“Freskia” e rrezikshme e Lufra. Pse heshtin Prokuroria dhe AKU, ndërsa qytetarët helmohen me qumësht pluhur?

22
Sigal

Në Shqipërinë ku çdo produkt etiketohet si “bio”, “vendas” dhe “i freskët nga ferma”, qytetarët po helmojnë veten pa e ditur, e ndërkohë institucionet që duhet t’i mbrojnë, Prokuroria dhe AKU, janë ose në gjumë, ose në heshtje të paguar. Kompania e njohur Lufra, një nga emrat më të njohur në tregun e bulmetit, akuzohet se po përdor në mënyrë të fshehtë qumësht pluhur të importuar dhe nënprodukte yndyre me origjinë të pasigurt, të cilat shndërrohen me mjeshtëri në “kos të freskët”, “djathë të bardhë të vendit” apo “gjalpë natyral”.

Në realitet, në vend të qumështit të freskët, produktet përmbajnë përzierje industrial, të cilat, sipas specialistëve të sigurisë ushqimore, mund të shkaktojnë probleme të rënda shëndetësore si çrregullime tretjeje, alergji, çrregullime hormonale, intolerancë ushqimore, ndikime në zhvillimin e fëmijëve dhe në raste ekstreme edhe prani të substancave toksike që kalojnë në gjak.

Dhe megjithëse kjo situatë është shqetësuese dhe po qarkullon me zë të lartë në opinion publik, Prokuroria nuk ka hapur asnjë hetim penal për mashtrim me pasoja për jetën, ndërsa AKU vazhdon të heshtë dhe të mos kryejë analiza të pavarura mbi përbërësit realë të produkteve të Lufrës. Etiketat nuk përmendin qumësht pluhur, ndonëse ai është përbërësi bazë, konsumatori mashtrohet me premtime vizuale dhe slogane boshe, ndërsa në realitet, në çdo lugë kos apo fetë djathi mund të fshihet një koktej kimik i importuar dhe i papërshtatshëm për konsum të përditshëm. Në çdo vend serioz, një praktikë e tillë do të quhej krim ushqimor dhe do të kishte sjellë mbyllje të fabrikës dhe ndëshkime shembullore, por në Shqipëri jo vetëm që askush nuk reagon, por heshtja zyrtare po i jep mbulim të heshtur një procesi të ngadaltë helmimi publik.

Qytetarët nuk e dinë më çfarë po konsumojnë dhe fëmijët ushqehen me shije të rreme dhe përbërje të rrezikshme, ndërsa institucionet marrin rolin e spektatorit të paguar.

Nëse Prokuroria nuk vepron, nëse AKU nuk reagon, atëherë vetë shteti është bërë ortak në këtë mashtrim. A është më fitimprurëse një fushatë publicitare sesa një kontroll laboratori? A mbron shteti jetën apo fasadën? Dhe kur gjithçka shitet si “bio”, atëherë vetë gënjeshtra bëhet standard. Shëndeti i një kombi nuk mund të mbështetet mbi qumësht pluhur dhe etiketa të rreme.

Pyetja nuk është më çfarë ka brenda paketimit të Lufrës, por çfarë ka brenda heshtjes së atyre që duhet të ndërhyjnë.in-front.org