Buxheti ka para, por i ka për oligarkët

213
Sigal

Si u frynë në tre vite miliardat e kompanive të përfituesve më të mëdhenj nga transaksionet e thesarit të shtetit

 

Buxheti në ditë “të arta”!  Çmimet e rritura “furnizojnë” buxhetin e shtetit me 285 milionë euro më shumë

Ky vit po ecën me ritme pozitive për buxhetin e shtetit, i cili ka “përfituar” ndjeshëm nga rritja e çmimeve, duke bërë që të jetë në periudhën “më të artë” të viteve të fundit. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në 4 muajt e parë të vitit janë arkëtuar afro 188 miliardë lekë apo 1.5 miliardë euro, me realizim në masën 107 për qind të planit. Krahasuar me me 4-mujorin e parë të 2021, rritja llogaritet në rreth 34.7 miliardë lekë apo 285 milionë euro.

Të ardhurat doganore u realizuan në vlerën 65.5 miliardë lekë apo 12,7 miliardë lekë më shumë se një vit më parë dhe ndikimin kryesor e ka pasur TVSH-ja në import që lidhet drejtpërdrejt me çmimet, ku janë mbledhur 46.6 miliardë lekë, 10.7 miliardë lekë apo 29.7 % më shumë se një vit më parë. Nga akciza janë mbledhur 1 miliardë lekë më shumë se 4 mujori i parë 2021, ndërsa renta minerare dhe taksat doganore kanë dhënë kontribut më të ulët.

Sa i takon të ardhurave tatimore, duket se TVSH-ja e arkëtuar neto ka qenë sërish më e suksesshmja ndër zërat e tjerë, me një realizim në masën 14.2 miliardë lekë, apo 94.5 % më shumë se 4-mujori 2021. Këto shifra në këtë periudhë nuk tregojnë shtim të konsumit, por përkthehen në pagesa më të larta të konsumatorëve për shkak të rritjes së çmimeve dhe si e tillë dhe vjelje më  e lartë Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Nga tatim-fitimi mbi bizneset janë mbledhur 5 miliardë lekë më shumë dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale 1.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë. Në total të ardhurat tatimore kanë njohur një shtesë prej 20.5 miliard lekësh. Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2022, arritën në rreth 168.5 miliard lekë me një realizim në masën 95 përqind të planit të periudhës dhe niveli i sufiçitit u regjistrua në 19.2 miliardë lekë.

‘Buxheti ka para, por i ka për oligarkët’

 Si u frynë në tre vite miliardat e kompanive të oligarkëve nga transaksionet e thesarit të shtetit

Vendi është në krizë, nuk ka as nevojë të kesh njohuri të zgjeruara ekonomike për të kuptuar dhe dëgjuar si faktohet nga deklaratat e qytetarëve që rënkojnë nga çmimet e larta dhe pagat e ulëta. Së fundi edhe Komisioni Europian uli pritshëmrinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke vënë theksin dhe tek rreziku i borxhit të lartë që ka vendi. Ndërkohë ku mungon mbështetja për popullin, duket se ato që po përlajnë milionat janë një grup biznesmenësh. Vetëm K.L.SH parashikon 7.2 miliardë euro, buxhet të shpërdoruar, buxhet të vjedhur, që është një shifër e frikshme. Sipas të dhënave të OPEN DATA mbi transaksionet e Thesarit të Shtetit në Shqipëri dhe shpërndarjen e tyre gjatë 3 (tre) vjeçarit të fundit, ku në shqyrtim janë marrë kompanitë ose operatorët ekonomikë privatë që kanë përfituar më shumë vlerë pagesash nga buxhetit të shtetit për këtë periudhë. Nga kjo analizë janë përjashtuar pagesat për institucionet shtetërore, shoqëritë publike, të zotëruara nga Ministri, Bashki ose autoritete të tjera. Gjithashtu nga rezultati janë përjashtuar edhe transaksione përmes Bankave të Nivelit të Dytë, transaksione të thesarit, të cilat janë analizuar në një artikull të veçantë. Në renditje janë edhe pagesa, që kanë të bëjnë me rimbursim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, madje subjekti i parë në renditje është pikërisht përfitues për këtë kategori transaksionesh.

Renditja sipas vlerave më të larta është: Trans Adriatic Pipeline AG Abania ; Gjoka 87 ; Fusha ; Salillari ; G. P. G Company ; Gjikuria dhe Kastrati (shpk jo grupi) .

Kemi pasqyruar renditjen e 30 operatorëve ekonomikë me vlera më të larta të transaksioneve të thesarit për periudhën 2019 – 2021, dhe sipas viteve të veçanta. Po të shohim totalin e vlerës së transaksioneve të buxhetit të shtetit për të tre vitet, në vend të parë qëndron Trans Adriatic Pipeline AG Albania, shoqëria që zbaton projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP). Kjo kompani ka përfituar 15.4 miliard lekë nga thesari i shtetit për të tre vitet për rimbursim TVSH, duke qëndruar në krye të listës në renditjen e vitit 2020 dhe 2021. Përjashtim bën vetëm viti 2019, ku Trans Adriatic Pipeline AG Albania është renditur e dyta pas GJOKA 87.

GJOKA 87 renditet e dyta për sa i përket totalit të vlerës së përfituar nga thesari gjatë periudhës 2019-2020, me 9.48 miliard lekë të regjistruara. GJOKA 87 është një shoqëri koncesionare e themeluar për ndërtimin e rrugës së Arbrit, projekt koncesionar i fituar nga GJOKA KONSTRUCTION në 2017. Në 2019 është renditur e para sipas vlerës së pagesave të thesarit. Në 2020 dhe 2021 renditet e treta.

Në vend të tretë renditet FUSHA, e cila ka marrë 6.67 miliard lekë nga thesari i shtetit për vitet 2019-2021. FUSHA është zotëruese e disa shoqërive koncesionare dhe një nga kontraktorët më të mëdhenj të kontratave publike. Kjo shoqëri ka lidhur kontrata me institucione të rëndësishme prokuruese kryesore, me njësitë e qeverisjes vendore si operator i vetëm dhe në bashkëpunim, me institucionet shëndetësore dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Në 2019 ajo ka marrë 2.76 miliard lekë nga buxheti i shtetit. Prej 2015 kjo kompani është kompania me më shumë vlerë tenderësh të fituara me Bashkitë si total.

SALILLARI është operatori ekonomik që renditet i katërti sipas vlerës së transaksioneve të thesarit, me 6.2 miliard lekë të përfituara përmes thesarit të shtetit. SALILLARI është gjithashtu zotërues i disa shoqërive koncesionare. SALILLARI ka ngjitur shkallët e renditjes në vlerën e transaksioneve të thesarit dhe në pozicion nga viti në vit. Në 2019 ishte renditur i tetëmbëdhjeti me një vlerë prej 849 milion lekë. Në 2020 renditet në vend të shtatë me 1.67 miliard lekë dhe në 2021 ka arritur vendin e dytë me 3.69 miliard lekë, duke shënuar një rritje me 334% të vlerës nga 2019 në 2021.

 

  1. P. G. COMPANYmbyll Top 5 përfituesit më të mëdhenj të thesarit të shtetit për 2019-2021, me një vlerë të përfituar 5.86 miliard lekë. G. P. G. COMPANY është zotëruese e dy hidrocentraleve në Shqipëri. Në bazë të rritjes vjetore të transaksioneve (në përqindje kundrejt vitit paraardhës), kompanitë, që kanë shënuar më shumë rritje gjatë periudhës 2019-2021 janë: Gjoka Konstruksion, vlera e pagesave të thesarit është rritur me 875% që nga 2019, Kevin Konstruksionka pasur një rritje me 574% të pagesave të thesarit dhe SALILLARI që ka marrë 334% më shumë vlerë pagesash në krahasim me 2019.

Për sa i përket rënies, shoqëritë STRABAG AG  (renditje vendi 28) dhe D&E (renditje vendit 18) janë ato që shënuar një rënie me përkatësisht 58% dhe 66% nga vlerat respektive të pagesave që kanë përfituar në vitin 2019.Nëse krahasojmë renditjen për vitet e veçanta, rezulton që kompanitë kanë lëvizje, ku disa prej tyre hyjnë në tridhjetëshen e parë dhe disa dalin. Në 2021 kanë dalë nga 30-shja e parë shoqëri si: shoqëria koncesinare AYEN AS ENERGJI, D&E, STRABAG AG, ALBA KONSTRUKSION. Ndërkohë kanë hyrë në 30-shen e përfituesve më të mëdhenj të thesarit në 2021 shoqëri që nuk kanë qenë në dy vitet e mëparshme, si: GJOKA KONSTRUKSION (1.8 miliard lekë në 2021), R & T (1.04 milard lekë), PE – VLA – KU (1.03 miliard lekë) dhe GTS-GAZRA TEKNIKE SHQIPTARE (1.025 miliard lekë) dhe LABORATORY NETËORKS (1.04 miliard lekë). Gjithashtu hyrje e re në 2021 është edhe Smartmatic Albania shpk, e cila është themeluar në shkurt të 2021 për ofrimin e shërbimeve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve zgjedhore/të votimit. Gjatë 2021, Smartmatic Albania shpk ka përfituar 1.06 miliard lekë nga Thesari i Shtetit.