej në parti, ndërsa unë largohhesha nga TVSH-ja për “njolla” në biografi! E tillë ishte ajo kohë, me shumë paradokse!

-Largim që ju la gjurmë….Nga TVSH  agronom në Petrelë. Si ju pritën aty dhe si ishte gjendja e asaj ekonomie?

-Më pritën si nuk e prisja. Shumë nga ata që i larguan nga TVSH-ja, i dërguan në rrethet e Veriut. Unë duke qenë gazetar dhe agronom, kur kishte shkuar lista në komitetin Ekzekutiv të Tiranës nga bëhej shpërndarja  e të larguarve, ish zv/kryetari i këtij komiteti, i ndjeri Faik Ahmeti, kish thënë: -Ky djali qenka edhe agronom. Kemi një vend bosh në kooperativën e Petrelës. Ta çojmë aty. Me fjalën e Faik Ahmetit, të cilit i jam mirënjohës, mbeta në rrethin e Tiranës dhe fillova punë në Petrelë, si agronom sektori. Mbatha çizmet dhe ju përvesha punës. Kjo ekonomi në ato vite, ishte e dobët. Për ta forcuar kishin sjellë kryeagronom Petrit Kalakullën, të cilin e kishin larguar po atë vit nga seksioni i Bujqësisë së Tiranës , për “njolla” në biografi. Unë kisha mbaruar për agronomi, por nuk kisha punuar në prodhim. Me ndihmën e bujqëve të vjetër të Petrelës, mësova shumë. Mbi të gjitha mësova nga kryeagronomi, Petrit Kalakulla, i cili ishte një nga specialistët më të mirë të bujqësisë, jo vetëm të rrethit të Tiranës por edhe të Republikës. Petriti ishte kërkues i madh. Na bërtiste e na shante në mbledhje, sigurisht për punën, por në fund të  saj, thoshte: -Mbledhja mbaroi. Tani do shkojmë të pimë kafe. Aty bëhëj tjetër njeri, i njëjtë me ne dhe me një humor të veçantë. Dora e Petritit dhe kuadrove të tjerë të ekonomisë, u ndie në rezultatet e saj, të cilat ndryshuan për mirë. Petriti përkrahu proceset demokratike dhe arriti të bëhet kryetar i PD-së së Tiranës e më pas ministër Bujqësie.

 

Ai kishte tjetër ide për transformimin e ndërmarjeve dhe kooperativave bujqësore por fatkeqësisht idetë e tij, nuk u morën parasysh. Një ditë prej ditësh, vijnë në kooperativën e Petrelës, ish- drejtori i Shtëpisë së Propagandës Bujqësore, i  ndjeri Faik Labinoti si dhe ish- sekretari i partisë, Lefter Peço. Më takojnë dhe më thonë: -A ke dëshirë të vish të punosh në SHPB? -Pa diskutim! –i thashë unë, -po të jetë e mundur, që sot. Ata biseduan edhe me drejtuesit e kooperativës, të cilët u treguan dashamirës me mua. Pas një muaji e ca, u largova nga Petrela, nga e cila kam shumë kujtime. Mbaj mend që shkova në çdo brigatë për t’u takuar. Disa gra në fshatin Durisht, qanë kur u ndamë. Ishte një respekt i ndërsjelltë, që kishte lënë gjurmët e tij. Fillova punë si gazetar në sektorin e filmit bujqësor të SHPB-së. Drejtuesit e  SHPB-së, më morën aty, megjithë “njollat” që kisha në dokumenta, por ata ishin interesuar që unë kisha edhe të dhëna të tjera. Shkuan në fshat e morën të dhënat reale. U jam mirënjohës!